Fillimi i shkollës, mund të jetë një përvojë sfiduese si për fëmijët ashtu edhe për prindërit. Në momentin kur fëmijët nisin shkollën, ata fillojnë të ndiejnë ndarjen nga prindërit. Ata tashmë janë mësuar të qëndrojnë me prindërit, pjesën më të madhe të kohës, prandaj në momentin që nisin shkollën ata ndeshen me një ndryshim të madh gjë kjo që mund të krijojë ankth si tek fëmija ashtu edhe tek prindërit.

Ata tashmë futen në një mjedis të ri dhe të ndryshëm me bashkëmoshatarë. Përveç hyrjes në një vend të ri, ata përballen me një ndryshim në rutinë e cila mund të jetë sfiduese. Ata mund ta kenë të vështirë ta përjetojnë këtë ndarje derisa të fillojnë te përshtaten me këtë ndryshim nga ai me të cilën janë mësuar.

Kjo situatë nuk do të zgjas përgjithmonë. Fëmija do të filloj të përshtatet, dhe do të filloj të mësohet me ambientin dhe rutinën e re. Mirëpo periudha e tranzicionit mund të jetë e ndryshme për çdo fëmijë, disa mund të përshtaten më shpejt, ndërsa të tjerëve mund të kenë nevojë për më shumë kohë. Ankthin e ndarjes, fëmija e përjeton pasi mund të ketë frikë se prindërit nuk do të kthehen më kurrë, duke e lënë aty përgjithmonë. Mirëpo ai do të mësojnë nga përvoja se ne nuk do ta lësh përgjithmonë.

Disa këshilla si fëmijët të përshtaten në shkollë për herë të parë

1•Përgatituni ju prindër emocionalisht

Ndarja nga fëmijët, mund të jetë një përvojë shqetësuese, jo vetëm për fëmijët, por edhe për ju duke menduar se ju jeni duke e mërzitur fëmijën, ju po e braktisni mirëpo është e rëndësishme që në këto momente të reflektoni. Reflektoni mbi fëmijërinë tuaj, se si jeni ndjerë në situata të ngjashme. Nisni të reflektoni me veten, pasi kur ndarja bëhet e vështirë edhe nga prindërit, atëherë fëmija mund të bëhet edhe më i shqetësuar, duke e bërë ndarjen më të vështirë për ta kaluar. Mos harroni, fëmijët përjetojnë një gamë të plotë emocionesh ashtu si ne.

Nëse arrini të qëndroni sa më të qetë në situata të tilla, ju jeni duke ndihmuar që procesi i ndarjes të bëhet pak më i qetë. Qëndroni të qetë ndërsa e çoni fëmijën në shkollë. Është thelbësore që prindërit të jenë të përgatitur emocionalisht për këtë proces.

2•Besojini shkollës

Është e rëndësishme që si fëmija ashtu edhe prindërit t’i besojnë shkollës. Nëse prindërit i besojnë shkollës, fëmija ka të ngjarë të ndihet pak më i sigurt ndërsa fillojnë të shkojnë për herë të parë. Besimin mund ta krijoni duke komunikuar vazhdimisht me mësuesen, duke mbledhur informacione për shkollën. Në këtë mënyrë ju do të jeni më të qetë, dhe do t’ia besoni fëmijën shkollës.

3•Lëreni fëmijën të njihet me shkollën përpara se të filloj

Ideja për të shkuar në një vend që fëmija e ka parë më parë, mund ta bëjë ndarjen pak më të lehtë. Njohja me klasën, objektet në klasë, madje edhe mësuesin mund të ndihmojë në njohjen e fëmijës me mjedisin e shkollës, duke e bërë atë të ndihet si një hapësirë e sigurt dhe e njohur.

4•Rritini fëmijës kuriozitetin për shkollën

Kjo mund të ndihmojë në rritjen e interesit të fëmijës për të shkuar dhe përjetuar vetë. Për shembull, mund të tërhiqni interesin e fëmijës duke thënë gjëra të tilla si: “Kur të shkosh në shkollë, do të kesh një klasë plot me miq dhe do të ketë aktivitete të bukura ku do të kënaqesh pafund” ose “Në klasë do të kesh shumë shokë ku ti do të luash me ta sa herë që të shkosh në shkollë!” Shpjegimi se si është shkolla mund të rrisë ndjenjën e kuriozitetit të fëmijëve dhe ta bëjë shkollën edhe më tërheqëse.

5•Mbani qëndrim të qartë dhe mbështetës

Duke mbajtur një qëndrim të qartë dhe mbështetës kur e lë fëmijën në shkollë, fëmija ka më shumë gjasa të ndihet i kuptuar, dhe i kujdesur kur përjeton ndonjë vështirësi. Mos u tregoni të ashpër, ose të ngurtë. Dëgjoni pyetjet e fëmijës dhe pranoni ndjenjat e tyre, pasi në këtë mënyrë ju krijoni hapësirë për dialog rreth dilemave të panjohura të shkollës dhe më pas mund të punoni së bashku për ta bërë shkollën të ndihet si një mjedis i sigurt dhe mikpritës.

6•Inkurajoni fëmijën të shpreh emocionet

Një mënyrë se si mund ta inkurajoni fëmijën të shprehë emocionet është duke bërë pyetje si: “E kuptoj që nuk dëshiron të shkosh në shkollë. Ndonjëherë mund të ndihet e frikshme. Çfarë keni frikë se mund të ndodhë?” Në këtë mënyrë, ju i jepni fëmijës hapësirë për të treguar frikën e tij dhe prej andej mund të hartoni strategji së bashku se si t’i kaloni ato ndjenja.

7•Komunikoni paraprakisht me fëmijën

Ju mund të dëgjoni fraza si: “Të lutem mos më lër!” Në mënyrë që fëmija të kapërcejë këtë frikë të braktisjes, është e rëndësishme që të komunikoni paraprakisht rutinën e marrjes dhe zbritjes në mëngjes. Duke thënë: “Tani, duhet të shkosh në shkollë, por kur të mbarojë shkolla, unë do të të pres këtu”.

Nëse fëmija ju gjen në atë vend kur mbaron shkolla kjo do ta ndihmoj atë në uljen e ankthit duke krijuar një përvojë në mendjen e fëmijës që prindi i tyre largohet mirëpo kthehet çdo herë. Ndërsa shqetësimet e tij zvogëlohen, ai do të filloj të emocionohet për shkollën, pasi është një vend ku mund të shoqërohet, luaj me miqtë si dhe një vend për të eksploruar.

Kjo periudhë ka shumë rëndësi në shumë mënyra. Ky proces, që është sfiduese për të gjitha palët, mirëpo ndihmon fëmijët për të zhvilluar aftësitë e tyre adaptive, gjithashtu hedh themelet e aftësive sociale që ata do të përdorin gjatë gjithë jetës së tyre.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.