Terapia logopedike përfshin të gjitha moshat që nga lindja deri në moshën 18 vjeç në bazë të nevojës dhe diagnozave përkatëse ku përmendim:

• Çrregullimet e artikulimit (Dislalitë): Vështirësi në artikulimin e një ose shumë fonemave, pa ndonjë keqformim anatomik.

• Vonesa gjuhësore: Fëmija nuk i arrin gurët kilometrik të zhvillimin gjuhësor, mund të jetë një shenjë që ai ka nevojë për ndihmë logopedike. Kështu shpjegon logopedia Mettis Guleksi.

Në një intervistë për Bebja.com Mettis Guleksi tregon se fëmijët zhvillohen me ritme të ndryshme dhe si rrjedhojë jo të gjithë fëmijët e te njëjtës moshë do t’i kenë të zhvilluar gurët kilometrik njësoj. E rëndësishme për prindërit është që të kuptojnë nëse diçka shkon ose jo me zhvillimin e fëmijës së tyre dhe të drejtohen te specialist.

Intervista e plotë:

1. Mettisa cilat janë rastet kur fëmijët kanë nevojë për terapi logopedike?

Logopedia është disiplina mjekësore e cila merret me diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin e çrregullimeve të gjuhës, të folurit, dëgjimit dhe aftësive të gëlltitjes.

Me fëmijët kjo terapi i përfshin të gjitha moshat që nga lindja deri në moshën 18 vjeç në bazë të nevojës dhe diagnozave përkatëse ku përmendim:

• Çrregullimet e artikulimit (Dislalitë): Vështirësi në artikulimin e një osë shumë fonemave, pa ndonjë keqformim anatomik.

• Vonesa gjuhësore: Fëmija nuk i arrin gurët kilometrik të zhvillimin gjuhësor, mund të jetë një shenjë që ai ka nevojë për ndihmë logopedike.

• Çrregullim i komunikimit social: Fëmija ka vështirësi të përdorë komunikimin për të zhvilluar marrëdhënie sociale me fëmijët e tjerë ose me të rriturit në mënyrë të përshtatshme.

• Dsifluenca në të folur (belbëzim): Fëmija ka vështirësi me rrjedhshmërinë në të folur. Gjatë të folurit kemi ndalim ose përsëritje të tingujve dhe fjalëve.

• Dëmtim ose humbje dëgjimi: Fëmijët që kanë probleme me dëgjimin, qofshin ato përkohësore ose të përhershme, mund të kenë vështirësi në zhvillimin e aftësive gjuhësore.

• Çrregullimet neurozhvillimore dhe neurologjike: Fëmijët me çrregullime të nerurozhvillimit dhe çrregullime neurologjike shpesh përballen me vështirësi të komunikimit dhe mund të kenë nevojë për mbështetje të vazhdueshme logopedike për të zhvilluar aftësitë e komunikimit dhe ndërveprimit social.

• Probleme me gëlltitjen, përtypjen (disfagia): Disa fëmijë mund të kenë probleme me përtypjen dhe gëlltitjen e ushqimit, kjo për shkaqe të ndryshme të cilat duhen vlerësuar në fillim. Këtu përmendim dhe terapinë logopedike me bebet që në lindje që kanë vështirësi në kapjen e gjirit.

2. Që prindërit ta kenë më të thjeshtë për ta kuptuar, cilat janë shenjat treguese tek fëmijët që me patjetër ka nevojë për ndihmën e logopedes?

Fëmijët zhvillohen me ritme të ndryshme dhe si rrjedhojë jo të gjithë fëmijët e te njëjtës moshë do t’i kenë të zhvilluar gurët kilometrik njësoj. E rëndësishme për prindërit është që të kuptojnë nëse diçka shkon ose jo me zhvillimin e fëmijës së tyre dhe të drejtohen te specialist. Disa nga shenjat më të zakonshmet përfshijnë:

• Vonesa në të folur ose gjuhësore:
• Fëmija nuk përdor gjeste ose nuk belbëzon për të komunikuar
• I foluri është i paqartë ose i pakuptueshëm nga moshatarët, prindërit dhe familjarët e tjerë.
• Mungesa \limitimi i kontaktit me sy dhe aftësive sociale.
• Aftësi të dobëta në përdorimin e gjuhës së shkruar.
• Vështirësi në procesimin e informacionit qoftë i shkruar ose verbal.
• Vështirësi në mbajtjen mend të gjërave.

3. Dislalia çfarë problemi është dhe si e trajtoni në klinikën tuaj?

Dislalia (çrregullim artikulimi) është një çrregullim komunikimi i karakterizuar nga vështirësi në artikulimin ose shqiptimin e një ose më shumë fonemave (tingujve), pa ndonjë keqformim anatomik. Dislalitë mund të jenë evolucionare në natyrë dhe të zhduken me kalimin e kohës ose mund të jenë për shkak të:

• Diskriminim i dobët dëgjimor.
• Vështirësi në kontrollin e lëvizjeve të gjuhës
• Një pikë e gabuar e artikulimit.
• Aftësi e dobët për të imituar.
• Qëndrueshmëria e artikulimit të fëmijëve
•Stimulim i dobët gjuhësor.

Në klinikë rastet trajtohen duke bërë një vlerësim të plotë logopedik ku përfshihet:

– Ekzaminimi orofacial
• Vlerësimi i organeve të artikulimit
• Testi i artikulimit për të kuptuar se në cilat fonema qëndron vështirësia.
Më pas hartohet plani i ndërhyrjes me hapat që do të ndiqen për secilën fonemë. Gjatë seancave përdoren dhe mjete të ndryshme logopedike për ta ndihmuar sa më shumë fëmijën dhe për të patur rezultate sa më të shpejta.
Trajtimi zakonisht përfshin një kombinim të terapisë në klinikë dhe ushtrime në shtëpi. Është thelbësore të kuptohet se suksesi trajtimit varet jo vetëm nga logopedi, por edhe nga pjesëmarrja aktive e prindërve dhe e vetë fëmijës.

4. Pamë që përdor programin e kapjes së topthave me pinceta, për cilët fëmijë është e nevojshme? Cilat janë rezultatet? Mund të na tregoni shkurtimisht një rast?

Ky program është mjaft zbavitës për fëmijët, pasi ku ka ngjyra ka dhe argëtim, por në të njëjtën kohë dhe mjaft i vlefshëm në terapi. Në terapinë logopedike sigurisht që fokusi është zhvillimi gjuhësor, por duke ndihmuar dhe zhvilluar dhe fushat e tjera të zhvillimit të një fëmije në të cilat ai mund të ketë vështirësi. Nëse ne do të fokusohemi vetëm në zhvillim gjuhësor dhe të lëmë të gjitha fushat e tjera të pazhvilluara, nuk do të kemi asnjë arritje.

Mund të përdoret për të ndihmuar fëmijët, që kanë vështirësi me motorikën fine, përqendrimin, koordinimin sy-dorë.
Disa rezultate që mund të arrihen nga përdorimi i këtij program janë:

1. Përmirësimi i koordinimit dhe përqendrimit: fëmija duhet të fokusohet dhe të përdorë duart dhe gishta në mënyrë të kontrolluar, gjë që e ndihmon në zhvillimin e aftësive motorike.

2. Zhvillimi motorikës fine: Përdorimi i pincetave për të kapur topthat ndihmon në forcimin e muskujve të gishtave dhe duarve.

3. Përmirësimi i kontrollit të trupit dhe lëvizjeve: Aktiviteti mund të ndihmojë individët të mësojnë të kontrollojnë më mirë lëvizjet e tyre të trupit dhe të arrijnë koordinimin sy-dorë.

4. Zhvillimi i shkathtësive sociale dhe ndihmesës në grup: Nëse bëhet në një terapi grupi, kjo mund të ndihmojë individët të zhvillojnë aftësitë e bashkëpunimit dhe komunikimit me të tjerët.

5. Zhvillimin e aftësive gjuhësore: duke identifikuar dhe emërtuar ngjyrat dhe mjetet e punës.

Një rast me të cilin e kam punuar këtë program në fillim kishte shumë vështirësi në manipulimin në mënyrën e duhur të pincetës dhe për rrjedhojë shfaqte vështirësi në kryerjen e këtij programi. Refuzonte ta realizonte, duke shfaqur sjellje shmangëse, por për një kohë të shkurtër ushtrimesh të vazhdueshme arriti jo vetëm ta kryente saktë, por dhe shpejt detyrën. E rëndësishmë është të mos dorëzohemi dhe të besojmë në potencialet e çdo fëmije.

5. Imitimi oral-facial në terapinë logopedike, pse është i rëndësishëm për një fëmijë?

Imitimi oral-facial është një metodë e rëndësishme në terapinë logopedike, e cila ndihmon në zhvillimin e aftësive të komunikimit dhe artikulimit te individët me çrregullime të folurit. Kjo teknikë përfshin ushtrime që stimulojnë muskujt e fytyrës dhe gojës, duke ndihmuar në përmirësimin e kontrollit dhe koordinimit të tyre.

Gjatë seancave, përdoret një gamë të gjerë aktivitetesh, si imitimi i tingujve, shprehitë faciale dhe lëvizjet e gojës. Këto ushtrime jo vetëm që ndihmojnë në forcimin e muskujve, por gjithashtu inkurajojnë fëmijët të angazhohen dhe të shprehin veten në mënyra kreative.

Përveç përmirësimit të aftësive motorike, imitimi oral-facial kontribuon në zhvillimin e njohurive sociale dhe emocionale. Duke u angazhuar në aktivitete të tilla, individët mësojnë të përmirësojnë komunikimin jo verbal, gjë që është thelbësore për ndërtimin e marrëdhënieve dhe përvetësimin e gjuhës.

6. Na tërhoqi vëmendjen loja me plastelinë që përdorni gjatë terapisë me fëmijë, çfarë roli ka në zhvillimin e të folurit tek fëmijët?

Loja me plastelinë është një aktivitet shumë i dobishëm që ofron mundësi për të zhvilluar aftësitë gjuhësore, duke i dhënë mundësinë fëmijëve të shprehin kreativitetin e tyre dhe të ndërveprojnë me të tjerët.

Ajo ndikon në:

1. Zhvillimin e fjalorit: Gjatë lojës, fëmijët mund të përdorin dhe të mësojnë fjalë të reja që lidhen me forma, ngjyra, objekte dhe veprime.

2. Zhvillimin e aftësive të komunikimit: Gjatë aktiviteteve të lojës, fëmijët mund të bashkëpunojnë me të tjerët, duke përshkruar atë që janë duke bërë ose duke kërkuar ndihmë.

3. Shprehjen e ideve dhe përvojave: Fëmijët mund të tregojnë historitë që kanë krijuar me plastelinë, duke përdorur krijimet e tyre si mjet për të shprehur mendime, ndjenja dhe ide.

4. Zhvillimin e aftësive të të dëgjuarit dhe të kuptuarit: Ndërsa ata punojnë me plastelinën, fëmijët mund të dëgjojnë udhëzime ose tregime nga mësuesit ose prindërit që lidhen me aktivitetin.

5. Krijimin e mundësive për pyetje dhe përgjigje: Gjatë lojës, fëmijët mund të bëjnë pyetje për atë që janë duke krijuar dhe të kërkojnë informacione shtesë për materialin që përdorin.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2025. All Rights Reserved.