Me ardhjen e vjeshtës, shumë prindër fillojnë të vërejnë se fëmijët e tyre sëmuren më shpesh me ftohje dhe grip.

Temperaturat bien, ditët shkurtohen dhe ambientet e mbyllura bëhen pika e takimit të përditshëm. Për të kuptuar më mirë pse ndodh kjo dhe si duhet të reagojmë, Bebja.com intervistoi mjeken pediatre Aulona Shtembari Metaj.

Ajo na shpjegoi me qetësi dhe qartësi shkaqet kryesore të kësaj rritjeje të sëmundjeve, mënyrën e duhur të trajtimit dhe këshillat më të rëndësishme që duhet t’i mbajnë mend prindërit.

Pse shtohen ftohjet dhe gripi gjatë vjeshtës?

“Është normale që në vjeshtë ftohjet dhe gripi të rriten,” thotë mjekja. “Njerëzit qëndrojnë më shumë brenda, në ambiente të mbyllura dhe plot me njerëz. Plus, ajri i ftohtë dhe i thatë dobëson mbrojtjen natyrale të rrugëve të frymëmarrjes.”

Cilat janë shkaqet kryesore?

“Së pari, qëndrimi në ambiente të mbyllura. Sa herë që temperaturat bien, ne mblidhemi brenda – në shtëpi, në kopshte, në shkolla. Kjo e bën shumë të lehtë që viruset të kalojnë nga njëri te tjetri.

Pastaj vjen ajri i ftohtë dhe i thatë. Ai than mukozat e hundës dhe ngushton rrugët e frymëmarrjes, kështu që trupi mbrohet më dobët kundër baktereve dhe viruseve.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është mungesa e vitaminës D. Me më pak diell në vjeshtë, trupi prodhon më pak vitaminë D, dhe ajo është shumë e rëndësishme për sistemin imunitar.

Dhe mos harrojmë që ka mbi 100 nëntipe virusi të ftohjes që qarkullojnë më lehtë në këtë periudhë.”

Si i trajtojmë ftohjet te fëmijët?

“Fillojmë me gjëra të thjeshta: pastrim i hundëve dhe, nëse është e nevojshme, mjekim i kollës. Por ilaçet e kollës i japim me kujdes, vetëm nga 3 vjeç e lart. Nëse shfaqen komplikacione bakteriale, atëherë përdorim antibiotikë – por vetëm kur është e nevojshme.”

Çfarë mesazhi u jepni prindërve?

“Kur fëmija sëmuret, ruani qetësinë. Fokusohuni te hidratimi dhe mos jepni mjekime, sidomos antibiotikë, pa këshillën e mjekut. Mbajeni higjienën: lani duart shpesh dhe ajrosni ambientin. Dhe ju lutem, mos i çoni fëmijët në çerdhe, kopsht apo shkollë për të paktën 24 orë pasi u kanë ikur simptomat. Kështu mbrojmë edhe fëmijën, edhe të tjerët.”

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2026. All Rights Reserved.