Kanceri i zorrës së trashë është sëmundje malinje që shkaktohet nga rritja e indit tumoral në mukozën e zorrës.
Është sëmundje jetë kërcënuese, por nëse kapet në stadet e hershme është plotësisht i kurueshëm.
Prek të dy sekset, si burrat dhe gratë.
Sëmundjet inflamatore te zorrës kryesisht koliti ulceroz dhe sëmundja Chron janë patologji që mund të zhvillojnë një kancer gjatë dekursit të tyre, ndaj mjekimi korrekt i tyre dhe bërja e kolonoskopive sipas protokolleve do të zbulonte një malinjizim të mundshëm në stade të hershme.
Gjithashtu në shkaktimin e sëmundjes ndikon konsumimi në sasi të shtuar i mishit të kuq, abuzimi me alkoolin dhe mbipesha!
Shmangia e faktorëve të sipërpërmendur ul rrezikun për të zhvilluar këtë sëmundje!
Mjeku gastrohepatolog dyshon për këtë sëmundje sa herë që një pacient ankohet për çrregullime të jashtëqitjes, dhimbje barku, ka anemi, humbje oreksi dhe rënie në peshë si dhe në pacientët që kanë hemorragji, qoftë kjo në formën e gjakut te freskët përzier me fece ose të gjakut më të mpiksur.
Shenjat klinike varen nga lokalizimi i tumorit në zorrë.
Sëmundja kalon në katër stade, nga stadi i pare që është stadi i hershëm deri në stadin e katërt ku sëmundja përveç zorrës ka prekur dhe organet në distancë.
Për diagnostikimin e kësaj sëmundje ekzaminimi gold standard është kolonoskopia, ekzaminimi nga brenda i zorrës pasi të jetë pastruar nga një tubi fleksibël që ka një mikrokamër në majë dhe dritë,
Nëpërmjet këtij ekzaminimi bëhet e mundur marrja e biopsisë e cila konfirmon diagnozën.
Ekzaminime të tjera ndihmëse, është skaneri dhe rezonanca magnetike.
Këto të fundit për të vlerësuar përhapjen në distancë të sëmundjes.
Gjithashtu një analizë që na orienton drejt kolonoskopisë është fece për gjak okult ( të fshehtë).
Trajtimi i sëmundjes bëhet në varësi të stadit.
Trajtim endoskopik, kirurgjikal,kimioterapia ose imunoterapia dhe radioterapia.
Duke qenë se vitet e fundit është vërejtur një trend në rritje i sëmundjes, madje dhe në mosha të reja, ka shumë rëndësi shmangia sa të jetë e mundur e faktorëve të rrezikut që përmenda në fillim, përfshirë këtu një ushqyerje të shëndetshme, sa më pak mish të kuq, konsumimi i perimeve e frutave të freskëta, lënia e alkoolit dhe duhanit, aktiviteti fizik për të shmangur mbipeshën dhe bërja e kolonoskopive sipas protokolleve, në mënyrë që sëmundja të kapet në stade të hershme, atëherë kur dhe mundësitë terapeutike janë më të mira.
DR.shk.Edlira Elezaj
Gastrohepatologe
Endoskopiste
Cel: 067 20 69 951
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.