Gjatë verës pishinat dhe plazhet mbipopullohen dhe kanë një rol të madh në përhapjen e infeksioneve. Duke qenë se janë të tipit ngjitëse, përhapen lehtësisht nga një individ te tjetri. Si burim infeksionesh shërbejnë ujërat e plazheve dhe pishinave, ndaj duhet bërë shumë kujdes.

Kështu shpjegon Xheni Naçollari mjeke specializante e sëmundjeve infektive.

Në një intervistë për Bebja.com Dr. Xheni Naçollari tregon se te fëmijët gjatë stinës së verës haset shpesh impetigo si infeksion bakterial. Infeksion bakterial haset zakonisht me lezione të kuqe rreth hundës dhe gojës shpesh të mbushura me pus. Infeksionet mykotike mund të shfaqen me lezione të bardha ose kafe, të ngritura mbi lëkurë, me ndjesinë e irritimeve, skuqjeve, djegie dhe kruarje, zakonisht në zonën e qafës, shpinës apo barkut.

Vlen të përmendet gjatë stinës së verës edhe pickimet nga insektet sidomos mushkonjat që shkaktojnë në disa pacientë ndonjëherë edhe kruarje, ënjtje dhe skuqje .

Intervista e plotë:

1. Cilët janë infeksionet më të shpeshta të lëkurës gjatë periudhës së verës?

Lëkura është një organ i cili është drejtpërdrejt i ekspozuar me ambientin e jashtëm. Si e tillë gjatë gjithë vitit mund të hasë sëmundje të tipit infektive, por gjatë stinës së verës, këto infeksione favorizohen nga temperaturat e larta dhe djersitja e tepërt e cila krijon dhe mjedisin e lagështuar të përshtatshëm për rritjen e disa infeksioneve.

Infeksionet e lëkurës, mund të jenë bakteriale, virale apo mykotike.

Infeksionet më të shpeshta të lëkurës gjatë verës janë infeksionet bakteriale. Baktere si stafilokoku dhe streptokoku janë pjesë e florës normale të lëkurës sonë, por mbipopullimi me to prish barrierën normale të lëkurës dhe çon në zhvillimin e këtyre infeksioneve.

Te fëmijët gjatë stinës së verës haset shpesh impetigo si infeksion bakterial. Gjithsesi këto infeksione bakteriale mund të shfaqen në çdo moshë.

Gjithashtu edhe infeksionet mykotike janë të shpeshta në stinën e verës, ato favorizohen nga temperaturat e larta dhe djersitja e tepërt e cila krijon mjedisin e përshtatshëm në lëkurë për krijimin e infeksionit si dhe përhapjen e tij në pjesë të ndryshme të trupit.

Në infeksionet virale mund të përmend fruthin, varicelën të shpeshta te fëmijët si dhe herpes si një riaktivizim i varicelës.

2. Ndikimi i pishinave dhe plazhit?

Gjatë verës pishinat dhe plazhet mbipopullohen dhe kanë një rol të madh në përhapjen e këtyre infeksioneve. Duke qenë se janë të tipit ngjitëse, përhapen lehtësisht nga një individ te tjetri. Si burim infeksionesh shërbejnë ujërat e plazheve dhe pishinave, ndaj duhet bërë shumë kujdes. Sidomos në pishina ku ka mungesë të higjienës dhe uji i papastruar shërben si vend akumulimi I këtyre infeksioneve.

Rekomandoj të përdoren dushe të pastra pas frekuentimit të plazheve ose pishinave në mënyrë që të ulet risku i infektimit me këto baktere apo viruse. Përdorimi I sendeve të përbashkëta si peshqirët favorizon po ashtu përhapjen e këtyre infeksioneve.

3. Cilat janë simptomat e infeksionet të lëkurës?

Simptomat më të shpeshta të infeksioneve të lëkurës janë skuqjet, ënjtjet, kruarjet. Gjithashtu shihen lezionet në lëkurë që na ndihmojnë për të vendosur një diagnozë se çfarë lloj infeksioni është. Gjithsesi simptomat mund të ndryshojnë nga një infeksion në tjetrin.

Psh impetigo si një infeksion bakterial haset zakonisht me lezione të kuqe rreth hundës dhe gojës shpesh të mbushura me pus. Infeksionet mykotike mund të shfaqen me lezione të bardha ose kafe , të ngritura mbi lëkurë, me ndjesinë e irritimeve, skuqjeve, djegie dhe kruarje, zakonisht në zonën e qafës, shpinës apo barkut.

Vlen të përmendet gjatë stinës së verës edhe pickimet nga insektet sidomos mushkonjat që shkaktojnë në disa pacientë ndonjëherë edhe kruarje, ënjtje dhe skuqje.

Folikulitet të cilat janë infeksione të qimeve mund të bëhen edhe më të shpeshta gjatë verës. Janë infeksione bakteriale të cilat gjithashtu favorizohen nga djersitja dhe rrobat e ngushta.

4. Si mund të shmanget? Të lutemi disa këshilla praktike për lexuesit?

Qëndroni të hidratuar dhe ushqehuni me fruta e perime të freskëta gjatë stinës së verës. Të gjitha këto infeksione favorizohen nga rënia e sistemit imunitar. Kështu që edhe në rast infektimesh, këto sëmundje kalojnë më lehtë në individë me një sistem imunitar të fortë.

Limitoni kohën e ekspozimit në diell sidomos në orët e drekës. Kështu mbroni lëkurën jo vetëm nga infeksionet që favorizohen nga djersitja në temperatura të larta por evitoni edhe djegiet e lëkurës. Përdorni kremin e diellit, kapelet dhe syzet.

Qëndroni në ambjente të freskëta dhe bëni dushe të herëpashershme gjatë ditës për të larguar djersitjen e tepërt.

Vishni rroba të lehta, të freskëta, të pambukta dhe jo rroba të ngushta.
Kujdes me plazhet publike dhe pishina. Përdorni vetëm sendet personale dhe mos shkëmbeni peshqirët ose rrobat me njerëz të tjerë.

Qëndroni larg ambjenteve të hapura ku ka shumë mushkonja. Në disa raste simptomat nga pickimi i mushkonjave bëhen aq të agravuara sa është i nevojshëm edhe përdorimi I antihistaminikëve apo edhe kortizonikëve. Enjtja mund të ulet me përdorimin e borseve me akull.

5. Kur duhet ti drejtohen mjekut?

E mira është të drejtoheni te mjeku kur të ndjeni simptomat si djegie, kruarje, skuqje, lezione të ndryshme në lëkurë. Përdorimi I kremrave me antibiotikë apo kortizonikë bëhet vetëm nëse ato janë dhënë nga mjeku. Shpeshherë pacientët drejtohen direkt te farmacisti duke marrë pomadat që nuk janë të duhurat për diagnozën e tyre. Ndaj mjeku është ai që vendos një diagnozë se c lloj infeksioni është dhe më pas jepet trajtimi prej tij.

6- Të lutemi mund të na tregosh shkurtimisht një rast me infeksion lëkure që keni trajtuar së fundmi? Dhe një mesazh për lexuesit?

Një infeksion lëkure së fundmi ka qenë një infeksion mykotik, I shfaqur pas një familjari me po të njëjtat simptoma. Janë infeksione të cilat trajtohen, por duhet patur kujdes me mospërdorimin e sendeve të përbashkëta sidomos kur kemi familjarët që po kalojnë një infeksion. Trajtimi në infeksionet mykotike të lëkurës bëhet me barnat antimykotike dhe antibiotikët nuk kanë përse të përdoren në këto raste.

Të bëhet kujdes me higjienën dhe me përzgjedhjen e pishinave dhe plazheve meqë tashmë jemi në stinën e verës. Këto infeksione të lëkurës mund të parandalohen duke mos përdorur në mënyrë kolektive sendet personale në plazhe sepse ato bëhen burim infeksioni duke kaluar nga një individ te tjetri.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.