Në fakt tema që doja të trajtoja për Bebja.com është pikërisht mosha e duhur për të filluar muzikën, pasi shumicat e prindërve insistojnë t’i fusin shumë herët fëmijët nëpër kurse muzike.
Muzika, si etapë e domosdoshme e cila na shoqëron gjithë jetën ka patjetër benefite të rëndësishme në formimin e fëmijës.
Të gjithë kemi lexuar tekste pa fund që në shtatzëni, sesi t’i vesh fëmijës “Mozartin” apo “Vivaldin” kur fle, sepse i bën mirë për këtë, apo atë. Por të themi të vërtetën, sa nga ne e kanë realisht kohën, apo fuqinë fizike për të shfrytëzuar edhe ato pak minuta kur bebja fle, për të bërë diçka që e kanë lexuar në internet se bën mire…?! Po flasim për prakticitet. Këtu dua të fokusohem.
Shumica e prindërve, muzikën nuk e zgjedhin si profesion për fëmijët e tyre, pavarësisht ka apo jo të dhëna fëmija. Maksimumi që mund të arrijnë është ndonjë kurs këtu apo aty… Përpos faktit që unë jam muzikante profesioniste, në kohët që jetojmë deri diku jam dakord me këta prindër.
Por, muzika është një forcë e jashtëzakonshme, përveçse është shumë joshëse. Nëse një fëmijë futet në kurse muzike që në vitet e para të fillores (pasi para kësaj nuk duhet konsideruar).
Aty ndodh një tërheqje aq e madhe, e cila mund të pasqyrohet me pendim nga ana e fëmijës në vitet e mëvonshme. “Oh, edhe unë kam qenë për violine/piano/kitare”, “sikur ta kisha vazhduar, sot do të kisha pushtuar skenat e botes” – janë ideale të krijuar shpesh nga njerëz të cilët në fëmijërinë e tyre kanë studiuar instrument/muzike dhe i ‘u ka mbetur një peng i paharruar.
Me muzikën mund të dashurohesh dhe shumë lehtë biles. Kështu që prindër të dashur, nëse nuk dëshironi të keni një muzikant në të ardhmen mos i fusni fëmijët në kurse muzike të panevojshme përpara se ata të bëjnë të paktën 10 vjeç, të kenë një fizik të zhvilluar për të suportuar instrumentin e madh që do t’iu duhet të mbajnë në duar dhe të jenë në gjendje të vendosin vetë nëse muzikën e duan për hobi, apo për profesion.
Ky shkrim përjashton studimin e muzikës si profesion. Vetëm kurset e muzikës si formim i përgjithshëm.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.