“Kolesteroli i lartë – i njohur gjithashtu si hiperlipidemia – është një gjendje e zakonshme ku trupi ka nivel të lartë të yndyrave në gjak. Këto yndyrna përfshijnë lipoproteinën me densitet të ulët (LDL) kolesterolin dhe trigliceridet.”

Kështu shpjegon mjekia kardiologe Eva Duraku.

Në një intervistë për Bebja.com Eva Duraku tregon se ekzistojnë lloje të ndryshme të kolesterolit, bazuar në atë që mbart lipoproteina.

Ata janë:

Lipoproteina me densitet të ulët (LDL). LDL, kolesteroli “i keq”, transporton grimcat e kolesterolit në të gjithë trupin tuaj.

Kolesteroli LDL grumbullohet në muret e arterieve, duke i bërë ato rigide dhe të ngushta.

Lipoproteina me densitet të lartë (HDL). HDL, kolesteroli “i mirë”, mbledh kolesterolin e tepërt dhe e kthen atë në mëlçi. Lipidograma gjithashtu mat zakonisht trigliceridet, një lloj yndyre në gjak e cila gjithashtu, nëse ekziston në nivele të larta, mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Disa sëmundje që mund të shkaktojnë nivele të pashëndetshme të kolesterolit përfshijnë:

1- Sëmundja kronike e veshkave

2- Diabeti

3- HIV/AIDS

4- Hipotiroidizmi

5- Lupus

E pyetur rreth faktorëve që mund të rrisin rrezikun e niveleve të kolesterolit jo të shëndetshëm, Eva Duraku përgjigjet se këtu përfshihet:

  1. Dieta e varfër. Ngrënia e shumë yndyrave të ngopura ose yndyrave trans mund të rezultojë në nivele jo të shëndetshme të kolesterolit. Yndyrnat e ngopura gjenden në pjesët yndyrore të mishit dhe në produktet e qumështit me yndyrë të plotë. Yndyrnat trans gjenden shpesh në ushqime të paketuara ose ëmbëlsira.

2. Obeziteti. Të kesh një indeks të masës trupore (BMI) prej 30 ose më shumë, ju vë në rrezik të kolesterolit të lartë.

3. Mungesa e ushtrimeve. Ushtrimi ndihmon në rritjen e HDL të trupit tuaj, kolesterolin “të mirë”.

4. Pirja e duhanit. Pirja e duhanit mund të ulë nivelin tuaj të HDL, kolesterolit “të mirë”.

5. Alkooli. Pirja e tepërt e alkoolit mund të rrisë nivelin tuaj total të kolesterolit.

6. Mosha. Edhe fëmijët e vegjël mund të kenë kolesterol të pashëndetshëm, por është shumë më i zakonshëm te njerëzit mbi 40 vjeç. Me kalimin e moshës, mëlçia juaj bëhet më pak e aftë të heqë kolesterolin LDL.

Mjekja kardiologe sqaron se kolesteroli i lartë nuk jep simptoma ndaj mund të zbulohet vetëm nëpërmjet analizave.

Pyetjes se cilat janë komplikacionet, Eva Duraku përgjigjet se kolesteroli i lartë mund të shkaktojë një akumulim të rrezikshëm të kolesterolit dhe depozitave të tjera në muret e arterieve tuaja (aterosklerozë). Këto depozita (pllaka) mund të zvogëlojnë rrjedhën e gjakut nëpër arterie, gjë që mund të shkaktojë komplikime, të tilla si:

Dhimbje gjoksi. Nëse preken arteriet që furnizojnë zemrën me gjak (arteriet koronare), mund të keni dhimbje gjoksi (anginë) dhe simptoma të tjera të sëmundjes së arterieve koronare.

Atak në zemër. Nëse pllakat çahen ose këputen, mund të formohet një mpiksje gjaku në vendin e këputjes së pllakës – duke bllokuar rrjedhën e gjakut dhe duke mbyllur një arterie në rrjedhën e poshtme. Nëse rrjedhja e gjakut në një pjesë të zemrës ndalon, si pasoje ndodh infarkti I miokardit.
Goditja në tru.

Ngjashëm me një atak në zemër, një goditje ndodh kur një mpiksje gjaku bllokon rrjedhjen e gjakut në një pjesë të trurit.

Lidhur me diagnozën për kolesterolin mjekja tregon se një test gjaku për të kontrolluar nivelet e kolesterolit – i quajtur lipidograme ose profil lipidik zakonisht raporton:

Kolesterolin total
Kolesterolin LDL
Kolesterolin HDL
Trigliceridet

Terapia bazohet në marrjen e një ose më shumë medikamenteve, duke filluar nga statinat, të cilat janë gjerësisht më të përdorura, e deri te medikamentet e fundit, inovatore siç është Inclisiran, një medikament që injektohet një herë në gjashtë muaj. Nivelet e larta të kolesterolit mund të parandalohen duke preferuar një dietë të pasur me perime dhe fruta, të varfër në yndyrna shtazore dhe kripë. Dieta me e rekomanduar është ajo mesdhetare.

Në fund të kësaj interviste Eva Duraku dëshiron të përcjellë një mesazh për lexuesit si më poshtë:

“Në kontekstin e hiperkolesterolemise dhe të komplikacioneve që mund të shkaktojë, merr vlerë thënia që parandalimi është më i mirë se kura. Për këtë arsye, mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi politika shëndetësore konkrete të parandalimit të faktorëve të rrezikut kardiovaskular dhe këto të mund të mësohen që në fëmijëri.”

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.