Aborti është humbja spontane, (jo e provokuar) e shtatzënisë para javës së njëzetë, dhe humbje e fetusit me peshë më të vogël se 500 gramë. Kështu shpjegon mamia Artjola Muçogllava.

Artjola Muçogllava tregon se “rreth 10-20% e shtatzënive të identifikuara përfundojnë në abort spontan, por numri i humbjeve spontane është me i madh, pasi pjesa më e madhe e shtatzënive përfundojnë përpara se vetë gruaja ta dijë që është shtatzënë.

Shumica e aborteve, ndodhin pasi fetusi nuk është i zhvilluar normalisht, dhe shpesh herë është e vështirë të përcaktohet apo të gjendet shkaktari i vërtet.”

Në një intervistë për Bebja.com, mamia Artjola Muçogllava tregon shkaqet më të shpeshta të aborteve spontane, të cilat i rendit si më poshtë:

-Anomali kromozomike, gjenetike. Shumica e aborteve ndodhin pasi fetusi nuk është zhvilluar normalisht, si rezultat i gabimeve kromozomike rastësore, dhe jo si pasojë e problemeve të trashëguara.

Të tilla raste mund të jenë:

Vezëza qorre “Blighted ovum”: kur embrioni nuk arrin të formohet.

Ndalim i zhvillimit të embrionit brenda mitrës: në këtë rast embrioni është i pranishëm por ndalohet zhvillimi i tij, ose pushojnë rrahjet e zemrës.

– Shtatzënia molare.

Shkaqet amtare përfshijnë:

• keqformimet e lindura të mitrës (rreth 1-5%),

• pamjaftueshmëria e kanalit cervikal të qafës së mitrës (rreth 0,05-1%),

• çrregullimet hormonale (insuficienca e trupit të verdhë),

• infeksionet febrile të nënës (rreth 15-20%),

• shkaqet psikike si dhe ata imunologjike.

Abortet spontane ndahen në aborte biokimike dhe klinike.

 Abort biokimik quhet dështimi i cili nuk mund të vihet në dukje klinikisht (me vizitë gjinekologjike ose ultrasonografike). Ecuria e kësaj shtatzënie është shumë e shkurtër, ndiqet vetëm me nivelin e β-hCG-së në gjak.

 Abort klinike ndahen në të hershme dhe të vonshme. Abort i hershëm spontan përkufizohet si ndërprerje e shtatzënisë pa dëshirë para javës së 16-të, ndërsa abort i vonshëm spontan quhet ndërprerja e shtatzënisë pas javës së 16-të.

Por cilat janë shenjat e abortit spontan dhe si mund të kuptohet?

Lidhur me këtë pyetje Artjola Muçogllava thotë se shenja më e hershme e abortit spontan është gjakderdhja nga vagina me intensitet të ndryshëm. Fillimisht mund të shfaqen si sekrecione vaginale, në ngjyrë të errët deri në ngjyrë të kuqe.

Gjakderdhjet, zakonisht shoqërohen me dhimbje ose krampe në fund të barkut dhe fund shpinës, ndërsa në abortin spontan të vonshëm, edhe me rrjedhje të lëngut amniotik. Jo çdo gjakderdhje nga vagina është edhe shenjë e abortit spontan, sidomos nëse këto gjakderdhje janë të pakta, dhe shfaqën në fillim të shtatzënisë. Këto gjakderdhje të pakta mund të shfaqën gjatë procesit të implantimit, të njohura si gjakderdhje të implantimit.

Për shkak të komplikimeve të mundshme të gjakderdhjeve, çdo gjakderdhje nga vagina duhet të merret seriozisht, dhe çdo herë kjo merret si shenjë kërcënuese. Nëse gjakderdhjet shoqërohen edhe me dhimbje dhe hapje të kanalit cervikal, atëherë flitet për abort të filluar.

Në të gjitha këto raste, mjekimi mbështetet në mënyrë konservative, para se gjithash pushim absolut, dhe dhënien e terapisë së përshkruar nga mjeku.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.