Diabeti po shndërrohet në një sëmundje incidenca e të cilës rritet çdo ditë tashmë jo vetëm në grupmoshat e rritura por edhe tek ajo pediatrike kryesisht duke nisur që nga mosha 3 vjeçare e deri në moshat 11, 13 kur arrin pikun e statistikave; e cila përkon edhe me kulmin e simptomave evidentuese të sëmundjes.

Kështu shpjegon mjekja pediatre Melisa Qosja.

Në një intervistë për Bebja.com pediatrja thotë se “shenjat janë të dallueshme, por ato duhet të evidentohen paralelisht me një prind të vëmendshëm në mbarëvajtjen e fëmijës së tij. Shenja tipike që nis e para është urinimi natën të paktën tek grup moshat që kanë ndërprerë urinimin në shtrat. Pasuar me etje të shpeshtë, uri të pakontrolluar, dëshirë për ushqim dhe rënie nga pesha, dhimbje barku, dhimbje koke ose probleme me sjelljen, ndryshime humori dhe nervozizëm.”

Intervista e plotë:

  1. Çfarë e shkakton diabetin tek fëmijët? A është i trashëguar?

Diabeti po shndërrohet në një sëmundje incidenca e të cilës rritet çdo ditë tashmë jo vetëm në grupmoshat e rritura por edhe tek ajo pediatrike kryesisht duke nisur që nga mosha 3 vjeçare e deri në moshat 11, 13 kur arrin pikun e statistikave; e cila përkon edhe me kulmin e simptomave evidentuese të sëmundjes.

Diabeti ka përkatësisht dy nëntipe: Tipi 1 dhe tipi 2; ajo që prek më tepër grupmoshën pediatrike është ai i tipit 1 si një përgjigje autoimune e trupit në të cilën mungon sekretimi i insulinës dhe rrjedhimisht dhe veprimi i saj në organizëm. Kjo nënkupton, një gjendje në të cilën sistemi imunitar i trupit “sulmon” indet dhe organet e veta. Absolutisht, faktori i parë është ai gjenetik pasuar me kequshqyerjen e fëmijëve dhe mungesën e aktiviteteve fizike.

2.Cilat janë simptomat?

Normalisht shenjat janë të dallueshme, por ato duhet të evidentohen paralelisht me një prind të vëmendshëm në mbarëvajtjen e fëmijës së tij. Shenja tipike që nis e para është urinimi natën të paktën tek grup moshat që kanë ndërprerë urinimin në shtrat. Pasuar me etje të shpeshtë, uri të pakontrolluar, dëshirë për ushqim dhe rënie nga pesha, dhimbje barku, dhimbje koke ose probleme me sjelljen, ndryshime humori dhe nervozizëm.
Të gjitha këto në korrelim me njëra tjetrën të çojnë drejt një skenari ku fëmija humbet lëngje vazhdimisht dhe duhet patjetër të rikuperojë nivelet e insulinës në gjak.

3. Si trajtohet ?

Diabeti i tipit 1 trajtohet kryesisht me insulinë dhe matje të glukozës në gjak disa herë gjatë ditës dhe sidomos të Hba1c që është hemoglobina e glukozuar. Terapia me insulinë, përshtatet gjithmonë me moshën e fëmijës, peshën dhe luhatjet e matura në vazhdimësi. Por një pjesë shumë e rëndësishme dhe e pashmangshme e trajtimit është pikërisht dieta e duhur e diabetikëve dhe aktiviteti i rregullt fizik. Balancat në karbohidrate dhe yndyrna kanë rëndësinë më të madhe. Në këtë sfidë të madhe, pjesa më problematike, është që si prindi dhe fëmija duhet të pranojnë patjetër kufizimet e vogla në ushqim.

4. Ushqimet që duhet të konsumojnë fëmijët me diabet? Cilat janë ushqimet që e përkeqësojnë?

– Një dietë strikte të pasur me proteina, fibra dhe sa më e varfër në karbohidrate dhe yndyrna sidomos shtazore. Vaktet në sasi të vogla, evitimi kryesisht i bukës së bardhe, dhe konsumi sa më i shpeshte i frutave ( jo më shumë se tre në ditë në madhësinë 100-150 gram) dhe perimeve.
– Përdorimi më i rrallë i frutave të tipit banane, rrush, fik

– Tre vakte të plotë dhe dy mesvaktet duhen konsumuar patjetër

– Aktivitet fizik sa më i shumtë, të paktën në kohëzgjatjen e një ecje 45 minuta në natyrë

– Kontrolli i peshës në dinamikë; as ulje as ngritje drastike

Ushqimet që e përkeqësojnë janë ato te pasura me sheqer të përpunuar; kryesisht ëmbëlsirat dhe pijet e përgatitura.

5. Një fëmijë diabetik a mund të shkojë në plazh? Kujdesi që duhet treguar? A mund të pësojë rënie të sheqerit gjatë notit?

Patjetër që mund të shkojë por nën monitorim strikt të prindit; siç përmendëm pak më lartë aktiviteti fizik është më i rëndësishmi në oshilacionet e kësaj sëmundjeje! Por stina e vetes kërkon më shumë lëngje, sepse temperatura e lartë, bën që trupi të nxisë djersitjen dhe humbjen e natriumit. Nëse fëmijët qëndrojnë në det, në diell, pa kriter, mund të pësojnë atë që quhet goditje nga dielli. Shanset që të kemi një ulje të glicemisë në det janë më të mëdha sepse rritet konsumi i energjisë; kurrë nuk mund të lejohet të futet në det i vetëm sepse pasojat nisin nga skuqja, nervozizëm humbja e vetëdijes deri në koma. Fëmija duhet të ushqehet pak para se të lahet, pak pasi të dalë nga deti dhe të jetë vazhdimisht në kontrollin e sheqerit përmes aparatit. Patjetër edhe i pajisur me insulinat me vete të ruajtura në çanta termusi të duhura pasi në diell ato e humbasin funksionin.

6. Një fëmijë mbipeshë a ka më tepër premisa që të preket nga diabeti, se një fëmijë me peshë normale?

Mbipesha, potencohet se është një ndër shkaktarët kryesor pse fëmijët preken nga diabeti. Konsumimi në përgjithësi i kalorive të tepërta si me anë të pijeve energjike apo edhe i ushqimit të shpejtë, mund të sjell mbipeshë, apo obezitet. Kjo sjell problem në të ardhmen me shfaqjen e diabetit të tipit 2, i cili ende nuk është manifestuar në moshat fëmijërore dhe adoleshente në vendin tonë, por kjo paraqet rrezik në të ardhmen. Një gjë e tillë është duke ndodhur edhe në vendet tjera në Evropë e më gjerë.

7. Të lutemi disa këshilla praktike dhe rëndësia që kanë vizitat e shpeshta tek mjeku?

Kjo sëmundje mbi të gjitha do durim dhe vullnet në menaxhimin e saj për të mos shfaqur komplikacione gjatë vijimësisë së jetës. Tre këshillat e mia kryesore janë: mbikëqyrja e dietës, aktiviteti fizik i vazhdueshëm, larg ekraneve dhe veprimtarive sedentare dhe afër natyrës dhe lëvizjes. Shëndet i mirë psikologjik dhe mendor; të pranuarit e jetesës së bashku me sëmundjen e cila përbën vërtet një sfidë por jo të pamundur! Vizita të shpeshta tek mjeku pediatër i familjes dhe matje e vazhdueshme në dinamike e luhatjeve të glukozës.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.