Prof.Dr.Nina Kajo, Kardiologe
Sëmundjet e lindura të zemrës janë të shumta në numër. Për efekt përqendrimi të informacionit ne do të përmendim ato që hasen më shpesh, siç janë vrimat e lindura të zemrës si dhe ngushtimet e enëve kryesore të gjakut.
Disa prej tyre janë:
-Defekteti interatrial-vrimë ndarëse midis dy veshoreve.
-Defekti interventrikular-vrimë në ndarësen midis dy barkusheve.
-Kanalet Atrioventrikulare-vrimë në planin valvulor.
-Ngushtimet e arterieve kryesore të zemrës si:
A. Stenoza e Aortës.
B. Stenoza e arteries së mushkërive
-Koarktacioni i Aortës-ngushtimi i theksuar i Aortës jashtë zemrës.
-Tetrada Fallot, një vrimë e madhe midis barkusheve dhe një ngushtim i rëndësishëm i enës që çon gjakun në mushkëri.
-Në sëmundjet e lindura të zemrës klasifikohen edhe sëmundje të tjera që janë mjaft të komplikuara, më të rralla, të cilat në shumicën e rasteve nuk arrijnë të zgjidhen në mënyrë përfundimtare.
Ankesat
Fëmijët që kanë vrima në zemër, zakonisht nuk shprehin ndonjë shqetësim, dhe diagnostikimi i tyre mund të bëhet krejt rastësisht.
Për këtë arsye është e domosdoshme që çdo fëmijë të kryejë një TTE (Eko të Zemrës) pas lindjes për të përjashtuar një sëmundje të lindur të zemrës.
Disa nga këto sëmundje, si vrimat në veshore, nuk japin as zhurmë kur zemra dëgjohet me stetoskop. Për këtë arsye TTE (Eko e Zemrës) është vendimtare.
Në rastet me Tetradë Fallot, fëmija përveçse ka zhurmë të shprehur në zemër kur dëgjohet me stetoskop, mund të ketë edhe:
1. Nxirje të buzëve.
2. Nxirje të gishtave dhe thonjtë si “xham sahati”.
3. Marrje fryme.
4. Lodhje.
5. Qëndrim në një pozicion të caktuar-“galiç”.
6. Ndryshim në analizën e gjakut.
Diagnoza
TTE
Ekokardiografia Trans-Torakale Triplex (2D, Color, Droppler) ose e njohur ndryshe si eko e zemrës, është e domosdoshme për të parë funksionimin e zemrës dhe lëvizshmërinë e mureve të saj.
Pamje të kapura me TTE:
Me anë të TTE vëzhgohen shumë mirë vrimat në zemër, duke përfshirë:
A. Pozicionin e tyre.
B. Madhësinë.
C. Ndikimin në madhësinë dhe funksionimin e zemrës.
Me anë të TTE mund të vëzhgohen dhe vlerësohen:
1. Valvulat e zemrës.
2. Enët e gjakut që dalin nga zemra.
3. Enët e gjakut që hyjnë në zemër.
Nga rezultati i TTE varet edhe trajtimi i mëtejshëm i fëmijës. E rëndësishme është se sa më shpjet të diagnostikohet një sëmundje e lindur e zemrës aq më efikas është trajtimi.
Trajtimi:
Trajtim me medikamente.
Trajtimi varet gjithmonë nga diagnoza. Ai mund të jetë:
1.TTE periodike
2.Trajtim me medikamente.
3. Ndërhyrje kirurgjikale, e cila konsiston në:
A. Qepjen e vrimës.
B. Mbylljen e saj me arnë (copë nga cipa e zemrës së vetë fëmijës).
C. Zgjerimin e ngushticave.
D. Në disa raste, vendosjen e valvulave artificiale.
Në rastet kur diagnoza vendoset me vonesë, fëmija mund të bëhet i paoperueshëm. Kjo mund të ndodhë për shkak të rritjes së presioneve të gjakut në anën e djathtë të zemrës dhe në mushkëri.
Në rast se nuk operohet në kohën e duhur, gjendja vjen duke u përkeqësuar, pavarësisht trajtimit me medikamente.
Në disa raste mund të përballemi me sëmundje të lindura edhe tek të rriturit. Këta mund të jenë pacientë të diagnostikuar vonë dhe që nuk kanë pasur probleme serioze ose i kanë neglizhuar ato. Në këto raste mund të vazhdojë ecuria natyrale e sëmundjes, ose mund të ndërhyhet me rrugë kirurgjikale, gjithmonë nëse vlerësohet e mundur.
Parandalimi
Parandalimi ka gjithmonë lidhje me mjekun Obstetër Gjinekolog, si dhe Mjekun Kardiopediatër që kryen eko të zemrës së fetusit (Eko Kardiake intrauterine, para lindjes së fëmijës).
Ka të bëjë gjithashtu me ndërgjegjësimin e gruas shtatzënë për të mbajtur një regjim të caktuar para dhe gjatë shtatzënisë si dhe kryerjen e një sërë analizave dhe ekzaminimeve gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë.