Stomatologia Marinela Ziu shpjegon se dalja e dhëmbëve te fëmijët, fillon rreth muajit të gjashtë të jetës, dhe ky proces, zgjat deri në përfundimin e daljes së të gjithë dhëmbëve të qumështit, 2.5-3 vite.

Doktoresha në një intervistë për Bebja.com tha se vizita e parë e fëmijës tek dentisti duhet të jetë rreth 6 muaj pasi i del dhembi i parë.

Intervista e plotë:

1.Kur fillojnë të mbijnë dhëmbët e parë tek fëmijët? Sa kohë zgjat ky proces?

Dalja e dhëmbëve te fëmijët fillon rreth muajit të gjashtë të jetës, por variacionet ±2 muaj janë normale, dhe nuk ka arsye se pse të shqetësohemi. Ky proces deri në përfundimin e daljes së të gjithë dhëmbëve të qumështit zgjat normalisht 2.5-3 vite.

2.Disa këshilla për prindërit e rinj, si duhet të përgatisin fëmijën për vizitën e parë tek dentisti?

Vizita e parë e fëmijës te dentisti duhet të jetë rreth 6 muaj pasi i del dhembi i parë. Kjo vizite, është e rëndësishme, jo vetëm për monitorimin e daljes së dhëmbëve të bebes, por ka mjaft vlerë edhe për prindin pasi ai duhet të informohet saktë nga një specialist për mënyrën se si duhet të tregojë kujdesin e duhur ndaj dhëmbëve të fëmijës.

Roli i prindit në qasjen e fëmijës me mjekun stomatolog është thelbësor. Herët e para, fëmija çohet në një klinikë dentare vetëm për t’u njohur me ambientin, instrumentet dhe të miqësohet me mjekun.

Gjatë kësaj periudhe ‘’prove’’, prindi është e këshillueshme që ti shpjegojë fëmijës rolin e dentistit. Për ta bërë më interesante mund ta zhvillojë në formën e një loje apo ti tregojë video edukuese në lidhje me këtë teme, ose më mirë akoma, të vendoset vet në rolin e pacientit dhe të demonstroj, një procedurë paqësore, pa dhimbje dhe frikë.

Ai nuk duhet ta trembë, apo stresoj fëmijën. Gjithashtu, të mundohet të sigurojë orarin me mjekun në momente të ditës kur fëmija është në humor të mirë.

3.Mbirja e dhëmbëve tek fëmijët, shoqërohet me temperaturë, të qara, dhimbje, i kruhen mishrat, mungesë oreksi dhe rënie nga pesha. Prindërit, pyesin shpesh herë se si mund ta ndihmojnë fëmijën e tyre?

Çdo fëmijë, reagon ndryshe gjatë daljes së dhëmbëve pasi çdo organizëm reagon në mënyrën e vet për një situatë të caktuar.

Ju mund ta bëni fëmijën tuaj të ndihet pak më rehat duke i lehtësuar simptomat lokale (në vendin ku po dalin dhëmbët) me kompresa të ftohta në atë zonë prsh ti jepni të konsumoj ushqime të ftohta si kosi, akullorja apo dhe ndonjë frutë të vënë paraprakisht në frigorifer. Një alternativë e mirë është edhe çuçi i ftohtë nqs fëmija juaj e përdor apo dhe lodrat e silikonit.

4. Nëse ka karies në dhëmbët e fëmijëve, si veproni?

Absolutisht që duhet ti mbushim. Nëse gojën e një fëmije e lëmë një dhemb të kariuar, me idenë që janë dhembë të përkohshëm, dhe do të ndërrohet më vonë, bëjmë një gabim shumë të madh me pasoja shumë të rënda, për të ardhmen e dhëmbëve dhe nofullave të fëmijës.

5. Në qoftë se një fëmijë rrëzohet por nuk i thyhen dhëmbët, por fillon ti lëvizë dhëmbi I përhershëm jo i përkohshëm, a ka shanse që të bjerë apo mund të zërë vend sërish?

Ecuria e një dhëmbit të traumatizuar varet kryesisht nga intensiteti, lloji i traumës dhe nga vetia rigjeneruese e organizmit. Pasi, vlerësohet gjendja e dhëmbit nga mjeku, ai kryen disa procedura ndihmëse për eliminimin e ritraumatizimit të dhëmbit, gjatë kohës së shërimit. Dhëmbi mbahet në vëzhgim çdo muaj për 6 muajt e parë dhe më pas çdo vit të paktën deri 5 vite pas traumës.

6. Sa herë në vit prindërit duhet të sjellin fëmijën tek dentisti?

Nëse, dhëmbët e fëmijës tuaj janë të shëndetshëm, dhe nuk kanë risk të lartë, për karies atëherë, kontrolli te mjeku stomatolog është I këshillueshëm dy herë në vit, për të mbajtur një shëndet optimal të kavitetit oral.

Nëse, risku për karies është i lartë dhe dieta ushqimore, nuk është ajo e duhura atëherë këto vizita duhet të jenë më të shpeshta.

7. Kur dhe si mund ta mësojnë prindërit fëmijën të lajë vetë dhëmbët? Çfarë furçe dhe paste rekomandoni?

Prindi, duhet të fillojë të përdori furçë te dhembet e fëmijës që në momentin që del dhembi i parë, dhe duhet ta kryej ai atë procedure deri sa fëmija të jetë i aftë të kuptoj dhe imitoj lëvizjen e prindit. Mosha minimale që fëmija fillon të lajë dhëmbët vet është 3-4 vjeç, por sigurisht, që dhe në këtë moshë ai duhet ti lajë dhëmbët në mbikëqyrjen e prindit, duke e instruktuar. Kjo është një fazë shumë e rëndësishme që fëmijës ti bëhet zakon larja e dhëmbëve.

Deri në moshën 2 vjeçare pasta e fëmijës rekomandohet të jetë pa fluor. Sasia e mjaftueshme, e pastës për larjen e dhëmbëve te fëmijët është sa një kokërr orizi, ajo që ka më shumë rëndësi është veprimi mekanik që ata kryejnë.

Persa i përket furçës, zgjidheni atë me qime të buta, kokë të vogël, dhe sa më të lehtë në peshë, që fëmija mos të ketë vështirësi në përdorim. Dezinj i furçave me karakteret e tyre të preferuar të filmave janë një mënyrë shumë e mirë për ti bërë ato më atraktive dhe interesante për fëmijët.

Bebja.com

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.