Sipas një studimi fëmijët që luajnë me baballarët që në një moshë të hershme e kanë më të lehtë të kontrollojnë sjelljen dhe emocionet e tyre, çka ndikon pozitivisht gjatë rritjes dhe në kohën që fillojnë shkollën.
Studimi u realizua nga Universiteti i Cambridge duke studiuar ndikimin që ka koha që nënat dhe baballarët kalojnë duke luajtur me fëmijët e grupmoshës 0 deri në 3 vjeç, në zhvillimin e fëmijës.
Baballarët kanë tendencën të përfshihen në më shumë lojra fizike duke i gudulisur, ndjekur nga pas apo duke i mbajtur fëmijët krahqafë. Kjo sipas studiuesve duket se ndihmon fëmijët të mësojnë si të kontrollojnë ndjenjat e tyre.
Studimi bazohet në një përmbledhje të të dhënave nga 78 studime të kryera kryesisht në Europë e SHBA midis viteve 1977 dhe 2017. U gjet një lidhje e qëndrueshme midis lojërave babë-fëmijë dhe aftësisë së fëmijëve për të kontrolluar emocionet.
Studiuesit kanë zbuluar se mesatarisht, shumica e baballarëve luajnë me fëmijët e tyre çdo ditë por edhe me fëmijët më të vegjël ata priren të bëjnë lojëra më mashkullore.
Sipas studimit fëmijët që kalonin më shumë kohë duke luajtur me baballarët e tyre kishin më pak të ngjarë të shfaqnin hiperaktivitet dhe vështirësi në menaxhimin e emocioneve dhe sjelljeve. Ata gjithashtu, kanë rezultuar më të aftë të kontrollojnë më mirë nervozizmin dhe nuk ofendojnë fëmijët e tjerë gjatë mosmarrëveshjeve në shkollë.
Sipas ekspertëve të Universitetit të Cambridge të bërit e lojërave fizike jep kënaqësi, situata ngacmuese emocionuese gjatë të cilave fëmijët kanë mundësi të vetë-rregullojnë emocionet e tyre. Fëmija mëson të kontrollojë forcën, të kuptojë kur gjërat tejkalojnë masën.
Është një mjedis i sigurtë në të cilin fëmijët mund të praktikojnë mënyrat e reagimit. Nëse reagojnë në mënyrën e gabuar, nuk është fundi i botës, mund të përmirësohen gradualisht.
Fëmijët që jetojnë vetëm me nënën duhet të kenë të njëjtin ndërveprim, pasi të gjithë ndërveprimet prind-fëmijë përmes lojërave në vitet e para lidhen me rezultate më pozitive njohëse dhe socio-emocionale për fëmijët. Një nga gjërat që vë në dukje ky studim është nevoja për të ndryshuar llojet e lojërave me të cilat përfshihen fëmijët dhe nënat, natyrisht mund të mbështesni bërjen e lojërave që kanë nevojë për veprimtari fizike edhe me fëmijët më të vegjël.
Sipas ekspertëve është e rëndësishme të krijohen hapësira të nevojshme si për baballarët ashtu dhe nënat për të kaluar kohë duke luajtur me fëmijët gjatë viteve të par të jetës.
Ajo çka vihet re edhe në ditët e sotme, është se rrallë shohim baballarë të përfshirë në aktivitetet e përditshme të fëmijëve të tyre. Megjithatë, duket sikur gjërat po ndryshojnë, dhe çdo ditë e më shumë shohim baballarët të përfshirë më shumë me fëmijët e tyre.