Njeriu vjen në jetë nga dy njerëz të tjerë që janë prindërit dhe mbrojtësit e jetës së tij.
Ne vijmë nga të tjerët dhe çdo gjë e mësojmë nga të tjerët duke filluar nga emrin, moshën, gjininë dhe mbi të gjitha fjalën, që më pas nxit mendjen dhe mendimin tonë. Është pikërisht kontakti me të tjerët që e nxit, mëson dhe zhvillon mendjen tonë. Pra, si veten dhe fjalën ne i mësojmë nga të tjerët.
Në fillimet e jetës e në vazhdimësi nëna dhe babai janë modeli që fëmija përdor për të njohur jetën dhe si është të jesh i rritur. Të njohurit e jetës dhe zbulimi i njerëzores fëmija i realizon nëpërmjet fjalëve dhe sjelljeve, pra etikës së prindërve të tij. Fëmija përpiqet të mësojë sa më shpejt të kuptojë e komunikojë me ta, të sigurohet që nuk do ta braktisin, që e duan shumë dhe ajo që ka shumë rëndësi, është, se si e njohin dhe e vlerësojnë ata.
Sa më shumë i sigurt dhe i vlerësuar të jetë e të ndihet aq më të lehtë do ta ketë të zbulojë dhe pranojë veten dhe jetën. Fëmija e ndërton dhe e zbulon identitetin nëpërmjet fjalëve, fytyrës, vlerësimeve dhe zërit të nënës, babait, etikës së tyre dhe të rriturve të tjerë që e shoqërojnë gjatë rritjes. Nëse nëna dhe babai e lavdërojnë e krenohen me të ai apo ajo do të ndihen me vlera dhe kështu krijohet një identitet i mirë pa dyshime dhe frikëra.
Por nëse prindërit e fëmijës kanë nivel të ulët etik apo më keq, e keqtrajtojnë, fëmija natyrisht që do të ketë vlerësim të ulët për veten dhe identiteti i tij do të jetë problematik.
Po vazhdoi edhe shkolla, mësuesit me ashpërsi dhe t’i vënë në dukje të metat, problemi do të shumohet. Trupi dhe mendja e fëmijës i regjistron të gjitha këto të mësuara dhe të jetuara, sa dhe si ky mjedis e njeh dhe e pranon, të cilat përbëjnë modelin dhe kufijtë për ndërtimin e identitetit të tij.
Është e vërtetë që ne kemi shumë potencialë brenda vetes për t’u bërë ai apo ajo që duam, por edhe kjo zhvillohet nëpërmjet gjuhës dhe kulturës apo modeleve që një familje apo shoqëri ofron.
Identiteti i njeriut ndërtohet në fëmijëri nëpërmjet raportit me të rriturit dhe njohjes që ata i bëjnë. /Lira Gjika