Bajamet (tonsilet) dhe mishi i huaj (adenoidet) janë zona të indeve limfatike në pjesën e pasme të fytit. Bajamet ndodhen në të dyja anët e fytit, në pjesën e pasme të gojës dhe duken qartë. Adenoidet nuk janë të dukshme, pasi gjenden lart në fyt pas hundës.
Këto struktura ndihmojnë fëmijën që të krijojë imunitet dhe të luftojë infeksionin. Duket se rriten gjatë fëmijërisë dhe pastaj tkurren rreth moshës katër vjeç.
Deri në kohën kur fëmija të arrijë moshën e rritur, adenoidet e tij / saj do të jenë zhdukur pothuajse tërësisht. Kjo, sepse nuk janë më të nevojshme, pasi trupi do të ketë mekanizma të tjerë mbrojtës për të luftuar kundër infeksionit.
Pse duhet të hiqen bajamet? Cilat janë përfitimet?
Në shumë fëmijë, bajamet infektohen në mënyrë të përsëritur me baktere dhe viruse, të cilat mund t’i bëjnë ato të fryhen dhe të dhembin. Heqja e bajameve dhe adenoideve do t’i zgjidhë këto probleme.
Fëmija mund të ketë bajamet dhe adenoidet më të mëdha se mesatarja, duke i bllokuar atij pjesërisht rrugët e frymëmarrjes. Kështu, frymëmarrja përmes hundës mund të vështirësohet duke bërë që fëmija të marrë frymë përmes gojës dhe të gërhasë kur fle.
Kjo mund të çojë në një gjendje të quajtur, apnea e gjumit, ku fëmija ndalon frymëmarrjen për disa sekonda dhe pastaj fillon sërish të marrë frymë, gjë që mund të shqetësojë rëndë gjumin e tij.