Ushqyerja në mënyrë adekuate gjatë shtatzënisë, redukton shanset e zhvillimit të komplikacioneve gjatë shtatzënisë dhe gjatë proçesit të lindjes. Kështu thotë mjekja nutricioniste Hana Ameti.

Në një intervistë për Bebja.com Dr. Hana Ameti shpjegon se gratë shtatzëna duhet të fokusohen në marrjen e mjaftueshme të Acidit Folik, hekurit, kalciumit dhe yndyrnave të shëndetshme.

Acidi folik ndihmon në parandalimin e zhvillimit të defekteve në tubin neural.

Hekuri ndihmon rritjen e volumit të gjakut duke parandaluar, kështu aneminë.

Kalciumi është një element kyç në zhvillimin e kockave të bebit.

Proteinat janë të rëndësishme në rritjen e indit fetal, përfshirë trurin.

Yndyrnat esenciale kontribuojnë fondamentalisht në shëndetin dhe zhvillimin e fetusit, veçanërisht në zhvillimin e trurit, syve dhe sistemit nervor në tërësi.

Intervista e plotë:

1. Përse mënyra e të ushqyerit është e rëndësishme gjatë shtatzënisë?

– Ushqyerja e duhur gjatë periudhës së shtatzënisë është vitale për shëndetin e nënës dhe të bebit. Ushqyerja e duhur suporton rritjen dhe zhvillimin e bebit, nëpër të gjitha fazat, që ai kalon në jetën intra-uterine. Gjithashtu, ndihmon nënën të mbrojë shëndetin e saj dhe të ruaj energjinë në nivel optimal.
Ushqyerja në mënyrë adekuate gjatë shtatzënisë, redukton shanset e zhvillimit të komplikacioneve gjatë shtatzënisë dhe gjatë proçesit të lindjes.

2. Cilët janë disa nga nutrientët kyç, që një grua shtatzënë ka nevojë të ketë në fokus?

– Gratë shtatzëna duhet të fokusohen në marrjen e mjaftueshme të Acidit Folik, hekurit, kalciumit dhe yndyrnave të shëndetshme.

Acidi folik ndihmon në parandalimin e zhvillimit të defekteve në tubin neural.

Hekuri suporton rritjen e volumit të gjakut duke parandaluar, kështu aneminë.

Kalciumi është një element kyç në zhvillimin e kockave të bebit.

Proteinat janë të rëndësishme në rritjen e indit fetal, përfshirë trurin.

Yndyrnat esenciale kontribuojnë fondamentalisht në shëndetin dhe zhvillimin e fetusit, veçanërisht në zhvillimin e trurit, syve dhe sistemit nervor në tërësi. Për nënën shtatzënë, një dietë e pasur në yndyrna esenciale redukton rriskun e zhvillimit të pre- eklampsisë dhe depresionit post-partum.

3. A mund të na jepni disa shembuj të ushqimeve ose grupeve ushqimore të pasura në këta nutrientë?

– Patjetër. Acidi folik mund të merret nga perimet me gjethe jeshile, fasulet, thjerrëzat, bizelet, vezët, asparagusi, panxhari, brokoli, agrumet, arroret, farat, papaya dhe bananet.

Hekuri mund të merret nga mishi i kuq, buka me miell të plotë, sardelet, varietetet e fasuleve me ngjyra sa më të errëta dhe qiqrat.

– Disa burime të shkëlqyera të kalciumit janë: bajamet, kosi i shtëpisë, kale ose pazí (në gjuhën popullore), portokallet, sardelet, fiqtë e freskët dhe fiqtë e thatë, hurmat dhe gjiza pa kripë.

– Burimet proteinike janë: mishi i kuq, arrorët, sardelet, vezët dhe legumet.

– Burimet e yndyrnave esenciale janë: avokadot, gjalpi i freskët, vaj i ullirit, sardelet dhe peshqit e egër.

*(Kombinimet ideale ushqimore, respektivisht për secilin tremester, i gjeni në planin e Dietave Equilibrium).

4. A ka ndonjë ushqim apo grup ushqimor, që gratë shtatzëna duhet ta shmangin?

– Po, ka disa ushqime, që gratë shtatzëna duhet t’i shmangin, pasi ekziston rrezik kontaminimi ose pasoja të tjera në shëndet. Këtu përfshihen produktet e detit dhe vezët e pagatuara ose të pagatuara mirë. Këshillohet që të shmanget konsumimi i peshqve të kultivuar (jo të egër) dhe mishit të peshkaqenit sepse përmbajnë sasi të larta të mërkurit dhe arsenikut. Patjetër që në grupin e produkteve rreptësishtë të ndaluara janë alkooli dhe duhani.

Përveç këtyre, theksin do të doja ta vendosja në ushqimet e proçesuara dhe ultra të proçesuara, të cilat përmbajnë konservantë, ngjyruesa dhe sheqerna të shtuar. Këto janë të dëmshme për nënën dhe bebin gjatë jetës intrauterine.

5. Si do t’i këshillonit ju nënat shtatzëna mbi menaxhimin me anë të dietës ushqimore të simptomave të shtatzënisë, të tilla si: të përzierat dhe lodhja?

– Për të përzierat, do t’iu këshilloja që të konsumojnë sasi të vogla ushqimi dhe të konsumojnë ngadalë ushqimin e tyre. Kjo ndihmon. Gjithashtu, ushqimet pa shumë kripë dhe lehtësisht të tretshme, janë favorite në rastin e të përzierave. Shpesh të përzierat shkojnë në grada vërtetë të rënda, në këto raste do të këshilloja çaj xhinxheri, pa ëmbëlsues.

Për sa i përket lodhjes, do të rekomandoja pasurimin e dietës me ushqime të pasura në hekur e proteina, dhe nënat shtatzëna duhet të konsumojnë sasi të mjaftueshme uji për të ruajtur mirë-hidratimin e sistemit.

6. Si mundet, një grua shtatzënë të ruaj një peshë trupore të shëndetshme gjatë shtatzënisë?

– Marrja e peshës së duhur gjatë shtatzënisë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Shpesh nënat shtatzëna këshillohen që “të konsumojnë ushqim për dy vetë”, ky është thjesht një mit. I rëndësishëm është konsumimi i ushqimeve të pasura në vlera ushqyese, që të sigurohet marrja e çdo nutrienti të nevojshëm, si për bebin, ashtu dhe për nënën. Pra, nuk është e rëndësishme sasia e shtuar e ushqimet, sa është sasia e nutrientëve, që na sjell ky ushqim.

Një kombinim i planit ushqimor të personalizuar me ushtrime, po ashtu të personalizuara, të cilat patjetër duhet të këshillohen nga specialistë, është këshilla më e mirë, që mund të jap për të gjitha nënat shtatzëna.

7. Le të zhvendosemi tani në periudhën post-partum. Çfarë ndryshimesh duhen bërë në planin e të ushqyerit, në këtë periudhë?

– Pas lindjes, trupi i gruas ka nevojë të rikuperohet dhe të shërohet. Nëse nëna e ushqen foshnjën e saj me gji, nevojat për vlera ushqyese, janë të shtuara.

Nëna duhet të konsumojë sasi të mjaftueshme uji ( 8-10 gota) dhe të konsumojë ushqime të pasura në yndyrna esenciale, proteina kualitative, vitamina e minerale. Duhet të shmangen ushqimet e proçesuara, me sheqer e kripë të shtuar.
Gjithçka duhet të jetë e freskët, organike dhe e mirë-gatuar.

8. A mund të na cilësoni më specifikisht disa ushqime të vlefshme për periudhën post-partum?
– Patjetër. Ushqimet e pasura në proteina, të tilla si: mishi, vezët dhe legumet ndihmojnë rrënjësisht në shërimin e indeve. Fibrat sigurojnë ruajtjen e niveleve të energjisë. Rëndësi kanë yndyrnat e shëndetshme, të cilat i gjejmë në avokado, arroret, dhe vajin e ullirit.

Do të këshilloja shumë përfshirjen e supave me perime, lëngun e kockave të viçit kombinuar me erëza dhe çajrat bimore (shmangni çajrat me bustina).

Ushqimet e pasura në kalcium, të tilla si perimet me gjethe jeshile, finoku, kajsitë dhe papaya suportojnë prodhimin e qumështit.

Një kombinim për shtimin e qumështit është çaj me fara finoku, xhinxher dhe gjethe borziloku.

9. Si përfundim, një këshillë të përgjithshme, që mund t’ia jepni grave shtatzëna dhe nënave të reja, mbi ushqyerjen?

– Dëgjoni trupin tuaj dhe fokusohuni në një plan ushqimor të mirë-balancuar dhe sa më shumë të pasur në vlera. Konsumoni vakte të rregullta, ruani hidratimin dhe mos hezitoni të kërkoni mbështetje profesionale nga specialistë të fushës.
Mos harroni se mirë-ushqyerja është ‘çelësi i artë’ për shëndetin tuaj dhe për shëndetin e bebit, para, gjatë dhe pas shtatzënisë.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.