“Është normale të reflektojmë dhe analizojmë tërësisht informacionin përpara se të marrim vendime, mirëpo kur shikojmë një gjendje të vazhdueshme, dhe që përsëritet në mënyrë obsessive e cila çon në një ndjenjë të shtuar stresi dhe ankthi, ne duhet të kërkojmë ndihmë”.

Kështu shpjegon psikologia Florika Sulejmani.

Sipas Florika Sulejmanit “Overthinking” quajmë mendime të tepërta që rishfaqen pa pushim në mendjen tonë duke krijuar skenarët më të këqija. Është një formë e dëmshme e të menduarit, sepse ne shfaqim shqetësim të tepërt për ngjarje të së kaluarës, ose për atë që kemi thënë ose se si sjellja jonë mund të dëmtojë të tjerët.

Në një intervistë për Bebja.com psikologia thotë se personat që janë overthinker kanë një frikë të vazhdueshme të të bërit gabime dhe të gjykohen, pra ata dëshirojnë të jenë perfekt me çdo kusht dhe këtu nisin me mendime të tepërta për të arritur standardet e tyre.

Një tjetër shkaktar i overthinking është një histori traume emocionale, ku ju jeni gjykuar ashpër për gabime

Intervista e plotë:

1. Së pari, çfarë është Overthinking?

Overthinking (mendimet e tepërta) janë një formë e dëmshme e të menduarit.

Pra e thënë ndryshe janë mendime të tepërta që rishfaqen pa pushim në mendjen tonë duke krijuar skenarët më të këqija. Është një formë e dëmshme e të menduarit sepse ne shfaqim shqetësim të tepërt për ngjarje të së kaluarës, ose për atë që kemi thënë ose se si sjellja jonë mund të dëmtojë të tjerët, etj. Të mendosh për fjalët dhe veprimet e tua është mirë, por të mendosh shumë nuk është mirë.

2. Çfarë e shkakton overthinking?

Mendimet e tepërta ndodhin për një sërë arsyesh. Një ndër shkaktarët është stresi. Nëse vini re se kohët e fundit mendoni tepër atëherë ju jeni duke përjetuar nivele të larta të stresit. Kur ne jemi në situata stresuese, mendja jonë shpesh lufton për të kuptuar atë që po ndodh dhe fillon të mendoj tepër.
Personat që janë overthinker kanë një frikë të vazhdueshme të të bërit gabime dhe të gjykohen, pra ata dëshirojnë të jenë perfekt me çdo kusht dhe këtu nisin me mendime të tepërta për të arritur standardet e tyre.

Një tjetër shkaktar i overthinking është një histori traume emocionale, ku ju jeni gjykuar ashpër për gabime, pra nga situata të ndryshme keni besuar se nuk jeni mjaftueshëm të mirë. Vetëvlerësimi gjithashtu ndikon në overthinking pasi nga mungesa e vetëvlerësimit mund të rezultojë që ne të shpenzojmë shumë kohë duke menduar për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Fillojmë të shpenzojmë aq shumë kohë duke dyshuar në veten tonë.

3. Cilat janë simptomat e overthinking? Si ta kuptojmë që jemi një overthinker?

Mendoni shumë pasi thoni diçka

Një nga simptomat kryesore të të menduarit të tepërt është se ju mendoni shumë pasi të keni thënë diçka. Për shembull, pasi keni një takim me mikun tuaj ose duke folur me një koleg, ju filloni të mendoni gjëra të tilla si, ‘a e lënduan fjalët e mia?’, ‘çfarë mund të mendojë ai/ajo kur e thashë këtë?’. Ju përfundoni duke menduar për bisedën tuaj gjatë gjithë ditës.

Shqetësoheni kur dikush ju thotë se do t’ju tregoj diçka

Kur dikush thotë se dëshiron t’ju thotë diçka, atëherë ju jeni shumë të shqetësuar të dini se çfarë është dhe mendoni për të gjithë ditën. Kjo është gjithashtu një shenjë e të menduarit të tepërt.

Ju kërkoni falje gjithmonë

Keni zakon të kërkoni vazhdimisht falje edhe nëse nuk është gabimi juaj. Nëse je një person që vazhdimisht kërkon falje edhe kur nuk ke faj, atëherë kjo është një shenjë se po mendon shumë. Kur e gjeni veten në një debat, atëherë filloni të mendoni se është faji juaj që personi është lënduar dhe filloni të kërkoni falje edhe kur jeni ju ai që i bëhet padrejtësi dhe akuzohet.

Ju mendoni shumë gjatë natës kur shtriheni te flini

Gjatë gjithë natës ju mendoni për një x situatë e cila mund të ketë ndodhur edhe shumë kohë më parë. Pra ju kap mëngjesi duke menduar.

Krijon skenarë nga më të këqijat

Mendon për të ardhmen, dhe krijon skenarët më të këqij, që në fakt nuk mund të ndodhin. Ju filloni të mendoni për të ardhmen tuaj si psh imagjinoni gjëra të tilla si nëse martesa ime nuk është e lumtur edhe kur ju nuk jeni martuar ende. Mendimet, mund të shkojnë deri në pikën ku filloni të imagjinoni aksidentet tuaja ose situatat negative. Kjo mund të shkaktojë stres dhe ankth.

Leximi i mendjes

Njerëzit që fillojnë të mendojnë shumë, mund të kërkojnë kuptime të fshehura. Pas çdo situate dhe bisede me miqtë dhe të afërmit personat overthinker, mundohen të lexojnë mendjen e personit përball.

4. Cilat janë disa strategji për të menaxhuar overthinking?

Shpërqendroni veten me një hobi të preferuar, ose duke bërë ndonjë stërvitje. Pasi ato kërkojnë përqëndrim, prandaj largon mendimet e panevojshme vetë-shkatërruese nga koka juaj.

Shkrimi i mendimeve dhe shqetësimeve tuaja mund t’ju ndihmojë gjithashtu të ndiheni më të kontrolluar “Kur i shkruajmë gjërat, ato duken më të menaxhueshme. Ditari mund të jetë një mënyrë për të planifikuar kohën e shqetësimit, një kohë e dedikuar çdo ditë që ne ia kushtojmë plotësisht shqetësimit.

Flisni me njerëzit që ju besoni. Ndonjëherë vetëm marrja e një opinioni të jashtëm, mund të ndihmojë në riformulimin e mënyrës se si mendoni për një situatë.

Meditimi

Zhvillimi i një praktike të rregullt meditimi është një mënyrë e mbështetur në prova, e cila ndihmon që të pastroni mendjen nga mendimet e tepërta. Duke praktikuar meditim, ju mund të mësoni të vëzhgoni mendimet tuaja pa u ngatërruar në to. Kjo vetëdije e rritur i lejon ata që mendojnë tepër si ju të përjetojnë një ndjenjë qetësie dhe paqeje, edhe në një situatë stresuese.

5. Kur duhet ti drejtohemi psikologut?

Kur mendimi i tepërt, bëhet një shqetësim i madh dhe ndikon në cilësinë e jetës tuaj është e rëndësishme të kërkoni ndihmë. Nëse ndjeni se overthinking, po ju pengon të gëzoni jetën tuaj, është mirë të konsultoheni me një psikolog për të gjetur mënyra për të përballuar këtë situatë. Pamundësia për të kontrolluar mendimet e tepërta, dhe ndjenjat negative mund të jetë një shenjë që të kërkoni ndihmë shtesë për të rikthyer qetësinë dhe vetëvlerësimin.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.