“Shtatzënia është një periudhë shumë e veçantë në jetën e një gruaje që sjellë me vete shumë ndryshime fizike, emocionale, hormonale”, thotë Dr.Kamela Nelaj, duke shtuar se rritja e niveleve hormonale si estrogjeni dhe progesteroni, rritja e furnizimit me gjak i indeve të buta, rënia e imunitetit, rritja e kërkesës se kalciumit dhe vitaminës D gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë disa patologji orale si:

A- Gingivitis i shtatzënisë, inflamacion i mishrave të dhëmbëve. Ndryshimi hormonal gjatë shtatzënisë shkakton hiperteofi të gingivave të cilat enjten dhe si pasojë krijohet një ambient i favorshëm për depozitimin dhe shumimin e pllakës bakteriale. Pllaka bakteriale shkakton inflamacion të gingivave të cilat paraqiten të skuqura, të ënjtura, dhëmbin dhe shpeshherë mund të gjakosen gjatë larjes ose në mënyrë spontane.

B- Epulidi i shtatzënisë, është një masë tumorale beninje, jo e demshme për fetusin dhe nënën. Rritet shpejt sidomos në trimestrin e fundit të shtatzënisë, dhe ka tendencën të zhduket mbas përfundimit të shtatzënisë.

C- Të rrezikshme gjatë shtatzënisë, janë ulcera të cilat formohen në kavitetin oral. Janë të dhimbshme dhe kanë tendencën të zhduken brenda dy javëve.

Karies dentar, ndryshimi hormonal shkakton ndryshim në pH (pehashin) e pështymës dhe konsistencën e sajë.

Gjatë shtatzënisë pështyma bëhet me acide dhe viskoze dhe kjo favorizon depozitimin e pllakës bakteriale në dhëmbë dhe demineralizimin e tyre me pasojë rritjen e probabilitetit për të patur karies dentar. Një tjetër faktor që favorizon kariesin në shtatzëni është rritja e dëshirës së disa nënave për ushqime kariogjene si sheqeri, karamelet, akullore, ëmbëlsirat, çokollata, lëngu i portokallit, marmelata, reçeli etj.

Intervista e plotë

1. Cilat janë ndryshimet që ndodhin me gojën gjatë shtatzënisë?

Erozioni dentar, shpeshherë të vjellat gjatë shtatzënisë shkaktojnë ulje të aciditetit oral i cili shkakton demineralizim dhe erozion dentar. Për të evituar erozionin këshillohet mbas të vjellave të shpëlani gojën me ujë ose ujë me pak sodë buke për të neutralizuar pH acid të gojës.

2. A është e vërtetë që gjatë dhe pas shtatzënisë dhëmbët prishen sepse ato varfërohen nga kalciumi, nga konsumi i tij për nevojat e bebit?

Gjatë shtatzënisë rritet kërkesa nga ana e organizmit të gruas shtatzënë për kalcium dhe vitamine D por kjo gjendje nuk shkakton drejtpërdrejtë një varfërim të dhëmbëve pasi dhëmbët nuk kontribuojnë në të njëjtën mënyrë si kockat në hemostazën e kalciumit në gjak por një mungesë e theksuar e vitaminës D dhe e kalciumit në gjak shoqëruar me ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë demineralizim të kockave të nofullave dhe parodontopati me pasojë lëvizjen e dhëmbëve.

Për këtë arsye rekomandohet një regjim ushqimor i ekuilibruar dhe përdorimi i suplementeve të kalciumit dhe vitaminës D gjatë gjithë shtatzënisë dhe gjatë gjithë periudhës së gjidhënies.

3. Një lexues pyet pse gjatë shtatzënisë mishrat e dhëmbëve i kam vazhdimisht të skuqur të ënjtur dhe gjakosen menjëherë gjatë larjes së dhëmbëve?

Siç e shpjegova më lart ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë shtatzënisë, rritja e furnizimit me gjak i indeve të buta, rënia e imunitetit mund të shkaktojnë gingivit i cili karakterizohet nga simptomat e sipër përmendura. Shpeshherë dhimbja dhe gjakosja që shkakton gingiviti gjatë larjes së dhëmbëve shtyn disa nëna të mos i lajnë dhëmbët në mënyrë korrekte dhe kjo përkeqëson gjendjen e mishrave të dhëmbëve. Për të evituar gingivitin dhe përkeqësimin e tijë këshillohet të lahen dhëmbët tre herë në ditë me një furçë të butë, të përdoret filli interdentar dhe hidropulsori, të bëhen vizita të rregullta dhe pastrim i dhëmbëve tek dentisti.

4. A ka ndonjë lidhje ndërmjet dietës gjatë shtatzënisë, shëndetit tim oral dhe bebit në të ardhmen?

Një regjim ushqimor i ekuilibruar i pasur me vitamina dhe minerale kontribuon në mirë zhvillimin e fetusit dhe në një kavitet oral të shëndetshëm në të kundërt një regjim ushqimor i pasur me sheqer dhe pije të gazuara shton probabilitetin për të patur karies dhe probleme orale.

Është e vërtetuar që bakteret shkaktare të kariesit dentar mund të transmetohen tek fëmija nga momenti i lindjes dhe në vazhdim duke rritur probabilitetin që edhe fëmija të zhvillojë karies masiv të gjeneralizuar që në moshë të vogël.

5. Pse është e rëndësishme të trajtohet gingivitis i shtatzënisë?

Gingivitis është i pranishëm në 70-80 përqind të grave shtatzëna dhe nëse nuk kurohet mund të shkaktojë parodonditis, sëmundje inflamatore e strukturave që rrethojnë dhëmbët e cila shkakton me kalomin e kohës lëvizjen e dhëmbëve dhe humbjen e tyre. Është vënë re gjatë studimeve të viteve të fundit që gingivitis lëshon në qarkullim baktere dhe substanca inflamatore të cilat mund të shkaktojnë kontraksjone të mitrës, dhe rrisin shtatë herë rrezikun për lindje të parakohshme dhe peshë të ulët të foshnjës në lindje.

Për këtë arsye nëse jeni duke programuar një shtatzëni është mirë të bëni të gjitha kontrollet dentare para nisjes së një shtatzënie dhe gjatë shtatzënisë të bëni kontrolle të shpeshta dhe pastrim të dhëmbëve tek dentisti për të evituar gingivitin e shtatzënisë dhe patologji të tjera orale. Mos harroni nëna të dashura që shëndeti i fëmijës është i lidhur me shëndetin tuaj.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.