Logopedia Eva Alimeri tregon se mungesa e vetëbesimit te fëmijët ndodh për shkak të traumatizimeve emocionale ose fizike, si frika, dhuna në familje, ndarja e prindërve ose bullizmi.

Një tjetër faktor sipas Alimerit është edhe mungesa e mbështetjes dhe kujdesit. Fëmijët që nuk marrin mjaft mbështetje emocionale dhe kujdes nga prindërit apo kujdestarët e tyre mund të ndjehen të injoruar dhe të pakënaqur me vetveten.

Në një intervistë për Bebja.com logopedia apelon që prindërit mund të rrisin vetëbesimin e fëmijëve duke përdorur komunikimin pozitiv për të treguar dashurinë dhe kujdesin e tyre për fëmijën. Inkurajuar dhe ndërgjegjësuar ata për aftësitë dhe cilësitë e tyre.

Intervista e plotë

1.Pse disa fëmijë kanë vetëbesim të ulët?

Vetëbesimi i ulët tek mund të jetë rezultat i faktorëve të ndryshëm si:

•Traumatizimi emocional ose/dhe fizik: Këtu përfshihen fëmijët që kanë përjetuar trauma emocionale ose fizike në jetën e tyre si: dhuna në familje, ndarja e prindërve, bullizmi, ose ngjarje të tjera që kanë lënë pasoja emocionale.

•Përvojat shoqërore negative: Përvojat negative me shoqërinë, përfshirë mohimet, shpërfilljet, gjykimet mbi pamjen apo ndarjet nga grupet e shoqërisë, mund të ndikojnë në vetëvlerësimin e fëmijëve.

•Ndikimi i mediave dhe rrjeteve sociale: Këto të fundit reklamojnë vazhdimisht standardet e bukurisë dhe suksesit, të cilat mund t`i bëjnë fëmijët të ndjehen jo të suksesshëm në krahasim me këto standarde.

•Mungesa e mbështetjes dhe kujdesit: Fëmijët që nuk marrin mjaft mbështetje emocionale dhe kujdes nga prindërit apo kujdestarët e tyre mund të ndjehen të injoruar dhe të pakënaqur me vetveten.

2. Prindërit si mund të rrisin vetëbesimin te fëmijët?

Prindërit mund të rrisin vetëbesimin e fëmijëve duke:

•përdorur komunikimin pozitiv për të treguar dashurinë dhe kujdesin e tyre për fëmijën.

•inkurajuar dhe ndërgjegjësuar ata për aftësitë dhe cilësitë e tyre.

•nxitur fëmijët të përfshihen në aktivitete dhe projekte të ndryshme duke pasur gjithmonë parasysh interesat e tyre. Kjo do t’i ndihmojë ata të ndihen të vlerësuar dhe të zhvillojnë aftësi të reja, të cilat do pasojnë në krijimin e përvojave pozitive dhe suksese që do i ndihmojnë në rritjen e vetëvlerësimit.

•i mbështetur emocionalisht në raste të vështira dhe duke i ndihmuar ata të mësojnë nga gabimet dhe sesi të trajtojnë dhe të zgjidhin problemet në mënyrë të pavarur.

•respektuar ndjenjat dhe emocionet e tyre. Lejojini të shprehin ndjenjat e tyre dhe dëgjojini ata me kujdes.

•dhënë shembuj pozitiv mbi mënyrën sesi të trajtojnë veten dhe të tjerët me kujdes dhe respekt.
duke u fokusuar në përpjekje, jo vetëm në rezultate. Kjo do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë një qëndrim pozitiv ndaj sfidave.

3. A duhet krahasuar fëmija me vëllezërit/motrat dhe shokët/shoqet?

Për krahasimin e fëmijëve me të tjerët duhet të jesh i kujdesshëm dhe i ndjeshëm ndaj ndjenjave dhe nevojave të secilit fëmijë. Disa krahasime mund të ndihmojnë në përmirësimin dhe motivimin e fëmijëve, po një krahasim i tepërt ose i pakujdesshëm mund të shkaktojë stres dhe ndikime negative në vetëvlerësimin e tyre. Fëmijët duhet të ndihen të sigurtë dhe të kuptojnë se cilat janë vlerat e tyre të vërteta në jetë, jashtë çdo krahasimi me të tjerët.

4. Shpesh herë prindërit I thonë fëmijës: “e bëre gabim,” “ti nuk mund të bësh këtë gjë”. Si inkurajohet një fëmijë?

Prindërit duhet të përdorin një gjuhë pozitive duke e ndihmuar fëmijën të shohë gabimet si mundësi për të mësuar dhe duke u fokusuar në përpjekjet dhe arritjet e tij. Lavdërimi për përpjekjet dhe rikujtimi i momenteve të suksesit janë mënyra efektive për të ndihmuar në ndërtimin e një imazhi pozitiv të vetes.6. Si mund të ndihmojnë prindërit fëmijën të zhvillojë aftësinë e të kuptuarit të problemeve.

5. Çfarë efekti kanë lavdërimet?

Lavdërimet kanë patjetër një efekt të madh pozitiv tek fëmijët, dhe i ndihmojnë ata të ndjehen të vlerësuar e të motivuar për të arritur sukses të mëtejshëm.

6. Si mund të ndihmojnë prindërit fëmijën të zhvillojë aftësinë e të kuptuarit të problemeve?

Prindërit mund të ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësinë për të kuptuar dhe zgjidhur probleme përmes komunikimit të hapur dhe ndërgjegjësimit të fëmijëve për të analizuar problemin, për të identifikuar mundësitë për zgjidhje, dhe për të vlerësuar pasojat e mundshme.

Përveç kësaj, ofrimi i shembujve të zgjidhjes së problemeve dhe përdorimi i pyetjeve për të nxitur fëmijët të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje të vetat janë metoda efektive për të ndihmuar ata të mësojnë si të ndjekin një proces sistematik për të zgjidhur sfidat dhe problemet në jetën e tyre.

7. Të lutem një përvojë lidhur me këtë temë nëse keni? Dhe një mesazh si mjeke?

Përvoja lidhur me temën kam shumë pasi puna e përditshme me fëmijët të përball me situata të tilla. Në këto raste zgjedh të mos ofroj zgjidhje të gatshme menjëherë, por inkurajoj fëmijën të analizojë situatën, të përdorë kreativitetin, të jetë i vëmendshëm ndaj detajeve të cilat çojnë në kuptimin e problemit dhe gjetjen e zgjidhjeve të mundshme.

Ndihma dhe inkurajimi i prindërve për të ndihmuar fëmijët të mësojnë si të menaxhojnë sfidat dhe problemet janë me vlerë të jashtëzakonshme. Përmes mbështetjes dhe përgjigjeve të tyre të kujdesshme, ata mund të ndihmojnë në formimin e aftësive të rëndësishme jetësore për fëmijët e tyre.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.