Mjekja alergologe Blerta Lame, thotë se rastet më të shpeshta të fëmijëve me alergji janë ato respiratore, që prek kryesisht grupmoshat 3-7 vjeç.

Sipas alergologes alergjitë, shkaktohen më shumë nga alergentë të ajrit, duke filluar nga pluhurat e shtëpisë, epiteli i kafshëve shtëpiake dhe polenet. Këto, janë grupet më të mëdha që shkaktojnë alergji.

“Nëse keni fëmijë të cilët sëmuren shpesh, kalojnë viroza më shpesh se fëmijët e tjerë, e mira është të bëjë një vizitë tek alergologu,” shpjegon Blerta Lame.

Intervista e plotë:

Cila është alergjia më e përhapur tek fëmijët në Shqipëri që ju trajtoni? Cilat mosha prek më tepër?

-Rastet më të shumta, që na vijnë në klinikë me simptoma të alergjive, janë kryesisht me simptoma të alergjive respiratore. Fëmijët e grupmoshave 3-7 vjeç, çerdhe dhe kopësht, kryesisht kanë alergji të rrugëve të poshtme që manifestojnë me kollë të fortë si ditën edhe natën. Acarohet shumë nga gjendjet virale apo nga i ngrohti dhe i ftohti. Përsa i përket grupmoshave mbi 7 vjeç, simptomat, janë të rrugëve të sipërme respiratorë, me skuqe të syve, kruajtje, lotimin e shtuar, bllokimin e hundës, tështima të shpeshta. Më shumë i shqetëson rrufa alergjike.

Por vitet e fundit kemi një trend në rritje të alergjive në lëkurë, kryesisht në grupmoshat e fëmijëve parashkollor, shkaktohet më shumë nga parazitët, por kemi edhe Dermatiti atopik, e cila është një sëmundje me tendencë në rritje në Shqipëri, më saktë, këto vite po diagnostikohet më shumë.

2. Çfarë e shkakton alergjinë dhe cilat janë simptomat?

Alergjitë, shkaktohen më shumë nga alergentë të ajrit, duke filluar nga pluhurat e shtëpisë, epiteli i kafshëve shtëpiake dhe polenet. Këto, janë grupet më të mëdha që shkaktojnë alergji, por, janë disa faktorë që shërbejnë si acarues të simptomave, ku futen papastërtitë, pluhuri, ndotja e ajrit nga aromat e fortë, tymrat e makinave, apo tymi i cigares.

Simptomat më të shpeshta të alergjive janë teshtimat në grup, të cilat janë tipike tek fëmijët sepse kanë disa teshtima rresht. Rrjedhjet e ujshme të hundës, kruarja e hundës, e syve, veshëve, qiellzës, fëmijët nuk arrijnë dot ndonjëherë ta interpretojnë por që thonë po më gudulis diçka në fyt. Kolla, është më e shpeshtë, e thatë dhe mbytëse. Siç e thash, edhe alergjitë në lëkurë, janë shtuar shumë, më të shpeshta janë kruarja e lëkurës, tharje dhe skuqje e zonave që fërkohen ose palosen si tek bërrylat nga brenda, gjunjët nga pas, rrëzë kofshës, tek pjesa e kokës, faqeve dhe tek pjesa pas veshëve, këto janë simptomat më të shpeshta të alergjive.

3- Kur duhet që prindërit të sjellin fëmijën alergjik tek mjeku? Si ta kuptojnë? Kur rekomandoni testin e alergjisë?

Nëse, kemi fëmijë të cilët sëmuren shpesh, kalojnë viroza më shpesh se fëmijët e tjerë, e mira është të bëjë një vizitë tek alergologu. Jo sepse nuk duhet të sëmuren, por fakti, që shumë simptoma të alergjisë, ngatërrohen me simptomat e gripit ose virozëve, ndonjëherë thonë “Hë se është virozë”.

Nuk është virozë, në momentin që vetëm fëmija e kalon atë simptomë dhe asnjë pjesëtar tjetër i familjes, nuk e kalon, nëse fëmija juaj vetëm sëmuret, ndërkohë fëmijët e tjerë në kopësht sëmuren më rrallë. Prandaj, e mira është që këta fëmijë, të dërgohen tek mjeku specialist alergolog.

Gjithashtu, fëmijët të cilët që nga lindje kalojnë dermatitin atopik që zgjat. Këta fëmijë, duhet të dërgohen për vizitë tek mjeku alergolog, që kanë tendencën atopike, apo fëmijë që rrjedhin nga familje me pjesëtarë alergjik, prindërit, motra, vëllai, halla, tezja. Tek këta fëmijë duhet të dyshohet nëse simptomat e alergjisë janë të pranishme, atëherë duhet bërë një konsultë e specializuar.

Përsa i përket testit të alergjisë, ka disa kontradikta, rekomandohet që të bëhen mbi moshën gjashtë mujore, në mënyrë që imuniteti i fëmijës të jetë i formuar. Por, duhet të jemi të bindur dhe të qartë tek pacientët, se jo çdo analizë e kryer mbi këtë moshë është një analizë e vlefshme, sepse mund të kemi fals pozitiv, dhe fals negativ. Imuniteti i fëmijëve, është në rritje dhe në ndryshim deri në moshën 10 vjeçare.

Përsa i përket testeve që bëhen në lëkurë ato mund të bëhen në çdo grupmoshë. Por grup mosha që ne na lejon të punojmë më lehtë është mbi 4 vjeç. Tek grup mosha që janë nën 4 vjeç, mund të testohen 1-4 alergent, nuk mund të testohet bateria e plotë, sepse është e pamundur që fëmija të bashkëpunojë me mjekun.

4. Disa këshilla se si duhet ti mbrojnë fëmijët nga alergjia e shkaktuar nga ajëri i ndotur dhe polenet?

Në rastet, kur ne kemi pacientë alergjikë, duhet të kemi edhe një mbrojtje ndaj faktorëve acarues të alergjisë. E mira është që nëse kemi pacientë që janë alergjikë ndaj pluhurave të shtëpisë, ajrosja e ambientit duhet të jetë maksimale. Mos të mbahen arusha tek pjesa e krevatit gjithmonë. Duhet që prindërit, të mos i mbulojnë me batanije, çarçaf pambuku. Çarçafët e dyshekut duhet të ndërrohen njëherë në 2-3 ditë.

Ndërsa kur janë alergjik ndaj poleneve, ne rekomandojmë që në sezonin polenik, rekomandojmë që dyert e dritaret të jenë të mbyllura, që polenet të mos futen në shtëpi. Ajrosja e shtëpisë duhet të behet herët në mëngjes ose në darkë.

Kurse shëtitjet në orarin e pikut, paradite dhe në drekë e mira është që të shmanget, të mos ekspozohen në zona të gjelbëruara. Sapo kthehen në shtëpi duhet të heqin rrobat, të bëjnë një dush, që ato polene që kanë mbetur në rroba, mund të lahen dhe të shpërlahen, të mos ketë ngarkesë me vete. Këto janë këshilla minimaliste, nuk e zhbëjnë alergjinë por ul pak përqendrimin e tyre.

5. Cilat janë ushqimet që shkaktojnë alergji tek fëmijët? A duhet të ndalojnë konsumimin e tyre?

Ushqimet që shkaktojnë alergji më të shpeshta në moshat fëminore janë qumështi, nënproduktet e tij, veza, produktet e peshkut, frutat e detit, frutat e thata, kikirikët, arrat bajamet, lajthi, soja. Këto janë ushqimet më të shpeshta që akuzohen për alergji tek fëmijët. Alergjia nga qumështi dhe veza tek fëmijët mbi 5 vjeç, minimizohet. Përsa i përket frutave të thata, dhe frutave të detit, alergjia është më agresive, mund të zgjasë.

Futja në skemën e ushqimit, duhet bërë duke bërë një konsultë të detajuar me mjekun alergolog, për të vendosur sasinë dhe ushqimet që duhet ti jepen fëmijës. Janë disa skema trajtimi të personalizuara në bazë të pacientit dhe simptomave dhe ekzaminimeve. Është shumë e nevojshme konsulta me mjekun.

6. Si ta kuptojë nëna që fëmija është alergjik ndaj qumështit të formulës? Cilat janë shenjat dalluese?

Alergjia nga qumështi formulë, është një ndër më të shpeshtat, simptomat e para janë skuqja apo puçrrat në trup. Simptomat, të tjera që duken jo shumë tipike janë, pacienti, mund të ketë dhimbje barku, dhimbje në stomak që nëna nuk arrin dot ta kuptojë. Nëse vëren re se bëhet e përsëritshme sa herë që ajo i jep qumësht formulë, e mira është të konsultohet. Shenjat më tipike janë, diarreja ose jashtëqitje me gjak, është një shkallë e alergjisë më e rënduar disi nga formula.

Ndër simptomat që mund të japë alergjia e qumështit është edhe acarimi i dermatitit atopik ose i rrjebullës tek fëmija. Në momentin që ajo fillon të ushqehet me qumësht formulë, do të shohim që do të ketë një acarim më të madh të lëkurës, skuqje, kruarje, tharje të lëkurës e cila nuk justifikohet, pavarësisht rutinës së mirë që nëna mund të mbajë fëmijën, dushet, kremrat.

7. Të lutem a mund të tregoni një përvojë të shkurtër të një rasti që keni trajtuar fëmijë alergjik dhe çfarë mesazhi keni për prindërit?

Përsa i përket rutinës në klinikë dua të veçojë dy raste, është një fëmijë i vogël i moshës parashkollore diku tek 3-4 vjeç që sëmuret shumë shpesh me kollë, pas kollës fillon pjesa e temperaturës dhe rruf. Një fëmijë, që sapo shkonte në kopësht direkt sëmurej dhe rikthehej në shtëpi, ishe situatë shumë shqetësues, jo vetëm për atë por edhe familjen. Në testet e alergjisë, rezultojë që fëmijë ishte alergjik, nga pluhurat e shtëpisë dhe lagështira. U vendos një skemë trajtimi me mjekime anti-alergjike minimaliste, për të menaxhuar situatën, por jo duke e ngarkuar, dhe u vu re që fëmija kishte acarime më të pakta, ditë qëndrimi në kopësht më të gjata.

Dhe një jetë më cilësore, jo se nuk sëmurej. Nëse çdo muaj detyrohej të merrte antibiotik, që për mendimin tim është e gabuar sepse një fëmijë, nuk mund të bëjë infeksione bakteriale, dhe të përsëritura çdo muaj. Kështu, duhet hulumtuar më thellë për të parë nëse është një alergji që po acaron rrugët e tjera respiratore, duke marrë një mjekim të rregullt fëmija ishte më qetë nga rrugët e frymëmarrjes, bënte infeksione dhe hospitalizomë më të rralla.

Këshilla, që unë dua t’ju japë të gjithë nënave përsa i përket fëmijëve, nuk dua që ato të tremben nga një puçërr. Përsa i përket fëmijëve që bëjnë simptoma të shpeshta, me acarime të lëkurës, e mira është të drejtohen tek specialisti, jo të shkoni vetë direkt të bëni analizat e alergjisë, sepse nuk ka kuptim, por duhet të drejtoheni tek specialisti alergolog për të ndjekur një ekzaminim dhe një rutin pune më të specializuar.

Bebja.com

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.