Të mësosh fëmijën e vogël të lajë dhëmbët mund të jetë një nga sfidat më të vështira të nënës, por parandalimi i prishjes së dhëmbëve është pjesë e rëndësishme për të pasur shëndet të mirë.

Sipas një studimi të kryer në Angli në vitin 2015, rezultoi se një e katërta e fëmijëve deri në 5 vjeç kishin pasur probleme me 3-4 dhëmbë të prishur.

A ndikon prishja e dhëmbëve në shëndetin e fëmijëve?

Një shëndet jo i mirë dentar, sjell shumë pasoja për fëmijën dhe prindërit. Fëmijët që kanë infeksione ose probleme të tjera me dhëmbët, mund të hasin vështirësi në të ngrënë, mund të kenë probleme me peshën, me socializimin me bashkëmoshatarët, etj.

Pasoja të tjera

Pasojat e tjera janë se këta fëmijë do të kenë nevojë për trajtim, kështu do u duhet të mungojnë në shkollë, ndërsa prindërit të mos shkojnë në punë për t’i shoqëruar te dentisti.

Si të parandalojmë prishjen e dhëmbëve?

Mënyrat më të mira për të parandaluar prishjen e dhëmbëve te fëmijët janë këto:

1.Zvogëloni sasinë e sheqerit. Kjo mund të duket si diçka tepër e vështirë sepse përgjithësisht fëmijët i preferojnë ushqimet e ëmbla, por ja si mund të zvogëloni sasinë e sheqerit në dietën e vogëlushëve tuaj:

-Nëse i jepni diçka të ëmbël, jepjani në sasi të vogël gjatë vakteve, jo ndërmjet tyre dhe jo para gjumit.
-Pijet me sheqer nuk duhet t’ja jepni çdo ditë. Zëvendësojini ato me ujë ose lëngje pa sasi të lartë sheqeri.
-Mos i jepni më shumë se 150 ml lëng frutash në ditë.

2.Mësojini të lajnë dhëmbët, si pjesë të rëndësishme të rutinës së tyre, që duhet ta kryejnë çdo ditë.

-Fëmijët duhet t’i lajnë dhëmbët të paktën dy herë në ditë, një herë përpara se të flenë dhe në një moment tjetër kur është më e përshtatshme për ta.

-Duhet të përdorin një pastë fluoride, sapo t’ju dalë dhëmbi i parë.

-Mësojini që pastën duhet ta pështyjnë e jo të kapërcejnë.

Por, fëmijët deri në shtatë vjeç duhet t’i lajnë dhëmbët nën kujdesin e prindërve, që të siguroheni se po i lajnë siç duhet.

3.Shkoni rregullisht te dentisti

Kjo duhet të jetë edukatë për fëmijët tuaj, të cilët duhet t’i kontrolloni te dentisti sapo t’u dalë dhëmbi i parë e në vazhdim, jo vetëm kur të shfaqin probleme.

Për fëmijët nën tre vjeç

Pasi fëmijët të bëjnë gjashtë muajsh përpiquni që vetëm qumështin t’ja jepni me biberon, ndërsa lëngjet e tjera me filxhan.

Gjithashtu qumështi i nënës deri në një 1 vjeç ul rrezikun për t’u prekur nga kaviteti i dhëmbëve.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.