Shenjat e lindjes dhe proçesi

Të gjitha përgatitjet janë bërë tashmë për ditën e lindjes. Por si rrjedh në të vërtetë lindja?

Fillimi i lindjes, kontraksionet (dhimbjet)

Janë zakonisht shenjat e para që tregojnë se lindja pritet së shpejti. Ju ndieni therrje në shpinë, dhimbje të lehta menstruale ose një forcim të barkut. Kur të afrohet momenti i lindjes ndoshta do të keni pak sekrecione, të cilat mund të përmbajnë sasi të vogël gjaku.

Sapo të fillojnë kontraksionet e rregullta dhe me dhimbje duhet ta kontaktoni mjekun tuaj. Kontraksionet e rregullta zakonisht zgjasin 20 deri 60 sekonda dhe përsëriten çdo 5 deri 7 minuta.

Në rast se plasin ujërat, pra fillon të dalë lëngu amniotik dhe nga vagina rrjedh gjak, keni dhimbje koke të pazakonta ose dhimbje në pjesën e sipërme të barkut apo e ndieni pak ose nuk e ndieni fare fëmijën, atëherë duhet të shkoni në spital edhe pa filluar kontraksionet e rregullta.

Rrjedha e lindjes

Pasi të shtroheni në spital fillimisht bëhet ekzaminimi i rrahjeve të zemrës së fëmijës dhe i kontraksioneve tuaja. Në këtë mënyrë mund të zbulohet në kohë ndonjë situatë e rrezikshme për foshnjën që eventualisht mund të paraqitet gjatë lindjes.

Kontraksionet e shpeshta mundësojnë hapjen e qafës së mitrës dhe bebi rrëshqet gjithnjë e më thellë në pelvik. Në këtë fazë shpesh ndodh plasja e ujërave që dalin përmes vagjinës.

Nganjëherë qeska amniotike duhet të hapet nga mamia dhe kjo shkakton dhimbje. Kjo e ashtuquajtur “fazë e hapjes së mitrës” te femrat që lindin për herë të parë zgjat tetë deri dymbëdhjetë orë, te femrat që lindin për herë të dytë apo të tretë kjo fazë zakonisht zgjat më pak.

Pasi të jetë hapur tërësisht qafa e mitrës dhe koka e bebes të ketë mbërritur te pelviku, nëna duhet aktivisht ta shtyjë foshnjën poshtë.

Pas lindjes së fëmijës kontraksionet zgjasin edhe për një kohë të shkurtër derisa të dalë jashtë placenta. Pasi të ketë dalë placenta lindja konsiderohet e kryer.

Gjatë lindjes indet e vaginës dhe zona rreth vaginës zgjerohen shumë dhe kjo mund të shkaktojë të çara të vogla ose lëndime (epiziotomia). Meqë kjo prerje ndërmerret gjatë kontraksioneve shtyrëse, gruaja shtatzënë nuk ndien asgjë. Çarjet e mëdha dhe prerjet duhet të qepen pas lindjes.

Në përgjithësi këto lëndime shërohen shumë shpejt dhe mirë.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.