Të gjithë jemi fajtorë të të qenit të shpërqendruar kur fëmijët tanë duan të bëjnë një bisedë me ne, por ekspertët thonë se të vëmendja ndaj fëmijës është një nga gjërat më të rëndësishme që prindërit mund të bëjnë.

Ja sesi të trajnohemi për t’i dhuruar fëmijës gjithë vëmendjen e duhur.

Ne jemi duke i dëgjuar fëmijët tanë gjatë gjithë kohës. Jemi duke dëgjuar historitë e tyre krejtësisht naive për gjëra rreth botës së tyre (psh. vajza që na tregon për një poni me flokët rozë, që për të është poni më i bukur në botë) dhe nga ana tjetër i kuptojmë kur janë të shqetësuar nga mënyra se si sillen, si kanë varur shpatullat apo nga shprehjet e shqetësuara të fytyrës.

Të qenit prind do të thotë të jesh vazhdimisht i përfshirë dhe i pranishëm në forma të ndryshme. Gjithçka fillon kur ata janë fare të vegjël dhe vazhdon gjatë gjithë jetës.

“Të dëgjosh me vëmendje është një mënyrë se si përcjellim ndjeshmërinë tonë”, thotë Micheal Nichols, Ph.D., autori i librit “Arti i humbur i të të dëgjuarit”. “I bën fëmijët të kuptojnë se ndjenjat dhe mendimet e tyre janë të rëndësishme dhe se arrijnë të kuptohen dhe pranohen si të gjithë njerëzit”.

Por të qenit një dëgjues i mirë kërkon shumë punë e për këtë arsye konsiderohet si një lloj investimi. Në këtë mënyrë forconi vetëbesimin e fëmijës suaj dhe kur fëmija juaj ka fituar besimin se do të marrë vëmendjen e duhur nga ju, ata do të mund të bisedojnë me ju çdo gjë.

Plus, kur jeni duke i dëgjuar me vëmendje, jeni në gjendje të kuptoni mes rreshtave dhe të përgjigjeni siç duhet. Gjithashtu, i mësoni fëmijës të bëhet një dëgjues i mirë në të ardhmen – çka është një prej aftësive më të mira që mund të mësojnë.

Në fakt, sipas ekspertëve, bisedat mes prindërve dhe fëmijës ku fëmija ndihet i dëgjuar dhe njëkohësisht mëson edhe të dëgjojë, janë kyçe për një karrierë të suksesshme, marrëdhënie të shëndosha dhe jetë të lumtur. Për këtë arsye, mund t`i konsideroni këto sugjerime si strategji që do ju ndihmojnë ju dhe familjen tuaj për vitet në vazhdim.

Jini të gatshëm të dëgjoni

Nëse fëmija është duke ju thënë diçka, ndaloni atë që po bëni (nëse është e mundur). Psh. mund t`i thoni: “Prit të lutem sa të mbyll laptopin që të të dëgjoj me vëmendje”.

Bashkëautorja e librit “I gjithë truri i fëmijës” psikoterapuetja Tina Payne, Ph.D., rekomandon të uleni kur bisedoni me fëmijën. Në këtë mënyrë, i tregoni fëmijës se keni kohë për të dhe i jepni mundësi të relaksohet. Kështu, jo vetëm që i jepni fëmijës ndjesinë se po merr vëmendjen e duhur, por i mësoni edhe zakone të mira të të dëgjuarit: përqendrimin, largimin e telefonave dhe vlerësimin e marrëdhënies mbi të gjitha.

Qetësohuni para se të flisni me ta

Para se të nisni të flisni me ta, përpiquni të largoni mendjen nga gjithë punët e tjera, qetësohuni dhe përqendrohuni. Nëse ju duket si ndonjë ushtrim meditimi, keni të drejtë, nuk është e thjeshtë dhe kërkon praktikë.

Nëse ndodh që ta humbisni fillin e bisedës dhe të shpërqendroheni mund të kërkoni ndjesë e t`i kërkoni ta përsërisë atë që po thoshte; “Më fal e humba për një moment. Mund ta përsërisësh edhe një herë të lutem?” Këshilluesja e prindërve Lisa Damour, Ph.D., autore e librit “Nën presion”, thotë, “Mendoni për të dëgjuarin si një muskul që duhet ta ndërtoni. Ndonjëherë ushtrimet nuk janë shumë të këndshme.”

Kur fëmija është duke ju treguar një ngjarje nuk është e nevojshme të planifikoni paraprakisht për përgjigjen, ose të kërkoni paraprakisht zgjidhjen e problemit. Dr. Damour rekomandon të pyesni veten si fillim, “A jam duke dëgjuar apo thjesht po pres të flas?”

Bëni pyetje të mira

Thelbi i të qenit një dëgjues i mirë nuk do të thotë të rrish domosdoshmërish i heshtur. Kur bëni pyetje, e ktheni bisedën në një bashkëbisedim dhe shpesh këtë është duke pritur edhe fëmija juaj. Kur fëmija juaj ndihet i mërzitur, pyetja më e rëndësishme që duhet t’i drejtoni është: “Ke nevojë për ndihmë apo thjesht do të flasësh për këtë gjë?”.

Mundohuni të bëni pyetje që nuk kanë qëllime të fshehura. Kate Murphy, autorja e librit “Nuk je duke dëgjuar: Çfarë je duke humbur dhe pse ka rëndësi” thotë, “Dëgjuesit e mirë bëjnë pyetje të mira” Ato nuk duhet të jenë pyetje të kamufluara me qëllimin për të dhënë një këshillë, apo për t`i bindur për një ide tuajën.

Përsërisni ato që dëgjoni

Kjo është një mënyrë e njohur e dëgjimit aktiv. Mund të jetë në formën e reagimeve të shpejta të tipit “Sa qejf!” ose si një përmbledhje më e gjatë e asaj çka po dëgjoni “Ajo nuk është ulur pranë teje edhe pse të kërkoi t’ia ruaje vendin. Kjo duhet të të ketë lënduar shumë.”

Për t’u siguruar rreth asaj që keni kuptuar dhe dëgjuar mund të përdorini këtë fjali “Ajo që unë kuptova është se… Apo jo?”

Për fëmijët më të vegjël, dëgjimi reflektues është zakonisht aq i thjeshtë sa dhe identifikimi i emocioneve të tyre.

Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, duke i vënë në dukje në mënyrë të kujdesshme dhe empatike atë që po përjetojnë apo ndiejnë i ndihmojmë në rregullimin e gjithë sistemit nervor dhe zemra e tyre rreth më ngadalë. Mund të thoni: “Duhet të jesh shumë i nervozuar!” ose “Je shumë i mërzitur!”.

Përpiquni të jeni plotësisht aty

Kjo do të thotë të dëgjoni jo vetëm me vesh por edhe me sy, mendje e zemër. Të dëgjuarit kërkon të jesh i pranishëm, jo vetëm tek komunikimi verbal.

Nëse fëmija është duke ju treguar për diçka dhe vini re se fjalët e tij nuk përputhen me ndjesinë që po ju përcjell duhet të shkoni më tutje me pyetjet për ta zbërthyer atë, ose thjesht mund ta përkrahni qetësisht atë.

E megjithatë, ndonjëherë bisedat më të rëndësishme me fëmijët tanë ndodhin kur nuk na shohin në sy. Kur jemi duke i dhënë makinës,

kur jemi duke bërë një shëtitje, ose para gjumit. Është e pabesueshme sa çfarë fëmijët mund të tregojnë në errësirë, para gjumit, kur fytyra e tyre ndriçohet vetëm nga drita e zbehtë e hënës. Dhe çuditërisht, ai është momenti që dhe ne si prindër dëgjojmë më mirë.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.