Ndiheni të lodhur dhe të frustruar. Fëmija juaj është tashmë në shkollë dhe përsëri ka raste që lag shtratin natën.

Keni provuar t`i shmangni lëngjet para gjumit. Keni provuar ta zgjoni në mes të natës për të shkuar në tualet. Por prapë, asgjë nuk ka funksionuar.

Nuk jeni të vetëm. Prindërit shpesh shqetësohen për këtë problem të njohur si urinim i pavullnetshëm në fëmijët mbi 5 vjeç ose më shumë.

Por në fakt, rreth 15% e fëmijëve të moshës 5 vjeç, vazhdojnë të lagin krevatin natën.

A duhet të jeni të shqetësuar?

Sipas pediatërve, urinimi i pavullnetshëm natën nuk duhet të përbëj një problem nëse fëmija nuk ka kaluar 7 vjeç.

Nëse fëmija juaj lag krevatin natën në moshën 7 vjeçare, duhet të konsultoheni me një pediatër. Zakonisht, shkaku mund të jetë një problem me zhvillimin e fshikëzës urinare.

Ky shqetësim zakonisht ndodh në djem dhe në më të shumtën e rasteve nuk ka probleme të tjera shoqëruese shëndetësore.

Prindërit janë të mërzitur dhe të shqetësuar sepse ky është një problem që zgjat dhe mund të ndikojë edhe në cilësinë e gjumit për gjithë familjen.

Disa nga këshillat që pediatri rekomandon janë:

• Ndryshoni orare për pirjen e lëngjeve – Shtoni sasinë e lëngjeve gjatë fillimit të ditës dhe pakësojini ato në orët e vona.

• Përcaktoni disa orare për tualetin – Shoqërojeni fëmijën për rreth çdo 2 ose 3 orë në banjë dhe gjithmonë para gjumit.

• Inkurajojeni fëmijën – Bëjeni fëmijën të ndihet mirë për çdo progres dhe arritje duke e lavdëruar.

• Shmangni irritantët e fshikëzës urinare – Në darkë shmangni çokollatën me qumësht ose kakaon. Po ashtu, duhet të shmangni edhe lëngjet e frutave si lëngu i portokallit dhe ëmbëlsuesit.

• Shmangni etjen – Jepini fëmijës me vete në shkollë një shishe ujë, në mënyrë që fëmija mos të kthehet i etur në shtëpi.

• Konsideroni konstipacionin një faktor të mundshëm – Meqenëse rektumi ndodhet mbrapa fshikëzës urinare, konstipacioni mund të ndikojë në problemet e fshikëzës urinare. Kjo ndodh në 1/3 e fëmijëve që lagin krevatin natën.

• Mos i zgjoni fëmijët natën për të urinuar – nëse e bëni vazhdimisht këtë gjë, nuk do të zgjidhni problemin, por do të shkaktoni më shumë irritim te fëmija për shkak të prishjes së gjumit.

• Orar më i zgjatur i gjumit – shpesh herë fëmijët bëjnë gjumë më të thellë pasi nuk flenë mjaftueshëm gjumë. Provoni të vendosni më herët fëmijën në gjumë për të plotësuar orarin e nevojshëm të gjumit.

• Largoni fëmijët nga ekrani – Përmirësimi i higjenës së gjumit me largimin nga ekrani para gjumit, i ndihmon fëmijët në cilësinë e gjumit.

• Mos i ndëshkoni– Të nervozoheni me fëmijën tuaj nuk i ndihmon ata të mësojnë. Ky proces nuk duhet të kthehet në konflikt mes jush.

Kur duhet të shqetësohen prindërit?

Ndonjëherë urinimi i pavullnetshëm natën mund të jetë një tregues i një problem shëndetësor më të rëndësishëm, përfshirë:

• Apnenë e gjumit – Nëse fëmija gërhet natën ose ka shenja të tjera të apnesë, do të duhet të bëhen teste të tjera.

• Infeksion të traktit urinar – I cili mund të përcaktohet me një analizë urine.

• Diabet– Po ashtu, mund të rezultojë nga analiza e urinës ose nga analiza të tjera që mund të rekomandohen nga pediatri.

Nëse fëmija paraqet inkontinencë urinare edhe përgjatë ditës, duhet të konsiderohet edhe mosha. Zakonisht fëmijët e kalojnë këtë problem me moshën, por për të qenë të sigurt konsulta e pediatrit është gjithmonë e këshillueshme.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.