Shenjat e para të shtatzënisë ndryshojnë nga një grua në tjetrën dhe ndryshojnë edhe për të njëjtën grua për çdo shtatzëni.

Shenja e vërtetë që tregon shtatzëninë është mungesa e menstruacioneve, shenjat e tjera janë subjektive.

Por pas sa ditësh kuptohen shenjat e shtatzënisë?

Në disa gra shenjat e para të shtatzënisë shfaqen rreth një javë pas ngjizjes, në disa të tjera mund të shfaqen disa javë më pas dhe në disa të tjera mund të mungojnë.

Si të kuptojmë shenjat e para të shtatzënisë?

1- Rrjedhje për shkak të ngjizjes

Rrjedhja e gjakut mund të ndodhë pas rreth 5-8 ditësh nga ngjizja dhe mund të jetë një nga shenjat e para të shtatzënisë. Kjo ndodh pasi embrioni fiksohet ne uterus.

Rrjedhjet mund të shoqërohen edhe me dhimbje të ngjashme me ato të menstruacioneve.

2- Mungesa e ciklit

Cikli në përgjithësi vjen disa javë pas ovulimit dhe mungesa e tij është një nga shenjat, që shpesh jep sinjal “alarmi” për një shtatzëni të mundshme.

Mund të ndodhë që të shfaqet cikli nëse gruaja është shtatzënë?

Po, mund të ndodhë që edhe gjatë shtatzënisë të shfaqen menstruacionet false, në rast se shtatzënia sapo është formuar. Por, rrjedhjet e gjakut janë me fluks të pakët dhe me ngjyrë të ndryshme nga menstruacionet.

3- Ndryshim i gjoksit

Tensioni në gjoks si edhe fryrja e tij është një tjetër shenjë e shtatzënisë. Kjo ndodh për shkak të rritjes së nivelit të progresteronit, i cili çlirohet pas pllenimit të qelizës vezë.

Ndryshimet në gjoks mund të ndodhin 1-2 javë pas ngjizjes. Edhe thithat e gjoksit mund të ndryshojnë si edhe areolat mund të bëhen më të errëta.

4- Kur shfaqen të vjellat e mëngjesit?

Të vjellat dhe të përzierat shfaqen nga java e 2-të deri në javën e 8-të nga ngjizja dhe në përgjithësi zhduken në fund të tremujorit të parë të shtatzënisë.

Nuk duhet të shqetësoheni në rast se nuk keni të vjella, pasi çdo grua është e ndryshme nga tjetra.

5- Lodhje dhe përgjumje

Nëse nuk keni një infeksion apo temperaturë në trup lodhja dhe përgjumja mund të konsiderohen si shenjë shtatzënie.

6- Krampe abdominale

Gjatë javëve të para të shtatzënisë gruaja mund të manifestojë dhimbje të lehta në zonën uterine. Nëse këto dhimbje janë të forta duhet t’i drejtoheni menjëherë mjekut.

7- Dhimbje koke

Dhimbjet e kokës shfaqen shpesh gjatë shtatzënisë, duke filluar nga javët e para.

Nëse dyshoni se jeni shtatzënë dhe keni dhimbje koke mos pini asnjë medikament pa u konsultuar më parë me mjekun gjinekolog.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.