Faktori kryesor që ndikon në gjatësinë e një personi është natyrisht “background”-i gjenetik. Por, ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në gjatësinë e një fëmije gjatë rritjes dhe zhvillimit, përfshirë ushqimin, hormonet, nivelin e aktivitetit fizik dhe probleme mjekësore.

Shkencëtarët besojnë se përbërja gjenetike, ose ADN -ja, është përgjegjëse për rreth 80% të gjatësisë së një personi. Kjo do të thotë, për shembull, që njerëzit e gjatë kanë tendencë të kenë fëmijë të cilët gjithashtu do të jenë të gjatë.

Rritja përfundon deri nga mosha 18 vjeç. Para kësaj, një sërë faktorësh mjedisorë mund të ndikojnë në këtë proçes.

Në këtë artikull flitet për faktorët që ndikojnë në gjatësinë e një personi, disa mënyra se si mund të nxitet gjatësia gjatë zhvillimit dhe nëse të rriturit mund të ndikojnë ose jo në gjatësinë e tyre.

Njerëzit nuk mund të kontrollojnë shumicën e faktorëve që ndikojnë në gjatësinë e tyre. Kjo ndodh sepse këta faktorë përcaktohen nga ADN -ja, të cilën nuk mund ta ndryshojmë dot.

Sidoqoftë, disa faktorë mund të nxisin ose të frenojnë rritjen gjatë fëmijërisë dhe pubertetit. Fëmijët dhe adoleshentët në rritje mund të ndërmarrin disa hapa për të arritur gjatësinë maksimale të tyre në të rritur. Këto përfshin:

Sigurimi i ushqyerjes së shëndetshme

Ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në rritje dhe zhvillim . Fëmijët e ushqyer në mënyrë jo të shëndetshme mund të mos jenë aq të gjatë sa fëmijët e ushqyer korrekt dhe shëndetshëm .

Nutricionistët rekomandojnë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë një dietë të larmishme dhe të ekuilibruar me shumë fruta dhe perime. Kjo do të sigurojë marrjen e duhur të vitaminave dhe mineraleve që u nevojiten për të lulëzuar (për t’u rritur).

Proteinat dhe kalciumi janë veçanërisht të rëndësishëm për shëndetin dhe rritjen e kockave.

Disa ushqime të pasura me proteina janë:

• Mish
• Shpendët
• Ushqim deti
• Vezët
• Bishtajoret (Legumet)
• Arra dhe fara

Disa ushqime të pasura me kalcium janë:

• Kos
• Qumësht
• Djathë
• Brokoli
• Lakër jeshile
• Fasulet
• Portokalli
• Sardele
• Salmon

Sigurimi i ushqyerjes së mirë gjatë shtatzënisë është gjithashtu i rëndësishëm për shëndetin e kockave dhe rritjen e fetusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që gratë shtatzëna të konsumojnë një sërë ushqimesh, duke përfshirë “perime jeshile dhe portokalli, mish, peshk, fasule, arra, produkte të qumështit të pasterizuar dhe fruta”.

Orët e mjaftueshme të gjumit

Gjumi promovon rritjen dhe zhvillimin tek fëmijët dhe adoleshentët. Gjatë gjumit , trupi lëshon hormonet e nevojshme për t’u rritur. Pra në një lloj mënyre gjumi mund të ndikojë në rritjen optimale dhe shprehja e gjyshërve tanë “Gjumi të rrit” është mëse e vërtetë.

Stërvitja e rregullt

Ushtrimet e rregullta janë gjithashtu të rëndësishme për zhvillimin normal fizik. Të luash jashtë ose të marrësh pjesë në ndonjë sport, për shembull, mund t’i bëjë kockat më të shëndetshme, më “të dendura” dhe më të forta.
Cilët faktorë ndikojnë në gjatësinë ?

Foshnjat dhe fëmijët rriten vazhdimisht. Kjo është për shkak të ndryshimeve në pllakat e rritjes në kockat e gjata të krahëve dhe këmbëve. Pllakat e rritjes ndërhyjnë në formimin e kockave të reja, kockat e gjata bëhen më të gjata dhe fëmija bëhet më i gjatë.

Njerëzit rriten më shpejt në 9 muajt e parë të jetës , para se të lindin. Pas lindjes, ky proçes ngadalësohet.

Pas moshës 8 vjeç, një fëmijë do të rritet mesatarisht 5.5 centimetra në vit.

Thënë kështu, adoleshentët do të kenë një “rritje të shpejtë” gjatë kohës së pubertetit. Pas kësaj, pllakat e rritjes pushojnë së “prodhuari” kocka të reja dhe rritja do të ndalojë. Duart dhe këmbët ndalojnë rritjen të parat ,pastaj krahët dhe këmbët. Zona e fundit që ndalon rritjen është shtylla kurrizore.

Për shkak të proceseve tipike të plakjes, njerëzit fillojnë të humbasin gjatësi gradualisht ndërsa plaken.

Faktorët e mëposhtëm ndikojnë në gjatësinë e një personi:

ADN -ja

ADN -ja është faktori kryesor që përcakton gjatësinë e një personi.

Shkencëtarët kanë identifikuar më shumë se 700 gjene të ndryshme që përcaktojnë gjatësinë. Disa nga këto gjene ndikojnë në pllakat e rritjes, dhe të tjerët ndikojnë në prodhimin e hormoneve të rritjes.

Vlerat normale të gjatësisë janë të ndryshme për njerëz me prejardhje të ndryshme etnike. Përsëri, kjo përcaktohet nga ADN -ja e tyre.

Ka disa çrregullime gjenetike të cilat ndikojnë në gjatësinë e një personi, siç janë sindroma Down dhe Marfan.

Hormonet

Trupi prodhon hormone që “udhëzojnë” pllakat e rritjes të formojnë kocka të reja. Këto përfshijnë:

Hormoni i rritjes: Prodhohet në gjëndrën e hipofizës dhe është hormoni më i rëndësishëm i rritjes. Disa probleme shëndetësore mund të kufizojnë sasinë e hormonit të rritjes që prodhon organizmi, dhe kjo mund të ndikojë në gjatësinë e fëmijës . Për shembull fëmijët me një sëmundje të rrallë gjenetike të quajtur “Defiçit i Hormonit të Rritjes”- mungesa e lindur e hormonit të rritjes, do të rriten me një ritëm shumë më të ngadaltë sesa fëmijët e tjerë.

Hormonet e tiroides: Gjëndra tiroide prodhon hormone të cilët ndikojnë në rritje.

Hormonet seksuale: Testosteroni dhe estrogjeni janë shumë të rëndësishëm për rritjen gjatë pubertetit.

Gjinia

Meshkujt priren të jenë më të gjatë se femrat. Ata gjithashtu mund të vazhdojnë rritjen më gjatë se femrat. Mesatarisht, një mashkull i rritur është rreth 14 cm më i gjatë se një femër e rritur.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në Shtetet e Bashkuara, mashkulli mesatar është 175.2 cm i gjatë, dhe femra mesatare është 161.5 cm i gjatë.

A munden të rriturit të ndikojnë në gjatësinë e tyre?

Sapo një person të ketë kaluar pubertetin, pllakat e rritjes ndalojnë formimin e kockës së re. Ato bashkohen së bashku dhe personi ndalon së rrituri. Kjo do të thotë që kur një person mbush 18 vjeç, ai nuk mund të zgjatet më.

Praktikimi i një qëndrimi korrekt – qëndrimi drejt si dhe mbajtja e muskujve të shpinës të fortë mund ta lejojë një person të qëndrojë drejt dhe të duket më i gjatë.

Përmbledhje

Gjatësia përcaktohet kryesisht nga ADN-ja . Sidoqoftë, faktorët mjedisorë si ushqimi dhe stërvitja mund të ndikojnë në rritjen gjatë zhvillimit.

Ndërsa fëmijët rriten, ata kanë nevojë për ushqim të shëndetshëm dhe shumë ushtrime për të ndihmuar trupat e tyre të prodhojnë hormonet e nevojshme për t’u rritur. Adoleshentët përjetojnë rritje të shpejtë gjatë pubertetit. Pas kësaj, kockat e tyre do të ndalojnë së rrituri dhe ata nuk do të mund të zgjaten më.

Ushqimi i mirë gjatë shtatzënisë është gjithashtu i rëndësishëm për shëndetin e ardhshëm të kockave dhe rritjen e foshnjës.

Shënim : (Pllaka e rritjes është një zonë në fund të kockave të gjata që përmban qeliza të quajtura qeliza kartilago të cilat ndahen dhe maturohen për t’u bërë kockë. Kocka rritet në gjatësi dhe gjerësi në këto zona derisa pllakat e rritjes të forcohen, ose mbyllen).

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.