Gastriti dhe ulçera peptike janë ndër problematikat më të shpeshta të aparatit tretës, por shpesh trajtohen lehtësisht ose me vetë-mjekim, duke u konsideruar si “diçka normale”. Mjekja gastrohepatologe Fiona Domi shpjegoi gjatë një interviste për Bebja.com se këto gjendje kanë shkaqe të qarta dhe të trajtueshme, por kur neglizhohen, mund të çojnë në komplikacione serioze, duke përfshirë gjakderdhje, perforacion dhe madje rritje të rrezikut për kancer të stomakut.
Sipas mjekes Domi, gastriti është një dëmtim mikroskopik i mukozës së stomakut, ndërsa ulçera peptike është një plagë më e thellë, zakonisht mbi 5 mm, që prek kryesisht stomakun ose duodenin. Dy faktorët kryesorë shkaktarë janë infeksioni me bakterin Helicobacter pylori dhe përdorimi i zgjatur ose në doza të larta i barnave anti-inflamatore josteroidale (NSAID), si ibuprofeni, naprokseni dhe aspirina. H. pylori shkakton inflamacion të mukozës dhe mund të çojë në ulçera gastrike e duodenale, ndërsa NSAID-të dëmtojnë mekanizmat mbrojtës të stomakut. Shkaqe të tjera përfshijnë gastritin autoimun, abuzimin me alkoolin, refluksin biliar dhe sëmundje të rënda sistemike. Stresi psikologjik dhe disa ushqime nuk janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të ulçerës, por mund të përkeqësojnë ndjeshëm simptomat.
Simptomat ndryshojnë nga pacienti në pacient dhe, në disa raste, sëmundja mund të jetë e heshtur. Më të shpeshtat janë dhimbja ose djegia në pjesën e sipërme të barkut, ndjesia e rëndesës pas ngrënies, fryrja, ngopja e shpejtë, të përzierat, gromësirat dhe urthi. Në rastet e komplikuara shfaqen shenja alarmi si jashtëqitje e zezë (melenë), të vjella me gjak, dobësi dhe marramendje, të cilat kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Mjekja Domi thekson se nuk duhet të pritet që simptomat të bëhen të forta. Nëse dhimbjet apo shqetësimet e stomakut përsëriten, zgjasin në kohë ose ndikojnë në ushqyerje e cilësinë e jetës, konsultimi me mjekun është i nevojshëm. Vëmendje e veçantë kërkohet për humbjen e pashpjegueshme të peshës, aneminë, të vjellat e përsëritura, vështirësinë në gëlltitje, gjakderdhjen gastrointestinale ose dhimbjet e forta e të papritura.
Diagnoza fillon me historinë e detajuar klinike dhe ekzaminimin fizik. Testimi për H. pylori (me frymëmarrje, antigjen në feçe ose biopsi) është thelbësor, ndërsa endoskopia rekomandohet veçanërisht kur ka shenja alarmi ose simptoma të vazhdueshme. Gjatë endoskopisë mund të merret edhe biopsi për ekzaminim histopatologjik.
Neglizhimi i simptomave lejon përparimin e sëmundjes drejt komplikacioneve si gjakderdhja, anemia, perforacioni i stomakut ose duodenit dhe obstruksioni i daljes gastrike. Infeksioni kronik me H. pylori lidhet gjithashtu me rritjen e rrezikut për kancer të stomakut dhe limfomën MALT. Një problem i shpeshtë është edhe vetë-mjekimi i zgjatur me barna që lehtësojnë përkohësisht simptomat, pa eliminuar shkakun real.
Ingtervista e plotë:
1. Çfarë e shkakton gastritin dhe ulçerën?
Gastriti përkufizohet si një dëmtim mikroskopik I stomakut kryesisht I mukozës .Ulcera peptike përkufizohet si një plagë më e thellë e mukozës rreth 5 mm ose më shumë përgjatë traktit tretës ,kryesisht në stomak ose duoden.
Gastriti dhe ulçera peptike kanë disa faktorë shkaktarë, por ndër më të rëndësishmit janë infeksioni më Helicobacter pylori dhe përdorimi i barnavë anti-inflamatorë josteroidalë (NSAID), si ibuprofeni, naprokseni dhe aspirina.
H. pylori shkakton inflamacion të mukozës së stomakut dhë mund të jetë përgjegjës për zhvillimin ë ulçerës gastrike dhe duodenale. NSAID-të, veçanërisht kur përdoren për periudha të gjata ose në doza të larta, dëmtojnë mekanizmat mbrojtës të mukozës dhe rrisin rrezikun për gastrit, erozione dhe ulçera.
Gastriti mund të ketë edhe shkaqe të tjera, si gastriti autoimun, konsumimi i tepërt i alkoolit, refluksi biliar, sëmundjet e rënda sistemike dhe, në raste të caktuara, faktorë të tjerë infektivë. Stresi psikologjik dhe disa ushqime nuk janë zakonisht shkaktarë të drejtpërdrejtë të ulçerës, por mund të përkeqësojnë simptomat.
2. Cilat janë simptomat?
Simptomat mund të ndryshojnë nga një pacient te tjetri dhe, në disa raste, gastriti ose ulçera mund të jenë dhe pa simptoma.
Më të shpeshtat janë dhimbja ose djegia në pjesën e sipërme të barkut, ndjesia e rëndesës pas ushqimit, fryrja, ngopja e shpejtë, të përzierat, gromësirat dhe urthi. Të pacientët më ulçerë, dhimbja mund të këtë një lidhje të caktuar me ushqimin, por kjo nuk është gjithmonë ë pranishme.
Në rastet e komplikuara mund të shfaqën shenja të gjakderdhjes, si jashtëqitje zezë(melenë), të vjella me gjak(hematemezë), dobësi dhe marramendje, të cilat kërkojnë vlerësim urgjent mjekësor.
3. Kur duhet ti drejtohemi mjekut?
Nuk duhet të presim që simptomat të bëhn të forta ose të vazhdueshme. Nëse dhimbja ose shqetesimet ë stomakut përsëriten, zgjasin në kohë, ndikojnë në ushqyerje ose në cilësinë e jetës, është e këshillueshme të konsultohemi me mjekun.
Vëmendje e veçantë kërkohet kur shfaqen: humbje pashpjegueshme në peshë, anemi, të vjella të përsëritura, vështirësi në gëlltitjë, gjakderdhj gastrointestinale ose dhimbje të forta dhë të papritura abdominal. Jashtëqitja e zezë si katran ose të vjellat me gjak janë shenja alarmi dhe kërkojnë vlerësim urgjent.
4. Si diagnostikohet?
Diagnoza fillon me historinë e detajuar të pacientit dhe ekzaminimin klinik. Mjeku vlerëson karaktëristikat e dhimbjes, simptomat shoqëruese, përdorimin e NSAID-ve, historinë mjekësore dhe faktorët e tjerë të rrezikut. Një element i rëndësishëm është diagnostikimi i infeksionit me H. pylori, i cili mund të kryhet me teste të frymëmarrjes, antigjenin në feçe ose, në rrethana të caktuara, përmes biopsisë gjatë endoskopisë. Ëkzaminimi endoskopik është veçanërisht i rëndësishëm kur ka shenja alarmi, simptoma të vazhdueshme ose dyshim për ulçerë dhe komplikacione. Gjatë ekzaminimit mund të merret edhe biopsi për ekzaminim histopatologjik dhe për vlerësimin e H. pylori.
5. Cilat janë pasojat kur neglizhohen simptomat dhe pacienti i drejtohet mjekut për. ndihmë në faza të avancuara të sëmundjes?
Neglizhimi i simptomave mund të lejojë që sëmundja të përparojë dhe të shfaqen komplikacione. Ndër më të rëndësishmet janë gjakderdhja gastrointestinale, anemia, perforacioni i stomakut ose duodenit,si dhe obstruksioni i daljes gastrike. Në rastin e infeksionit kronik me H. pylori, ekziston gjithashtu një lidhje me rritjen e rrezikut për kancerin e stomakut dhe limfomën MALT. Prandaj, identifikimi dhe trajtimi në kohë i faktorëve shkaktarë janë shumë të rëndësishëm.Një problem i shpeshtë në praktikë është edhe vetë-mjekimi për përiudha të gjata, veçanërisht me barna që lehtësojnë përkohësisht simptomat, pa u identifikuar shkaku i tyre. Përmirësimi i simptomave nuk do të thotë domosdoshmërisht se shkaku është eliminuar.
6. Cilat janë ushqimet që duhen shmangur, të lutem disa këshilla praktike?
Nuk ekziston një dietë universale që vlen për çdo pacient me gastrit ose ulçerë. Ushqimet nuk janë zakonisht shkaku kryesor i ulçerës, ndaj qëllimi është më tepër të identifikohen ushqimet që provokojnë ose përkeqësojnë simptomat individuale.
Në praktikë, pacientët mund të përfitojnë nga kufizimi i:
a.ushqimeve shumë pikante ose shumë të yndyrshme, nëse shkaktojnë simptoma;
b.alkoolit;
c.sasive të mëdha të kafesë ose pijeve me kafeinë, nëse përkeqësojnë shqetësimet;
d.vakteve shumë të mëdha, sidomos në mbrëmje.
Këshillohet të konsumohen vakte më të vogla dhe te rregullta, të hahet ngadalë dhe të shmanget qëndrimi në pozicionin e shtrirë menjëherë pas ushqimit. Gjithashtu, pacientët nuk duhet të përdorin në mënyrë të pakontrolluar barna si ibuprofeni, naprokseni apo aspirina, pasi këto mund të dëmtojnë mukozën gastrike. Nëse këto barna janë të domosdoshmë për një sëmundje tjetër, përdorimi i tyre duhet diskutuar me mjekun.
7. Të lutemi një mesazh sensibilizues për lexuesit?
Do të doja t’u përcillja lexuesve një mesazh të thjeshtë: mos e konsideroni dhimbjen e përsëritur të stomakut si diçka normale dhe mos e trajtoni për një kohë të gjatë vetëm me medikamente pa u konsultuar me mjekun.Gastriti dhë ulçera, në shumicën e rasteve, mund të diagnostikohen dhe trajtohen. Çelësi është të zbulohet shkaku, veçanërisht prania e H. pylori ose përdorimi i barnave që dëmtojnë mukozën gastrike, dhe më pas të trajtohet në mënyrë të përshtatshme.
Një diagnozë në kohë mund të bëjë diferencën midis një problemi të trajtueshëm dhe një komplikacioni serioz.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.