Në jetën e përditshme, të gjithë përjetojmë stres, shqetësim apo trishtim. Janë ndjenja normale që shpesh shërbejnë si paralajmërim për situata që kërkojnë vëmendje ose ndryshim në stilin e jetesës, mënyrës si mendojm.

Ka raste kur këto ndjenja zgjasin, bëhen intensive dhe fillojnë të ndikojnë në punë, marrëdhënie apo aktivitetet e zakonshme. Kur ndodh kjo, ankthi ose depresioni nuk janë thjesht reagime të përkohshme ato mund të jenë sinjal që trupi dhe mendja po kërkojnë ndihmë.

Ankthi: më shumë se shqetësim i zakonshëm

Ankthi shfaqet kur mendimet shqetësuese dhe frika nuk ndalen, edhe kur nuk ka një rrezik real.

Ai shpesh shoqërohet me simptoma fizike: tension muskulor, rrahje të shpejtë të zemrës, djersitje, ndjenja ngushtimi në gjoks ose frymëmarrje të shpejtë. Për disa individë, ankthi përjetohet në formën e shqetësimit të vazhdueshëm për të ardhmen, shqyrtimit të tepruar të vendimeve ose nevojës për të qenë vigjilent për gjithçka që mund të ndodh, përfshirë edhe frikën e fortë për shëndetin fizik dhe shqetësimin për pasojat ekstreme si vdekja.

Një tjetër shenjë është shmangia: situata që dikur dukeshin të qeta apo të zakonshme mund të bëhen të frikshme, dhe individi fillon të tërhiqet nga marrëdhëniet sociale ose aktivitetet sociale.

Depresioni: kur trishtimi bëhet më i thellë

Depresioni nuk është vetëm një ndjenj kalimtare trishtimi apo lodhjeje; është një gjendje që prek mënyrën se si individi përjeton botën, emocionet dhe veten. Ai shpesh shoqërohet me humbje të interesit dhe kënaqësisë për aktivitete që dikur sillnin gëzim, ndjenjë e zbrazëtie ose monotonia e vazhdueshme. Lodhja bëhet kronike, dhe energjia duket se mungon për detyrat e përditshme, duke e bërë edhe përballimin e situatave të zakonshme një sfidë.

Një tjetër shenjë e zakonshme është vështirësia për t’u përqëndruar, harrimi i detajeve dhe ndjenja e paaftësisë për të marrë vendime. Ndjenja e fajit, pavlefshmërisë ose dështimit shpesh shfaqet në mënyrë të tepruar, duke thelluar izolimin emocional.

Çrregullimet e gjumit, si gjumë i tepruar ose pagjumësi dhe ndryshimet në oreks janë gjithashtu të zakonshme, duke ndikuar direkt në energjinë fizike dhe mirëqenien e përgjithshme.

Kur simptomat zgjasin më shumë se dy javë dhe fillojnë të ndikojnë në funksionimin e përditshëm, marrëdhëniet ose punën, kjo është një shenjë se individi ka nevojë për mbështetje profesionale.

Një trajtim i hershëm mund të ndihmojë në rikthimin e stabilitetit emocional, përmirësimin e energjisë dhe motivimit, dhe në zhvillimin e strategjive për të përballuar sfidat e përditshme.

Kur është koha për të kërkuar ndihmë

Ndihma profesionale bëhet e nevojshme kur simptomat zgjasin më shumë se dy ose tre javë dhe fillojnë të ndikojnë në jetën e përditshme.

Disa tregues që kërkojnë vëmendje janë: humbja e aftësisë për të përballuar situata që më parë ishin të menaxhueshme, ndikimi negativ në marrëdhëniet sociale, performancë të ulët në punë ose studime, ose ndjenja e bllokimit emocional që nuk largohet me strategjitë personale të menaxhimit të stresit.

Psikologët dhe profesionistët e shëndetit mendor mund të ofrojnë mbështetje për të kuptuar origjinën e simptomave, për të zhvilluar strategji të qëndrueshme për menaxhimin e ankthit dhe depresionit, dhe për të rikthyer stabilitetin emocional. Ndihma profesionale nuk është shenjë dobësie, por një hap i guximshëm dhe i domosdoshëm drejt mirëqenies.

Kujdesi për shëndetin mendor: një prioritet

Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik. Një mirëqenie emocionale e qëndrueshme nuk vjen thjesht nga durimi apo injorimi i simptomave.

Të kërkuarit ndihmë i mundëson individit të rikthejë kontrollin mbi jetën e tij, të reduktojë ankthin dhe depresionin, dhe të ndërtojë strategji që ndihmojnë në përballimin e sfidave të përditshme. Kujdesi për veten është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë për të jetuar një jetë të plotë, të qetë dhe të balancuar emocionalisht.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2026. All Rights Reserved.