Klori në ujërat e pishinave, si dhe përdorimi më i shpeshtë i produkteve kozmetike, kontribuojnë në rritjen e kontaktit me alergjenë dhe irritantë potencialë. Lëkura, si organ imunologjikisht aktiv, reagon përmes mekanizmave të mbrojtjes të ndërmjetësuar nga qelizat Langerhans, mastocitet dhe imunoglobulinat. Kështu shpjegon mjekja alergologe Klaudia Leçini.

Në një intervistë për Bebja.com Klaudia Leçini thotë se reaksionet alergjike përfshijnë mekanizma imunologjikë dhe shpesh karakterizohen nga:

– kruarje intensive,
– shfaqje të përsëritura në të njëjtat zona,
– shpërndarje simetrike dhe histori të mëparshme reaksioni
– laboratorikisht: mund të ketë rritje të IgE specifike ose totale, eosinofili, ose pozitivitet në patch test.

Intervista e plotë:

1. Pse stina e verës rrit incidencën e reaksioneve alergjike në lëkurë?

Në stinën e verës, faktorët ambientalë si rrezatimi ultraviolet (UV), temperaturat e larta, poleni, insektet, klori në ujërat e pishinave, si dhe përdorimi më i shpeshtë i produkteve kozmetike, kontribuojnë në rritjen e kontaktit me alergjenë dhe irritantë potencialë. Lëkura, si organ imunologjikisht aktiv, reagon përmes mekanizmave të mbrojtjes të ndërmjetësuar nga qelizat Langerhans, mastocitet dhe imunoglobulinat (veçanërisht IgE). Këto stimulojnë reaksione të tipit I (anafilaktoid) dhe IV (reaksion i vonuar i hipersensitivitetit), duke çuar në manifestime kutane si urtikarie, dermatit kontakti apo fotodermatit.

2. Cilat janë format klinike më të zakonshme të manifestimeve alergjike në lëkurë gjatë verës?

Format më të shpeshta janë:

• Urtikaria akute ose e induktuar nga nxehtësia (cholinergic urticaria): karakterizohet nga eritemë dhe papula me prurit që zgjasin <24h, shpesh të precipituara nga djersa dhe rritja e temperaturës trupore.
• Fotodermatiti alergjik: një dermatit i tipit IV i ndjeshmërisë së vonuar, që shkaktohet nga ndërveprimi midis një fotosensibilizuesi (si parfumet, ilaçet topike, produktet kozmetike) dhe rrezatimit UV, që aktivizon limfocitet T.
• Dermatiti alergjik i kontaktit : ndodh pas kontaktit të përsëritur me alergjenë si nikeli në bizhuteri, lateksi, bimë të caktuara .
• Ekzema atopike përkeqësuar nga nxehtësia dhe lagështia: zakonisht te pacientë me histori atopie.

3. Si diferencohen reaksionet alergjike nga irritimet jo-alergjike të lëkurës gjatë kësaj periudhe?

Reaksionet alergjike përfshijnë mekanizma imunologjikë dhe shpesh karakterizohen nga:

– kruarje intensive,
– shfaqje të përsëritura në të njëjtat zona,
– shpërndarje simetrike dhe histori të mëparshme reaksioni
– laboratorikisht: mund të ketë rritje të IgE specifike ose totale, eosinofili, ose pozitivitet në patch test.

Irritimet, në të kundërt, janë të natyrës toksike, jo imunologjike, zakonisht të lokalizuara në zona të ekspozimit direkt, dhe përmirësohen më shpejt pas heqjes së irritantit.

4. Cilët janë faktorët predispozues që e bëjnë dikë më të ndjeshëm ndaj këtyre reaksioneve gjatë verës?

– Histori atopie (dermatit atopik, rinit alergjik, astmë)
– Hipersensitivitet i mëparshëm ndaj alergjenëve kontaktues
– Lëkurë e dëmtuar ose e dehidratuar, e cila e humb funksionin e saj barrierë
– Përdorimi i medikamenteve fotosensibilizuese (NSAIDs, tetraciklinat, diuretikët tiazidikë)
– Ekspozimi profesional (p.sh. pishinat, ambientet bujqësore, kozmetika).

5. Cilat janë masat parandaluese që rekomandohen për mbrojtjen e lëkurës në këto situata?

• Aplikimi i kremit mbrojtës me spektër të gjerë, preferueshëm me filtra fizikë si zink oksid dhe titanium dioksid, në lëkura të ndjeshme.

• Evitimi i ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut (10:00–16:00).
• Përdorimi i veshjeve të pambukta me ngjyra të hapura, për të reduktuar kontaktin me alergjenët dhe minimizuar djersitjen.
• Dushi pas djersitjes ose kontaktit me klor për të shmangur irritimin nga mbetjet kimike.
• Hidratim konstant i lëkurës me emolientë pa parfum.

6. Kur është e nevojshme të kërkojmë ndihmë te specializuar nga mjeku Alergolog?

Konsulta mjekësore është e rekomanduar kur:

– simptomat janë të përsëritura ose kronike,
– reaksionet janë të gjeneralizuara dhe nuk përgjigjen ndaj trajtimeve standarde
– ka dyshim për urtikarie fizike, fotodermatit ose ndjeshmëri ndaj ilaçeve apo kimikateve,
– kur nevojitet testim alergjik specifik (prick test, patch test, testime të provokimit të kontrolluar),
– ose për përpilimin e një plani individual trajtimi dhe parandalimi, përfshirë përdorimin e antihistaminikëve të gjeneratës së dytë, kortikosteroideve apo imunomodulatorëve.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2025. All Rights Reserved.