Ushqyerja me gji është metoda më e mirë për të ushqyer një foshnjë, pasi siguron të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten gjatë muajve të parë të jetës. Përmbajtja e antitrupave në qumështin e gjirit ndihmon në luftimin e viruseve dhe baktereve, duke ulur rrezikun për infeksione si ato të traktit gastrointestinal, infeksionet e veshit (otit media) dhe infeksionet respiratore. Kështu shpjegon pediatria Selma Selimaj.
Në një intervistë për Bebja.com Dr. Selma Selimaj thotë se ushqyerja me gji kontribuon në zhvillimin e trurit dhe aftësive intelektuale të foshnjës. Redukton rrezikun për astmë, alergji dhe diabet të tipit 1, si dhe ul mundësinë e obezitetit dhe diabetit të tipit 2 në jetën e mëvonshme.
Intervista e plotë
1. Cilat janë përfitimet e ushqyerjes me gji për foshnjën dhe nënën?
Përfitimet për foshnjën:
Ushqyerja me gji është metoda më e mirë për të ushqyer një foshnjë, pasi siguron të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten gjatë muajve të parë të jetës. Përmbajtja e antitrupave në qumështin e gjirit ndihmon në luftimin e viruseve dhe baktereve, duke ulur rrezikun për infeksione si ato të traktit gastrointestinal, infeksionet e veshit (otit media) dhe infeksionet respiratore.
Gjithashtu, ushqyerja me gji kontribuon në zhvillimin e trurit dhe aftësive intelektuale të foshnjës. Redukton rrezikun për astmë, alergji dhe diabet të tipit 1, si dhe ul mundësinë e obezitetit dhe diabetit të tipit 2 në jetën e mëvonshme. Po ashtu, ushqyerja me gji ndihmon në forcimin e lidhjes emocionale midis nënës dhe foshnjës.
Përfitimet për nënën:
Ushqyerja me gji përshpejton rikuperimin pas lindjes duke nxitur çlirimin e oksitocinës, një hormon që ndihmon mitrën të kthehet në përmasat e saj normale dhe redukton hemorragjinë pas lindjes.
Gjithashtu, ul rrezikun për kancer të gjirit dhe vezoreve, si dhe ndihmon në parandalimin e depresionit pas lindjes, duke forcuar marrëdhënien emocionale me foshnjën
2. Dr. Selma, çfarë këshillash praktike keni për nënat e reja? Si mund të kuptojnë kur foshnja e tyre është e uritur?
Shenjat e hershme të urisë te foshnja përfshijnë:
• Lëvizjen e kokës dhe kërkimin e gjirit.
• Futjen e duarve ose gishtave në gojë.
• Lëpirjen e buzëve ose gjuhës.
• Mbajtjen e gojës hapur.
Shenjat e vonshme të urisë përfshijnë të qarën e fortë dhe një fytyrë të tensionuar ose të skuqur si pasojë e të qarit.
3. Sa herë në ditë duhet të ushqehet foshnja sipas moshës së saj?
• 0-6 muajsh: Foshnjat ushqehen ekskluzivisht me gji ose formulë çdo 2-3 orë, rreth 8-12 herë në ditë.
• 6-12 muajsh: Fillojnë të konsumojnë ushqime të ngurta, por qumështi mbetet burimi kryesor i ushqimit. Ushqehen me gji rreth 6-8 herë në ditë.
• 1-2 vjeç: Ushqehen me gji 3-4 herë në ditë, krahas një diete të pasur me ushqime të ngurta.
4. Deri në çfarë moshe rekomandohet ushqyerja me gji?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ushqyerja ekskluzive me gji rekomandohet për 6 muajt e parë dhe duhet të vazhdojë deri në 2 vjeç ose më shumë, krahas ushqimeve të ngurta.
Gjithsesi, vendimi për ndalimin e ushqyerjes me gji mbetet në dorën tuaj dhe të foshnjës suaj. Disa foshnja fillojnë të zvogëlojnë numrin e ushqyerjeve me gji kur fillojnë të konsumojnë ushqime të ngurta. Ushqimet e para janë më tepër shije edukative dhe jo burim i madh ushqimi. Pas rregullimit me ushqimet e ngurta, rreth 9 muajsh, foshnjat fillojnë të përfitojnë më shumë nga vlerat ushqyese të tyre.
5. Cilat janë rastet kur foshnja mund të dëmtohet nga ushqyerja me gji?
Rastet kur ushqyerja me gji është e kundërindikuar përfshijnë:
• Kur foshnja vuan nga galaktozemia (një çrregullim i rrallë metabolik).
• Kur nëna është e infektuar me viruset HTLV-1 ose HTLV-2.
Gjendjet e nënës ku ushqyerja me gji nuk rekomandohet përfshijnë:
• Tuberkulozi aktiv dhe i patrajtuar.
• Varicela (lija e dhenve) e kaluar nga nëna 5 ditë para ose deri në 2 ditë pas lindjes.
• Lezione herpetike aktive në gji.
Raste të tjera kur ushqyerja me gji duhet të ndërpritet përkohësisht përfshijnë:
• Nëse nëna po përdor medikamente specifike si disa medikamente psikotrope, izotopet radioaktive ose është në kimioterapi.
• Kur nëna përdor droga të paligjshme si kokainë ose heroinë.
Në këto raste, duhet të konsultoheni me një mjek pediatër ose obstetër për udhëzime të mëtejshme.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.