Hernia diskale është ajo gjendje që prek shtyllën kurrizore kur anunulus fibrosus dëmtohet duke lejuar nucleus pulposus të dalë nga pozicioni i saj dhe në këtë mënyrë mund të prekë palcën kurrizore ose nervat që dalin nga shtylla kurrizore. Kështu shpjegon Fizioterapistja Majlinda Marku.
Në një intervista për Bebja.com Majlinda Marku thotë se simptomat më të zakonshme janë dhimbje, mpirje dhe dobësim ose rënie e forcës muskulore.
Simptomat varen gjithashtu dhe nga niveli I dëmtimit të diskut. Nëse disku nuk ka prekur nervat shfaqet me dhimbje ose pa simptomatika, nëse disku ka prekur nervat përveç dhimbjes shfaqen edhe mpirje ose ndjesi pickimi si dhe dobësi të gjymtyrës që nervi I prekur inervon.
Më tej fizioterapistja tregon se hernia diskale zakonisht nuk ndodh gjatë shtatzënisë por mund të jetë prezentë përpara. Këshilla ime në këtë rast do ishte që nëse vuani nga hernia diskale apo problematika të tjera të shtyllës kurrizore , të trajtohen përpara planifikimit për shtatzëni dhe gjatë shtatzënisë të mbahet nën kontroll me ushtrime të lehta.
Intervista e plotë:
1. Çfarë është Hernia Diskale?
Për të shpjeguar hernien diskale si fillim na duhet të shpjegojmë shkurtimisht dhe në mënyrë të thjeshtë si është e ndërtuar shtylla kurrizore.
Shtylla kurrizore është e ndërtuar nga kockat e vogla të cilat quhen vertebra dhe janë të vendosura njëra mbi tjetrën ku ndërtimi I tyre anatomik e lejon palcën kurrizore të kalojë nëpërmjet tyre dhe nervat qe inervojnë pjesët e trupit dalin prej tyre në të gjitha nivelet e tyre. Në mënyrë që të mundësojnë lëvizshmërinë dhe të amortizojnë forcat mes vertebrave janë të vendosura disqet ndërvertebrale. Disku në vetvete është I formuar nga annulus fibrosus(unaza fibroze) e cila rrethon nucleus pulposus(bërthamën).
Hernia diskale është ajo gjendje që prek shtyllën kurrizore kur anunulus fibrosus dëmtohet duke lejuar nucleus pulposus të dalë nga pozicioni I saj dhe në këtë mënyrë mund të prekë palcën kurrizore ose nervat që dalin nga shtylla kurrizore.
2. Cilat janë simptomat?
Në varësi të nivelit të diskut të dëmtuar simptomat shfaqen në pjesën cervikale (qafë) dhe krah ose në pjesën lumbare(mesi) dhe në këmbë. Kemi dhe rastin kur preken disqet në nivelin torakal por qe janë shumë më pak të zakonshme.
Simptomat më të zakonshme janë dhimbje, mpirje dhe dobësim ose rënie e forcës muskulore.
Simptomat varen gjithashtu dhe nga niveli I dëmtimit të diskut. Nëse disku nuk ka prekur nervat shfaqet me dhimbje ose pa simptomatika , nëse disku ka prekur nervat përveç dhimbjes shfaqen edhe mpirje ose ndjesi pickimi si dhe dobësi të gjymtyrës që nervi I prekur inervon.
3. Shumica e njerëzve mendojnë se Hernia Diskale shkarkohet nga puna e tepërt fizike por për ta kuptuar më mirë lexuesit donim të dinim se çfarë e shkakton?
Hernia diskale është shpesh rezultat i degjenerimit të diskut I cili vjen me moshën, me kalimin e viteve disku bëhet më pak fleksibël dhe me I pirur për tu carë apo dëmtuar nga lëvizje të vogla e ndonjëherë të papërfillshme, gjithashtu ligamentet që ndihmojnë në mbajtjen e vertebrave dhe disqeve në pozicionin normal dobësohen duke rritur riskun për dëmtim të diskut.
Faktoret e riskut që mund të çojnë në dëmtimin e diskut janë:
– Mbipesha – pesha më e lartë e trupit mund të shkaktojë më shumë stres në disqe kryesisht në pjesën lumbare
– Lloji I punës- punët që kërkojnë angazhim fizik si: ngritje peshash, shtyrje , tërheqje , rrotullime të trupit të ekzagjeruar, përkulje përpara apo anash për një kohë të gjatë mund të bëhen shkak për dëmtim të diskut.
– Faktorët gjenetik- disa persona janë të predispozuar gjenetikisht për të zhvilluar dëmtim.
– Jeta sedentare- mungesa e aktivitetit fizik dhe qëndrimi për një kohë të gjatë pa lëvizur.
4. Majlinda të lutemi disa këshilla praktike, si mund të kujdesen më tepër njerëzit që të mos rrezikohen nga hernia Diskale?
Këshilla kryesore praktike se si mund të parandalojmë dëmtimet në shtyllën kurrizore është duke e bërë aktivitetin fizik pjesë të përditshmërisë.
Mbajtja e një posture të mirë mund të jetë një faktor parandalues.
Mbajtja e një peshe trupore normale
5. Hernia Diskale gjatë shtatzënisë, çfarë problemesh mund të shkaktojë dhe çfarë sugjeroni ju si fizioterapisë?
Hernia diskale zakonisht nuk ndodh gjatë shtatzënisë por mund të jetë prezentë përpara. Këshilla ime në këtë rast do ishte që nëse vuani nga hernia diskale apo problematika të tjera të shtyllës kurrizore , të trajtohen përpara planifikimit për shtatzëni dhe gjatë shtatzënisë të mbahet nën kontroll me ushtrime të lehta.
Por nëse trajtimi nuk është bërë dhe shtatzënia ka filluar apo për shkaqe të ndryshme gjatë shtatzënisë kanë filluar dhimbje dhe simptomatike të shtyllës kurrizore atëherë sugjerohet konsultë me mjekun specialist dhe me fizioterapistin.
Për shkak të rritjes së presionit dhe peshës gjatë shtatzënisë simptomat mund të agravojnë dhe dhimbja mund të jetë më e madhe sidomos në trimestrin e 3.
Mënyra me e mirë për të parandaluar komplikacionet në këtë periudhë është duke qëndruar aktive dhe duke ekzekutuar ushtrime të thjeshta të sugjeruara nga fizioterapisti. Gjithashtu kujdes duhet treguar edhe me këpucët që vishen gjatë kësaj periudhe(dhe jo vetëm) të cilat duhen të kenë një mbështetje të mirë të këmbës dhe të ndihmojnë në shpërndarjen korrekte të forcave në këmbë në mënyrë që të mos ketë shumë presion në zonën problematike.
6. Si trajtohet dhe cili është roli I fizioterapisë?
Trajtimi I hernies diskale klasifikohet në:
• Medikamentoz
• Fizioterapeutik
• Kirurgjikal
Trajtimi fizioterapeutik luan një rol themelor në trajtimin e hernies diskale apo problematikave të tjera të shtyllës kurrizore.
Sipas studimeve të fundit një përqindje shume e madhe e popullsisë kanë disqe të dëmtuara prezente por në shumicën e rasteve janë asimptomatike. Dhimbjet dhe simptomat nuk janë gjithmonë të lidhura drejtpërdrejtë me prezencën e një disku të dëmtuar prandaj duhet kryer një vlerësim I detajuar nga fizioterapisti për të kuptuar mekanizmin që sjell simptomatikat dhe për të krijuar një program të personalizuar në varësi të këtij mekanizmi.
Është shumë e rëndësishme që trajtimi të jetë I personalizuar qoftë për lehtësimin e simptomave , parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm si dhe edukimin e pacientit për mbajtjen në kontroll nga vetë ai për të parandaluar një agravim të mundshëm të mëvonshëm.
7. Majlinda në cilat raste pacientit i rekomandohet kirurgjia?
Gjithmonë qasja e parë terapeutike duhet të jetë fizioterapia por në rastet kur kjo qasje nuk funksionon dhe simptomat vazhdojnë ose agravojnë edhe pas 6-8 javësh trajtim atëherë duhet bërë një vlerësim nga mjeku Neurokirurg për të parë mundësinë e një ndërhyrje kirurgjikale.
Një pacient mund të konsiderohet kandidat për kirurgji nëse:
• Dhimbja radikulare kufizon aktivitetin normal ose dëmton cilësinë e jetës
• Zhvillohen deficite neurologjike progresive, të tilla si dobësi muskulore dhe/ose mpirje dhe humbje të ndjeshmërisë, dëmtim të reflekseve , dëmtim të motorikës fine balancës dhe koordinimit.
• Humbja e funksionit normal të intestinit dhe fshikëzës së urinës (inkontinencë urinare)
• Vështirësi në qëndrimin në këmbë ose në ecje
• Cauda Equina Syndrome.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.