Këto vitet e fundit kemi parë një rritje të numrit të rasteve me probleme të infertilitetit në çift. Këshilla ime është që duhet të jemi më të ndërgjegjësuar ndaj këtij problemi dhe të priremi drejtë një stili jetese sa më të shëndetshëm dhe të konsultohemi gjithmonë me një mjek specialist gjinekolog. Kështu shpjegon mjekja gjinekologe Denisa Golemi.
Në një intervistë për Bebja.com gjinekologia tregon se Fekondimi In-Vitro (IVF) është metoda e bashkimit të qelizës vezë me qelizën spermatozoid dhe krijimin e embrionit jashtë trupit të gruas (në laborator).
Sipas Denisa Golemit IVF kryhet në rastet e problemeve të infertilitetit në çift, në rastet kur kemi gra që duan të bëhen nëna dhe nuk e kanë një partner (nëpërmjet donatorëve të spermatozoidëve).
Intervista e plotë:
- Dr. Denisa që lexuesit ta kuptojnë më thjeshtë, edhe ne kemi një Pyetje të thjeshtë çfarë është Fekondimi In-Vitro (IVF)?
IVF është metoda e bashkimit të qelizës vezë me qelizën spermatozoid dhe krijimin e embrionit jashtë trupit të gruas. ( në laborator). Ky embrion i krijuar në këto kushte do të transferohet në mitrën e gruas ku do të rritet dhe do të zhvillohet normalisht sipas javëve të shtatzënisë.
2. Në cilat raste kryhet fekondimi?
IVF kryhet në rastet e problemeve të infertilitetit në çift, në rastet kur kemi gra që duan të bëhen nëna dhe nuk e kanë një partner (nëpërmjet donatorëve të spermatozoidëve), në rastet kur çifti i bashkëshortëve janë bartës ose të sëmurë me një sëmundje të caktuar gjenetike dhe nuk duan të kenë një pasardhës të sëmurë (në këto raste bëhet diagnoza pre-implantuese e embrionit që do të transferohet në mitrën e gruas).
3. Një lexuese na ka dërguar këtë mesazh: ” Jam nën 35 vjeçe, Kam tentuar për një vit të mbetem shtatzanë por pa sukses. A duhet ti drejtohem mjekut për vizitë?
Nëse një grua nën 35 vjeç kryen rregullisht marrëdhënie të pambrojtura për një vit rresht dhe nuk ka arritur ende një shtatzëni spontane, patjetër që duhet realizuar një konsultë me mjekun gjinekolog për të evidentuar cili është problemi.
4. Si kryhet IVF? Sa zgjat si proçedurë?
IVF është një procedurë që ka disa etapa:- fillimisht plotësohen me ekzaminime të detajuara çifti që do i nënshtrohet IVF për të përcaktuar shkakun e infertilitetit dhe për të përshtatur skemën e duhur të stimulimit të vezoreve së gruas,- përcaktohet protokolli i stimulimit të vezoreve me qëllim përfitimin e sa më shumë vezëve të maturuara,- realizohet marrja e vezëve (pick up) nga trupi i gruas nën efektin e anestezisë, -vezët e përftuara lihen të veprojnë me spermatozoidët e burrit/donatorit dhe ditën pasuese shihet sa embrione janë krijuar,-embrionet do të transferohen në mitrën e gruas pesë ditë pas krijimit ( në stadin e blastocistit) ose do t’i nënshtrohen procesit të ngrirjes për t’u ruajtur dhe për t’u përdorur nga çifti në një moment të dytë. Pra kemi IVF me embrione të freskëta ose IVF me embrione të ngrira, – pas 12 ditësh nga transferimi i embrioneve do të realizohet analiza e bhcg për të kuptuar nëse ka ndodhur implantimi dhe është arritur të realizohet me sukses shtatzënia.
5. Sa i sukseshëm është procesi In-Vitro?
Shkalla e suksesit të IVF lidhet me shumë faktor si: mosha e gruas, shkaku i infertilitetit, cilësia dhe numri i embrioneve të krijuar, stili i jetesës.
6. Disa prindër kanë merak, a ka rrezik për fëmijën lidhur me shëndetin fizik dhe mendor?
Nuk ka asnjë diferencë midis një fëmije të ardhur në jetë nga një shtatzëni spontane dhe nga një shtatzëni me IVF.
7. Në fund të kësaj interviste, ju lutemi edhe një mesazh për lexuesit?
Mesazhi: Këto vitet e fundit kemi parë një rritje të numrit të rasteve me probleme të infertilitetit në çift. Këshilla ime është që duhet të jemi më të ndërgjegjësuar ndaj këtij problemi dhe të priremi drejtë një stili jetese sa më të shëndetshëm dhe të konsultohemi gjithmonë me një mjek specialist gjinekolog.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.