ADHD (Çrregullimi i deficitit të vëmendjes & hiperaktivitetit) është një nga çrregullimet e neurozhvillimit më të shpeshta në fëmijëri simptomat e të cilit vazhdojnë ose përkeqësohen në moshën adulte. Kështu shpjegon logopedia Blerta Baroti.
Duke shtuar se simptomat variojnë sipas llojit te ADHD duke u bazuar në simptomat që predominojnë te individi.
Në një intervistë për Bebja.com Blerta Baroti thotë se studimet më të fundit tregojnë se gjenetika luan një rol të madh. Janë identifikuar një numër gjenesh përgjegjëse që e bëjnë vulnerabël një individ të shfaqë ADHD. Këto përfshijnë gjenet që luajnë rol në të mësuarit, memorien, përqendrimin si edhe modulimin e sistemit dopaminergjik të trurit.
Përveç gjenetikës, faktorët e tjerë të riskut janë:
dëmtimet e trurit, përdorimi i alkoolit ose duhanit gjatë shtatzënisë , lindja premature , pesha e vogël në lindje si edhe ekspozimi ndaj kimikateve ose metaleve të rënda gjatë shtatzënisë.
Intervista e plotë:
1-Çfarë kuptojmë me Çrregullim të deficitit të Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit?”
ADHD (Çrregullimi i deficitit të vëmendjes & hiperaktivitetit) është një nga çrregullimet e neurozhvillimit më të shpeshta në fëmijëri simptomat e të cilit vazhdojnë ose përkeqësohen në moshën adulte.
Simptomat variojnë sipas llojit te ADHD duke u bazuar në simptomat që predominojnë te individi.
Tipi 1 është ai ku predominon mungesa e përqendrimit (ADD) në të cilën fëmija ka vështirësi në organizimin e detyrave, vështirësi për t’u përqendruar, vështirësi për të ndjekur instruksione dhe shpërqendrime të shpeshta, vështirësi për të qenë i organizuar, planifikuar apo përfunduar detyrat që i jepen si edhe në mënyrë frekuente humbasin sendet personale.
Tipi 2 ku predominues është impulsiviteti dhe hiperaktiviteti. Fëmija nuk qëndron ulur për shumë gjatë, ka vështirësi për tu relaksuar, vrapon, hidhet dhe ngjitet gjatë gjithë kohës, ndërpret të tjerët gjatë bisedës, nuk pret rradhën , flet më shumë se sa duhet si dhe ka rrëzime e dëmtime të shumta.
Tipi 3 është ai miks, ku simptomat e të dy llojeve të përmendura më lart janë prezente.
Duke qenë se simptomat variojnë me kalimin e kohës , prezantimi i tyre ndryshon gjithashtu.
ADHD mund të zgjasë deri në moshën adulte.
Shumë individë të rritur kanë ADHD , por nuk janë diagnostikuar kurrë.
Simptomat japin vështirësi në punë, shtëpi ose në krijimin e marrëdhënieve dhe ato ndryshojnë me kalimin e viteve, psh hiperaktiviteti mund të shfaqet si pamundësi për të qëndruar pa lëvizur ose pa kryer një aktivitet.
2-Çfarë e shkakton Çrregullimin e defiçitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit?
Shkencëtarët po studiojnë shkakun ose shkaktarët e ADHD dhe faktorët e riskut për të gjetur mënyra të reja për të menaxhuar dhe reduktuar shanset që një individ të ketë ADHD.
Shkaku i ADHD nuk dihet ende , por studimet më të fundit tregojnë se gjenetika luan një rol të madh. Janë identifikuar një numër gjenesh përgjegjëse që e bëjnë vulnerabël një individ të shfaqë ADHD. Këto përfshijnë gjenet që luajnë rol në të mësuarit, memorien, përqendrimin si edhe modulimin e sistemit dopaminergjik të trurit.
Përveç gjenetikës, faktorët e tjerë të riskut janë:
dëmtimet e trurit, përdorimi i alkoolit ose duhanit gjatë shtatzënisë , lindja premature , pesha e vogël në lindje si edhe ekspozimi ndaj kimikateve ose metaleve të rënda gjatë shtatzënisë.
Gjithashtu , studimet nuk mbështesin teorinë që ADHD shkaktohet nga të ngrënit shumë sheqer, koha e zgjatur para ekraneve, faktorët sociale dhe mjedisorë . Patjetër që këta faktorë e përkeqësojnë gjendjen e fëmijës apo individit, por ato nuk janë SHKAK për ADHD!
3- Sa e shpeshtë është ADHD?
Prevalenca globale e ADHD është 5% -7.2 % e të rinjve dhe 2.5%- 6.7% e të rriturve.
Djemtë janë më të predispozuar të kenë ADHD në krahasim me vajzat në raportin 4:1 në fëmijë dhe një raport meshkuj me femra gati 1:1 në të rritur.
90% e fëmijëve me ADHD vazhdojnë të kenë simptoma të ADHD në moshën adulte.
4-Si diagnostikohet ADHD tek fëmijë dhe adoleshentët?
Që të diagnostikohesh me Çrregullim të deficitit të Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit duhet që simptomat të jenë shfaqur para moshës 12 vjeçare.
Fëmijët ose adoleshentët që diagnostikohen me ADHD kanë minimumi 6 simptoma persistente të mungesës së vëmendjes dhe/ose 6 simptoma persistente të hiperaktivitetit dhe impulsivitetit prezente për më shumë se 6 muaj.
Simptomat duhet të jenë prezente në dy ose më shumë ambiente dhe ndikojnë në kualitetin dhe funksionalitetin në shkollë si dhe në sferën sociale.
5-A mund të themi se fëmijët e lëvizshëm janë hiperaktivë?
Kryesisht ajo çka vihet re sidomos në ADHD është impulsiviteti dhe hiperaktiviteti siç shpjeguam dhe më lart, pra fëmijët kanë tendencë të jenë në lëvizje gjithë kohës duke u hedhur, vrapuar dhe ngjitur kudo dhe duket se energjia e tyre nuk shteron kurrë.
Kjo duhet të jetë një arsye që prindërit të konsultohen me një profesionist sapo të shikojnë që dicka nuk po shkon siç duhet me zhvillimin e fëmijës së tyre dhe simptomat e tyre po ndikojnë në funksionalitetin e fëmijës.
Por, kujdes! Jo çdo fëmijë i lëvizshëm ka ADHD, vetëm profesionistët e shëndetit mendor si grup multidisiplinar mund ta diagnostikojne atë bazuar në kriteret sipas manualit diagnostik dhe statistikë të çrregullimeve mendore ( DSM-5 ).
6-Cilat fusha të zhvillimit gjuhësor janë të prekura në ADHD?
Një nga fushat e prekura është funksionimi ekzekutiv. Funksionet ekzekutive janë ato çka në na bëjnë të mundur të planifikojmë, të qëndrojmë të qetë kur frustrohemi, të përqendrohemi, të kontrollojmë impulset, të memorizojmë dhe të menaxhojmë kohën.
Logopedi ndihmon fëmijën që të përmirësojë aftësitë e tij të funksioneve ekzekutive.
Gjithashtu, në Çrregullimin deficitit të Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit preket komunikimi social. Nëse fëmija juaj ka vështirësi të përqendrohet, shumë situata sociale nuk do mundet t’i arrijë t’i kuptojë dhe do jenë konfuzuese për të.
Proçesimi gjuhësor është një tjetër aspekt që mund të jetë i dëmtuar . Ai i referohet mënyrës se si ne kuptojmë dhe risjellim informacionin. Fëmijët me ADHD kanë vështirësi për të ndjekur direksione ose të ndjekin ligjërime të gjata nga mësuesit. Kjo vjen nga disa faktorë ku kryesorët janë problemet me memorien afatshkurtër dhe mungesa e vëmendjes.
Gjuha ekspresive gjithashtu është e prekur në ADHD. Ajo lidhet me “outputin” ose mënyrën se si fëmija e shpreh veten.
Kështu fëmijët shpesh kanë vështirësi të tregojnë një ngjarje në rrjedhën kronologjike dhe gjithashtu nuk qëndrojnë dot në bisedë për një kohë të gjatë pa u shpërqendruar.
Vihet re vështirësia për të gjetur fjalën e duhur gjatë të folurit dhe zëvendësimi i saj me një fjalë të të njëjtës kategorie ose përdorimin e një fjale të përgjithshme gjë që e bën të vështirë kuptimin e asaj çka duan të thonë.
Gabimet gramatikore gjithashtu janë një sfidë dhe nëpërmjet terapisë logopedike bëhet e mundur që të reduktohen.
Shumë fëmijë me ADHD kanë probleme në shkrim dhe lexim. Disleksia bashkëshoqërohet me ADHD shumë shpesh. Shkrimi dhe leximi preken sepse janë detyra komplekse që kërkojnë që disa aftësi të punojnë njëkohësisht për të arritur rezultatin e kërkuar.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.