Vendi ynë është përfshirë nga një valë e nxehti këtë javë dhe termometri ka shënuar 40 gradë Celcius. Në këto kushte, një kujdes i veçantë duhet të tregohet për fëmijët.
Më poshtë disa informacione të dobishme…
“Goditja” nga i nxehti
“Goditja” nga i nxehti është një lloj gjendje e plogësht e shëndetit, e cila mund të shfaqet me simptoma pak a shumë intensive për shkak të rritjes së papritur të temperaturës së trupit në stinën e Verës. Është një e “keqe”, e cila më së shumti prek fëmijët.
Shkaqet
Shkaktarët e kësaj gjendjeje janë tre: temperaturat e larta, niveli i madh i lagështisë dhe ajrosja e paktë. Shkaku kryesor i goditjes nga i nxehti qëndron në kombinimin e nxehtësisë dhe të lagështisë. Ndër të tjera, ekspozimi direkt në rrezet e diellit, mund të shkaktojë djegie të shkallës së parë apo të dytë.
Simptomat
Simptomat që karakterizojnë këtë gjendje të keqe të shëndetit gjatë stinës së verës janë të ndryshme dhe mund të manifestohen me intensitet: vjellje, dhembje koke, rritje temperature, dhembje barku, lodhje, plogështi dhe madje edhe nervozizëm. Një vëmendje edhe më e madhe duhet t’i kushtohet atyre fëmijëve me patologji kronike, sepse ka të ngjarë të përjetojnë një shkallë më të madhe të tyre kur temperaturat janë tepër të larta.
Si të veproni në rast të një goditjeje nga i nxehti?
Çojeni fëmijën në një ambient nën hije dhe të ajrosur. Ky është hapi i parë që duhet të bëni nëse i vogli shfaq simptomat e kësaj patologjie le të themi. Nëse manifeston shenja plogështie, shtrijeni fëmijën në një pozicion të atillë që këmbët të jenë më të ngritura dhe i jepni ndonjë lëng frutash jo shumë të ftohtë, me ngadalë. Nëse temperaturën e ka më të lartë se 38 gradë, jepini një ilaç kundër uljes së saj, si për shembull një paracetamol ose një ibuprofen. Nëse fëmija juaj nuk përmirësohet, atëherë ju këshillohet të shkoni në urgjencë.
Çfarë duhet t’i jepni fëmijës për të ngrënë?
Me rritjen e temperaturave duhet të ulni marrjen e kalorive, në veçanti atë nga ushqimet me yndyrë; është mirë që fëmijës suaj t’i jepni karbohidrate të thjeshta e të cilat janë lehtësisht të tretshme. Sallata, lulet e freskëta të kungullit të njomë, patëllxhani, specat dhe domatet janë vetëm disa nga ushqimet më të shëndetshme për t’u konsumuar në muajt e nxehtë. Te perimet gjenden shumë kripëra minerale (kalcium, hekur, fosfor, magnez dhe kalium), vitamina (A, C, B1, B2, B12, E), ujë dhe fibra.
Rregullat për të parandaluar goditjet nga i nxehti:
1- Mos e nxirrni fëmijën për të bërë aktivitet fizik ose sportiv në orët më të nxehta të ditës
2- Mos e ekspozoni kurrë në diell në oraret më të rrezikuara (nga ora 11:00 deri në 17:00)
3- Ajrosni sa më shumë ambientin, duke përdorur qoftë edhe një ventilator. Por mund të ndizni edhe kondicionerin, por duke e graduar në temperaturën normale për pak minuta (23-24°).
4- Vishini fëmijës suaj rroba të lehta (lino ose pambuk)
5- Visheni me ngjyra të çelëta, të cilat nuk i thithin rrezet e diellit
6- Në diell fëmijën ekspozojeni shumë pak dhe vetëm pas vitit të parë të lindjes. Rrezet e diellit janë shumë të dobishme pasi nxisin prodhimin e vitaminës D, por ekspozimi duhet të bëhet në mënyrë graduale
7- Mos harroni asnjëherë që të përdorni kremra kundër diellit me mbrojtje të lartë
8- Freskojini shpesh kokën ose të gjithë trupin me ujë në një temperaturë normale
9- Rritini hidratimin për të zëvendësuar lëngjet e humbura nëpërmjet djersitjes. Në rast të vapës së madhe, të dobishme mund të jenë edhe pijet të cilat përmbajnë kripëra minerale
10- Përdorni një regjim ushqimor të pasur me fruta dhe perime.