Kapsllëku është një gjë e shpeshtë tek fëmijët që prek thuajse 1 në 10 fëmijë. Konstipacioni kronik mund të prekë fëmijët e çdo moshe, por është më i zakonshëm në fëmijët e vegjël që sapo kanë mësuar tualetin. Për disa mund të jetë një problem kronik, një situatë që shpesh bëhet mjaft stresuese si për fëmijën edhe për familjarët.

Ndonëse ka nevojë për durim, kapsllëku është i trajtueshëm dhe mund të tejkalohet me sukses.

Simptomat e kapsllëkut tek fëmijët

Zorrët e gjithsecilit janë të ndryshme gjë që mund të vështirësojë të kuptuarit nëse një fëmijë apo një tjetër është me kapsllëk. Disa fëmijë kanë zakon të dalin jashtë disa herë në ditë e të tjerë një herë në disa ditë. Në përgjithësi bëhet problem për vetë atë dhe familjen nëse fëmija del jashtë 2 apo 3 herë në javë. Jashtëqitje e thatë e fortë e veçanërisht me diametër të madh ose shumë të vogël janë shenja të kapsllëkut. Nëse jeni jo të sigurt që fëmija juaj po del jashtë siç duhet vëreni shenjat e mëposhtme:

– Dhimbje gjatë jashtëqitjes
– Shtrëngime dhe/ose qëndrim për kohë të gjatë në banjë
– Fekale e madhe që gati bllokon banjën
– Shmangie e banjos (mund të vërehet që mban këmbët e kryqëzuara e përdridhet sikur do ta mbajë, grimasa apo një lloj lëkundje në vend)
– Oreks i pakët
– Dhimbje stomaku apo fryrje barku

Çfarë e sjell kapsllëkun?

Ndonjëherë kapsllëku është i lidhur me një problem tjetër mjekësor, e mjeku pediatër duhet të jetë i vëmendshëm ndaj simptomave si prani e gjakut në feçe, fryrje të barkut, të vjella, humbje në peshë ose dhimbje e fortë e barkut.

Shumë shpesh ndonëse mjekët e cilësojnë me termin “konstipacion funksional” që nënkupton si shkaktarë kombinimin e stilit të jetës me stilin e sjelljes.

”Kapsllëku është shpesh një rreth vicioz” – thonë gastropediatrit. Një fëmijë mund të ndërpresë përdorimin e tualetit për një numër arsyesh: ose se është i zënë me lojën, nuk do të dalë jashtë në banjat e shkollës, frikë nga legjenda të tilla si: del gjarpër nga banja, etj”.

Por pritja apo mbajtja e “kakës”, siç thonë fëmijët, veçse ndikon qe fekalet të bëhen më të forta dhe të vështirësohet kalimi i tyre nëpër zorrë. Sa më e fortë dhe më me siklet jashtëqitja aq më shumë fëmija e mban atë. Prindërit e vënë re me vonesë, atëherë kur është bërë një problem kronik.

Trajtimet e kapsllëkut për fëmijët

Qëllimi i trajtimit të kapsllëkut funksional tek fëmijët është të rregullohen kushtet që fëmija të prodhojë jashtëqitje të butë e të pa dhimbshme. Duhen ndërmarrë tre hapa të rëndësishëm:

– Të vlerësohet sjellja që mban aktiv rrethin vicioz që folëm më lart
– Të merren mjekimet e duhura
– Të bëhen ndryshime në dietë
Ndërhyrja/Terapia e Sjelljes

Mos u çudisni nëse ju rekomandojnë vlerësim apo vizitë te psikiatri për fëmijë në lidhje me kapsllëkun e fëmijës tuaj.

Një vlerësim shumë planësh i sjelljes së fëmijës është i rekomandueshëm. Situatat e lidhura me ankthin, obsesionet, fobitë shpesh janë faktorë të rëndësishëm në mbajtjen aktiv të rrethit vicioz.

Prindërit duhet të dinë se: ushqyerja nxit refleksin natyral të jashtëqitjes. Kjo duhet shfrytëzuar duke i vënë fëmijët në tualet për 5-10 minuta pas çdo ngrënie. Ata mund të ulen në banjë e të luajnë me lodrat e tyre ose të merren me një libër. Ndërkohë mund t’ju vijë refleksi i jashtëqitjes. Pozicioni ka shumë rëndësi. Rekomandohet që fëmija të ulet në banjë e të ketë këmbët e mbështetura mbi një stol apo diçka të ngjashme, pozicion që i ndihmon të defekojnë më lehtë.

Mësojini fëmijët të “dëgjojnë” trupin e tyre. Nëse kanë krampe ose ndjesi sikleti në bark, mësojini t’i lexojnë si sinjale për të shkuar menjëherë në banjë. Nëse ju vetë vëreni fëmijën që bën grimasa sikleti, apo përdredh këmbët sikur do të ndalojë diçka veproni duke e bindur të shkojë e të ulet në banjë.

Shpesh do duhet përdorur metoda e shpërblimit për të motivuar fëmijën. Gjeni çfarë i pëlqen fëmijës (jo ushqim) dhe shpërblejeni nëse ulet në tualet pas çdo ngrënie, nëse i bindet me lehtësi këshillës tuaj për t’u ulur në tualet, shpërblejeni edhe nëse thjesht ulet por nuk arrin të dalë jashtë.

Mjekimi

Për shumë fëmijë mjekimi me barna është pjesë e planit që në fillim. Laksativët oralë ose enemat mund të nevojiten. Sapo fillojnë zorrët të lëvizin, vazhdimi i mjekimit p.sh., me polietilen glikol zakonisht ndihmon në futjen e ujit brenda zorrëve dhe bën zbutjen e feçeve. Është gastropediatri ose pediatri ai që jep terapinë medikamentoze në këto raste.

Ndryshime në dietë

Hapat kryesore:

– Më shumë fibra
– Më shumë lëngje (ujë, lëng kumbulle, lëng molle)
– Më pak përdorim i bulmetit (jo djathë çdo ditë p.sh.) sepse shton gazrat dhe parehatinë në bark.

Parandalimi i rikthimit të kapsllëkut

Për fat të keq, me fëmijët nuk ka gjë që rregullohet sa hap e mbyll sytë. Zakonisht fëmijët mjekohen për disa muaj para se të rregullohet problemi. Edhe nëse përmirësohet vazhdoni të mbani zakonet e shëndetshme, frekuentimin rregullisht të banjës pas çdo ngrënie etj.

Edhe nëse nuk doni ta bëni, përpiquni ta keni një vesh se çfarë ndodh me fëmijën kur është në banjë. Pyeteni fëmijën mbi jashtëqitjen, si e bëri, sa e fortë, sa e mundimshme. Nëse vëreni rifillim të simptomave të kapsllëkut lidhuni sërish me mjekun. Mos prisni që kapsllëku të përmirësohet vetë. Studimet tregojnë rezultate të mira nëse ndërhyhet në 3 muajt e parë.

Kujdes, duhet kohë dhe durim! Nuk është faji i fëmijës tuaj! Fëmijët e kanë sjelljen mbajtëse prej shumë kohësh e ndaj duhet shumë kohë që të fitojnë aftësinë për të ndjekur “çfarë iu thotë trupi i tyre”. E rëndësishme është që prindërit të mos nervozohen e frustrohen nëse kapsllëku rikthehet.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.