Mosha se kur bien dhëmbët e qumështit tek fëmijët është shumë e ndryshme dhe e papërcaktuar ekzaktësisht. Ka fëmijë që ju bie dhëmbi i parë kur janë 5-6 vjeç, ka të tjerë që ju bie që në moshën 4-vjeçare dhe disa që vazhdojnë t’i kenë të gjithë dhëmbët e qumështit edhe kur kanë mbushur 7 vjeç.
Fëmija juaj zakonisht do të jetë i pari që do të dijë kur një dhëmb është gati për të rënë, sepse mund të ndiejë se dhëmbi lëviz.
Shumica e fëmijëve janë shumë krenarë kur dhëmbët fillojnë të lëvizin dhe do t’jua tregojnë atë shumë shpesh ju dhe kujtdo që është i interesuar t’i shohë, prandaj duhet të mësoheni me këtë gjë.
Vetëm këshillojini fëmijët që duhet të lajnë duart sa herë që do t’i fusin në gojë.
Ju ndoshta do të lehtësoheni kur dëgjoni se shumica e prindërve nuk kanë nevojë të ndërhyjnë dhe të tërheqin dhëmbin, pasi ata bien vetë në mënyrë shumë të natyrshme.
Por në qoftë se dhëmbi i përhershëm ka dalë, ende pa rënë ai i qumështit, duhet të shkoni te dentisti për të mos dëmtuar dhëmbin e ri nga forca e fërkimit.
Në çdo rast që do të duhet të ndërhyni për të hequr dhëmbin e fëmijës, përdorni një garzë të pastër. Përgatituni që mund të dalë pak gjak.