Shpesh herë lexojmë rekomandime të shumta që i bëhen një nëne në lidhje me infeksionin e veshit që mund të ketë fëmija.
Kur vjen puna tek trajtimet natyrale shpesh guxojmë të përmendim edhe qumështin e gjirit ndoshta pa e menduar më gjatë, apo pa pasur një informacion më të saktë në lidhje me efektet e vërteta që ky trajtim ka tek fëmija.
Infeksioni i veshit
Zakonisht shfaqet nga muaji 6-18 të jetës dhe zhvillohet në veshin e mesëm, pra përtej daulles së veshit.
Në këtë rast mjekët rekomandojnë të pritet deri në 48-72 orë për të vepruar me antibiotik duke e trajtuar dhimbjen me anën e një medikamenti lokal apo oral. Këtë e pohon edhe “American Academy of Pediatrics”.
Po qumështi i gjirit?
Duke qënë se infeksioni është përtej daulles së veshit, qumështi i gjirit nuk arrin të shkojë deri në zonën e infektuar.
Ai mund të arrijë të shkojë në zonën e infektuar vetëm nëse kemi të bëjmë me një infeksion të kanalit të jashtëm të veshit (quhet veshi i notarit), pra vetëm në këtë rast do të ketë efekt dhe do të ndihmojë në trajtimin e infeksionit.
Qumështi i gjirit arrin të qetësojë dhimbjen duke qënë se është i ngrohtë, por kjo ndodh vetëm për disa momente.
Më pas ai ngec në veshin e fëmijës dhe bëhet vendi ideal për t’u shumuar bakteret. Pra edhe pse ka “përfitime” të përkohshme nuk duhet të rrezikoni duke e hedhur në veshin e fëmijës pasi mund të përkeqësoni situatën.
Ne vend të kësaj mund të përdorni një copë me kripë apo oriz të ngrohtë dhe nëse mjeku do ta shikojë të nevojshëm mund të filloni edhe antibiotikun.