Gjatë verës lëkura i nënshtrohet stresit të madh nga dielli, temperaturat e larta dhe dehidratimi, çka shpesh shkakton tharje, njolla, hiperpigmentim, humbje të elasticitetit dhe përshpejtim të plakjes. Pas përfundimit të sezonit, shumë persona vërejnë se lëkura e tyre duket e lodhur dhe ka nevojë për rikuperim.
Doktoreshë Shqipe Sheta, në një intervistë për Bebja.com, shpjegon se si mund të rikthejmë shëndetin e lëkurës përmes një rutine të përshtatur me hidratim, antioksidantë dhe mbrojtje me SPF gjatë gjithë vitit, si dhe trajtime profesionale si mezoterapia, skinbooster, peeling apo biostimulues.
Ajo tregon edhe kur lëkura konsiderohet e shëndetshme, cilat janë sinjalet që tregojnë nevojën për trajtim dhe kur duhet konsultuar mjeku, duke theksuar rëndësinë e planit të personalizuar sipas nevojave individuale.
Intervista e plotë:
1. Cilat janë dëmtimet që mund të marrë lëkura gjatë verës?
Dielli, temperaturat e larta dhe dehidratimi mund të shkaktojnë tharje, njolla, hiperpigmentim, humbje të elasticitetit dhe përshpejtim të plakjes së lëkurës.
2. Pas përfundimit të verës, si mund të kujdesemi për një lëkurë të shëndetshme?
Duhet të rikthejmë një rutinë të përshtatur, me hidratim, antioksidantë dhe SPF gjatë gjithë vitit. Në varësi të nevojave, mund të bëjmë edhe trajtime profesionale si mezoterapia, skinbooster, peeling apo biostimulues.
3. Kur mund të themi që lëkura është e shëndetshme?
Kur është e hidratuar, me barrierë të mirë mbrojtëse, pa irritime apo inflamacion të vazhdueshëm dhe me teksturë relativisht të njëtrajtshme.
4. Si ta kuptojmë që lëkura ka nevojë për trajtim?
Kur shfaqen thatësi, skuqje, akne, njolla, pore të theksuara, teksturë jo të njëtrajtshme ose humbje elasticiteti. Këto janë sinjale që lëkura ka nevojë për një vlerësim.
5. Kur duhet t’i drejtohem mjekut?
Kur problemi është i vazhdueshëm, përkeqësohet ose nuk përmirësohet me kujdesin në shtëpi. Mjeku përcakton shkakun dhe trajtimin më të përshtatshëm, qoftë dermatologjik apo dermoestetik.
6. Mund të na tregoni një përvojë pacienti?
Një paciente erdhi pas verës me lëkurë të dehidratuar, njolla dhe pamje të lodhur. Pas vlerësimit, krijuam një plan të personalizuar me skinbooster, mezoterapi dhe kujdes në shtëpi. Rezultati ishte një lëkurë më e hidratuar, më e njëtrajtshme dhe më e freskët. Për mua, çdo trajtim duhet të personalizohet sipas nevojave të lëkurës.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.