Shkaku kryesor i bronkiolitit është viral, virusi respirator syncytial (RSV), që infekton fëmijët nën 1 vjeç. Transmetimi i virusit ndodh nëpërmjet infektimit të mukozës nazofaringeale ose konjuktivale të fëmijëve nga sekrecionet e individit të infektuar, drejtpërdrejtë ose me anë të kontaktit me objektet( si lodra, enë, peshqirë) ose kontakt me sipërfaqe të kontaminuar. Kështu shpjegon pediatria Suela Dodaj.

Në një intervistë për Bebja.com Suela Dodaj thotë se simptomat e bronkiolitit në ditët e para janë të ngjashme me çdo infeksion tjetër viral si temperaturë, kengjestion nazal, pak kollë, mungesë oreksi, grindje.

Mjekja tregon se fëmijët më të rriskuar janë fëmijët premature, fëmijët e vegjël nën 3 muajsh, fëmijët me sëmundje kronike të mushkërive.

Intervista e plotë:

  1. Dr. Suela çfarë është bronkoliti tek fëmijët?

Infeksioni më i zakonshëm viral i rrugëve të poshtme të frymëmarrjes në fëmijët latantë që karakterizohet nga inflamacioni akut, edemë e nekrozl e qelizave epiteliale të rrugëve të vogla ajrore me shtim të prodhimit të mukusit dhe bronkospazëm.

2. Cili është shkaku I bronkolitit tek fëmijët?

Shkaku kryesor i bronkiolitit është viral, virusi respirator syncytial (RSV), që infekton fëmijët nën 1 vjeç. Transmetimi i virusit ndodh nëpërmjet infektimit të mukozës nazofaringeale ose konjuktivale të fëmijëve nga sekrecionet e individit të infektuar, drejtpërdrejtë ose me anë të kontaktit me objektet( si lodra, enë, peshqirë) ose kontakt me sipërfaqe të kontaminuar. Bronkioliti shkaktohet dhe nga viruse të tjera si influenca, parainfluenca, adenovirus etj.

3. Cilat janë simptomat e bronkolitit?

Simptomat e bronkiolitit në ditët e para janë të ngjashme me çdo infeksion tjetër viral si temperaturë, kengjestion nazal, pak kollë, mungesë oreksi, grindje.

Pas 2-3 ditëve mund të vërejmë kollë më të shtuar, vështirësi për t’u ushqyer, vështirësi në frymëmarrje, tërheqje interkostale, dehidrim, episode apnoe te fëmijët e vegjël nën 3 muajsh.

4. Cilët janë fëmijët më të rriskuar?

Fëmijët më të rriskuar janë fëmijët premature, fëmijët e vegjël nën 3 muajsh, fëmijët me sëmundje kronike të mushkërive, imunodeficencat dhe fëmijët nga familje me nivel socioekonomik të ulët.

5. Kur duhet ti drejtohen mjekut?

Mjekut duhet ti drejtohemi kur prindërit vënë re se frymëmarrja e fëmijës është e vështirësuar, fëmija nuk ushqehet as gjysmën e ushqyerjes që bënte kur ishte jo i sëmurë, ka një temperature që nuk kontrollohet dot nga prindërit, fëmija është më i vogël se 3 muajsh ose kur fëmija është i lodhur dhe jo shumë aktiv.

6. Dr. Suela si trajtohet bronkoliti? Cila është diagnoza?

Diagnoza e bronkiolitit bëhet kryesisht me anë të historisë së sëmundjes dhe ekzaminimit fizik.
Mund të lindë nevojë për radiografi të toraxit, teste virale, hemograme, gazet në gjak, por nuk bëhen rutinë, vetëm në raste të caktuara që mjeku e sheh të nevojshme.

Trajtimi i bronkiolitit ndahet në trajtimin që bëhet në shtëpi nga prindërit, si tualetin e hundëve dhe kujdesi me ushqyerjen dhe trajtimi mbështetës në spital. Në spital trajtimi konsiston në aspirimin e sekrecioneve, oksigjenoterapi sipas nevojës, përdorimin e antibiotikëve tek fëmijët me të dhëna për mbivendosje bakteriale, rehidrim, inhalacion me ventoline ose adrenalinë (kur vihen re shenja përmirësimi nga përdorimi), kortikosteroidet dhe antiviralët nuk rekomandohen rutinë. Studimet e ndryshme nuk kanë treguar përfitim nga përdorimi i tyre, vetëm në disa raste specifike.

7. Si duhet të kujdesen prindërit për fëmijët me bronkolit?

Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm me higjienën e bebes dhe ambientit, të limitojnë kontaktet me personat me temperature ose grip, të bëjnë dezinfektimin e lodrave dhe ambienteve të prekura nga fëmija, larjen e shpeshtë të duarve, ushqyerje me gji kur është e mundur.

Në ditët e para të sëmundjes të bëjnë tualetin e hundëve dhe të kujdesen për ushqyerjen, të jenë të vëmendshëm për çdo ndryshim tek fëmija në mënyrë që të drejtohen në kohën e duhur te mjeku.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.