Problemet mes çiftit kanë një ndikim shumë serioz dhe shpesh traumatik ndaj fëmijëve. Ndërtojnë ndjenja frike, pafuqie, pasigurie, inati, mërzie, ankthi të cilat në rast se grindjet, dhuna fizike e verbale janë kronike mund të jenë bosht i çrregullimeve të shëndetit mendor. Për me tepër, kanë impakt në përformancën e fëmijëve në marrëdhëniet sociale që ndërtojnë, në sjelljen me mësuesit e nxënësit e tjerë në shkollë dhe në përformancën e tyre akademike. Kështu shpjegon psikologe Krisalda Sauli.
Në një intervistë për Bebja.com Krisalda Sauli thotë se mjaftojnë episode të shkurtra, por mjaftueshëm të ashpra mes prindërve që të lënë gjurmë traumatike në emocionalitetin e fëmijëve.
“Mund ti duket e thjeshtë që të “disiplinojnë” përmes frikësimit, kërcënimit, ofendimit, të bërtiturës, goditjes sot, por nëse vërtet duan që fëmijët e tyre ti kenë në kujtesë si prindër të mirë dhe në jetë të kenë vetëbesim e emocionalitet të shëndetshëm duhet të mësojnë forma të tjera edukimi e disiplinimi, forma paqësore dhe mbështetëse”, sqaron psikologia.
Intervista e plotë:
1. Shpesh herë grindja, dhuna verbale dhe fizike midis prindërve bëhet në prezencën e fëmijëve. Çfarë pasojash ka tek shëndeti i fëmijëve?
Problemet mes çiftit kanë një impakt shumë serioz dhe shpesh traumatik ndaj fëmijëve. Ndërtojnë ndjenja frike, pafuqie, pasigurie, inati, mërzie, ankthi të cilat në rast se grindjet, dhuna fizike e verbale janë kronike mund të jenë bosht i çrregullimeve të shëndetit mendor.
Për me tepër, kanë impakt në përformancën e fëmijëve në marrëdhëniet sociale që ndërtojnë, në sjelljen me mësuesit e nxënësit e tjerë në shkollë dhe në përformancën e tyre akademike. Mjaftojnë dhe episode të shkurtra, por mjaftueshëm të ashpra mes prindërve që të lënë gjurmë traumatike në emocionalitetin e fëmijëve.
2. Çfarë këshilla sugjeroni për prindërit që përdorin dhunën verbale dhe fizike si formë disiplinimi ndaj fëmijëve?
Të kërkojnë ndihmë! Kanë ende shumë konflikte vetjake emocionale, të cilat nuk i kanë zgjidhur me veten dhe po i trashëgojnë pa e kuptuar te fëmijët e tyre. Dhe sigurisht sugjerohet të mendojnë se çfarë janë duke përcjell te fëmijët e tyre, për aq kohë sa janë ende fëmijë, duke qenë se në këto rrethana çdo prind ndërton imazhin që do që fëmija e tij të ketë për veten dhe prindërit e vetë kur të rritet. Mund ti duket e thjeshtë që të “disiplinojnë” përmes frikësimit, kërcënimit, ofendimit, të bërtiturës, goditjes sot, por nëse vërtet duan që fëmijët e tyre ti kenë në kujtesë si prindër të mirë dhe në jetë të kenë vetëbesim e emocionalitet të shëndetshëm duhet të mësojnë forma të tjera edukimi e disiplinimi, forma paqësore dhe mbështetëse.
Ndoshta fëmijët e dhunuar nuk do mund ti urrejnë prindërit e tyre, por do të luftojnë ndoshta gjithë jetën të ndalojnë së urryeri veten e tyre.
3. Prindërit si duhet të kujdesen për emocionet e fëmijëve të tyre, kur shpesh herë kanë vështirësi për ti kuptuar?
Hapi i parë është të duan të kujdesen! Të mos mjaftohen vetëm në plotësimin e nevojave, dëshirave lidhur me sende dhe aktivitete. Të jenë dëgjues aktiv dhe vëzhgues të mirë të arritjeve të fëmijëve. Të kenë respekt për fëmijët në çdo moshë dhe t’ja tregojnë duke ditur se kur të thonë “po” dhe kur “jo”. Të flasin me respekt për njerëzit dhe këdo përreth tyre, por dhe ti tregojnë rreziqet dhe sjelljet e gabuara ose të papranueshme.
Të lejojnë dialogun, të lejojnë fëmijën të ketë opinionin dhe hapësirën e tij duke shmangur ti imponojnë mendimin dhe “zgjidhjet” e tyre në problemet e fëmijës. Të shmangin që të konsiderojnë problemet e fëmijëve shumë të vogla ose të mbitensionohen duke i supozuar shumë të mëdha kur realisht mund të mos jenë të tilla. Gjithashtu, të përmirësojnë veten çdo ditë emocionalisht dhe të informohen sistematikisht lidhur me rritjen e edukimin e fëmijëve nga specialistët dhe literatura.
4. Pyetje nga një lexuese: “djali im është 5 vjeç, shpesh herë bëhet nervoz, pa arsye, grindet me motrat, në disa raste bëhet agresiv, I dhunshëm me mua dhe motrat e veta. E përsërit shpesh këtë sjellje. E pyes nëse dëshiron të luajë ose ushqehet, thjeshtë më thotë “nuk dua”. Mund të ketë ndonjë problem djali im? A është sjellje normale?
Mosha 5 vjeçare shpesh shoqërohet me shpërthime inati dhe zakonisht lidhet me stilin e prindërimit, por e rëndësishme gjithashtu është dhe rradha e lindjes së fëmijës (pra nëse është fëmija i parë, i dytë ose i tretë) si faktor që duhet marrë në konsideratë për të matur ashpërsinë e sjelljes.
Bazuar në informacionin e shkurtër lidhur me sjelljen e djalit 5 vjeçar, dallohen ndjenja inati që shpesh është pasojë e mosvënies së kufijve të qartë dhe të shëndetshëm që më herët në jetë. Djali ende nuk ka mësuar një formë të shëndetshme të shprehjes së ndjenjave negative dhe nuk është ndërtuar një raport ndërveprimi dhe mirëkuptimi mes anëtarëve të familjes dhe djalit. Shpesh këto sjellje të fëmijëve në këtë moshë tregojnë se nuk ndihen të sigurtë emocionalisht, të kuptuar dhe të mirëorientuar në ndërtimin e raporteve ndërpersonale.
Ka dhe raste kur këto sjellje janë pasojë keq përshtatje, pra fëmijës mund ti plotësohen ato që kërkon më lehtë duke manifestuar sjellje agresive dhe të jetë përforcuar si reagim konstant. Nëse situatat e përshkruara ndodhin shpesh, pra disa herë brenda një jave, është e sugjerueshme të konsultoheni me një psikolog pranë një studio/klinik, ku mund të bëj një vlerësim të plotë të situatës.
5. A mund të preket nga ankthi dhe depresioni një fëmijë mbi 5 vjeç?
Nga ankthi dhe depresioni mund të preket kushdo në cilën do moshë. Sa më traumatik dhe sa më pak bashkëpunues, kuptues, mbështetës, të jetë mjedisi ku një fëmijë rritet aq më të larta janë mundësitë që të vuaj nga probleme të tilla të shëndetit mendor. Të theksoj se çdo periudhë e zhvillimit shoqërohet me frikëra dhe ankthe specifike, të cilat nuk konsiderohen problematike. Problemi mund të lind nga mënyra se si mjedisi, prindërit, të afërmit, kujdestarët, shkolla koncepton, pozicionohet dhe menaxhon këto ndjesi.
6. Shpesh herë në vendin tonë psikologes i drejtohen pasi shikojnë që fëmija i tyre ka probleme të dukshme emocionale. Çfarë sugjeroni?
Problemet përgjithësisht janë që herët të dukshme, por qasja është të adresohen në psikolog pasi janë provuar mënyra të ndryshme të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme, faktor ky që në thelb mund të ketë rënduar ose përkeqësuar ose mbushur me pashpreshmëri familjen e fëmijën. E sugjerueshme është konsultimi i prindërve me specialistët në mënyrë të vazhdueshme kur gjenden në situata që nuk mund të menaxhojnë.
Ndërhyrja e hershme është më afatshkurtët, shpejtë efektive, nuk thellon problematikën dhe në këtë formë ruhet kohezioni familjar. Ndaj të kërkuarit mendim, sugjerim, orientim, vlerësim, këshillim, mbështetje herët ka vetëm rezultate pozitive dhe kursim të lartë të ndjenjave të pasigurisë, inatit, frikës, dhimbjes, etj që mund të provohen kur problemet thellohen.
7. Të lutemi një mesazh për prindërit që kanë fëmijë. Si ti rrisin të shëndetshëm emocionalisht?
Fëmijët mësojnë përmes gjithçkaje që jetojnë, por kur të rriten do jetojnë në atë që kanë mësuar. Ndaj është e rëndësishme të kuptojmë se një prind i mirë korrigjon fëmijën e tij, e mbështet, e dëgjon, ndërsa një prind shumë i mirë korrigjon veten për të mirën e fëmijës së tij.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.