Strabizmi është një defekt koordinimi ose drejtimi i syve. Normalisht akset e syve janë paralele edhe kur shikojmë larg edhe kur shikojmë afër, të dy sytë dallojnë bashkë objektin që shikojmë. Tek strabizmi, bashkëpunimi mes dy syve është i cënuar. Kështu shpjegon Anxhela Gjana, mjeke optometriste.
Në një intervistë për Bebja.com, Anxhela Gjana tregon se shenjat e strabizmit konvergjent janë kur një sy shikon më shumë drejt hundës. Ndërsa në strabizmin vertikal (hiper-ose hipotropia), një sy shikon shumë lart ose shumë poshtë.
Intervista e plotë:
Çfarë është strabizmi?
Strabizmi është një defekt koordinimi ose drejtimi i syve. Normalisht akset e syve janë paralele edhe kur shikojmë larg edhe kur shikojmë afër, të dy sytë dallojnë bashkë objektin që shikojmë. Tek strabizmi, bashkëpunimi mes dy syve është i cënuar.
Cilat janë shenjat?
* Tek strabizmi konvergjent (ose ezotropia), një sy shikon më shumë drejt hundës.
* Tek strabizmi divergjent (ose ekzotropia), syri shikon më shumë drejt tëmthave.
* Tek strabizmi vertikal (hiper-ose hipotropia), një sy shikon shumë lart ose shumë poshtë.
Devijimi mund të jetë i përhershëm ose me ndërprerje, i qëndrueshëm ose i lëvizshëm, i pranishëm që nga fëmijëria ose i fituar gjatë moshës së rritur. Ndonjëherë, pacienti ankohet për një shikim të dyfishtë.
Cilët janë mjetet e diagnostikimit ?
Tek fëmijët diagostikimi bëhet nga pediatri i cili kryen shumë teste gjatë kontrolleve nga mosha zero deri në gjashtë muaj, pastaj në çdo vizitë. Nëse pediatri apo prindërit vërejnë një strabizëm, edhe të përkohshëm, rekomandohet konsultimi tek oftalmologu. Prania e strabizmit ose e shikimit të keq tek fëmija (ambliopia) në familje justifikon një kontroll të hershëm tek oftalmologu, rreth moshës 1 vjeç, edhe nëse ka mungesë strabizmi.
Cilët janë faktorët e riskut?
Rastet e strabizmit ose të shikimit të keq tek fëmija në familje përbëjnë një risk më të lartë për fëmijën që të ketë një strabizëm. Probleme perinatale, sidomos neurologjike, si edhe shqetësime të refraksionit të rëndësishme (nevojë për syze), veçanërisht një hipermetropi e rëndë, përbëjnë gjithashtu një risk më të lartë për të zhvilluar një strabizëm.
Cilët janë trajtimet?
Tek fëmija trajtimi konsiston më shpesh në rekomandimin e mbajtjes së syzeve, që mundësojnë të japin një imazh të mirë tek të dy sytë, si edhe duke mbuluar «syrin më të mirë» me një ngjitëse, me qëllim për të forcuar trurin të përdorë dhe «të mësojë të shikojë» me syrin e devijuar. Pasi stabilizohet situata, mund të parashikohet një operacion për të drejtuar sytë.
Tek i rrituri, syze me prizëm që kthehet në dritë ose një mbyllje e syrit, mund të jenë të nevojshëm për të fshirë shikimin e dyfishtë. Pas stabilizimit, mund të parashikohet një operacion okulomotor.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.