Preeklampsia është një gjendje që shfaqet gjatë shtatzënisë, zakonisht pas javës së 20-të, dhe karakterizohet nga presioni i lartë i gjakut dhe prania e proteinave në urinë. Kjo gjendje mund të ndikojë negativisht si në shëndetin e nënës, ashtu edhe të bebit, duke rritur rrezikun për komplikacione serioze. Kështu shpjegon Anastasi Ngofo, mjeke obsteter gjinekologe.

Në një intervistë për Bebja.com Anastasi Ngofo tregon se ka disa faktorë që rrisin mundësinë për të zhvilluar preeklampsi. Për shembull, gratë që kanë pasur preeklampsi në shtatzënitë e mëparshme, ato që kanë hipertension kronik, diabet, apo probleme me veshkat, janë më të predispozuara.

Mjekja shton se komplikacionet mund të jenë serioze. Për nënën, preeklampsia mund të shkaktojë insuficiencë të organeve, si veshkat dhe mëlçia, si dhe probleme me koagulimin e gjakut.

Intervista e plotë:

1-Së pari, a mund të na shpjegoni shkurtimisht çfarë është preeklampsia?

Preeklampsia është një gjendje që shfaqet gjatë shtatzënisë, zakonisht pas javës së 20-të, dhe karakterizohet nga presioni i lartë i gjakut dhe prania e proteinave në urinë. Kjo gjendje mund të ndikojë negativisht si në shëndetin e nënës, ashtu edhe të bebit, duke rritur rrezikun për komplikacione serioze.

2- Cilat janë disa nga faktorët e rrezikut për preeklampsi?

– Ka disa faktorë që rrisin mundësinë për të zhvilluar preeklampsi. Për shembull, gratë që kanë pasur preeklampsi në shtatzënitë e mëparshme, ato që kanë hipertension kronik, diabet, apo probleme me veshkat, janë më të predispozuara. Gjithashtu, gratë me shtatzëni të shumëfishtë (binjakë, trinjakë) ose ato që janë shtatzëna për herë të parë janë gjithashtu në rrezik më të lartë.

3- A ekziston një mënyrë për të zbuluar rrezikun për preeklampsi para se ajo të zhvillohet?

– Po, ekzistojnë disa metoda të depistimit që mund të ndihmojnë në vlerësimin e rrezikut për preeklampsi. Në tremujorin e parë, përmes analizave të gjakut dhe matjes së presionit të gjakut mund të bëhet një vlerësim fillestar. Në tremujorin e dytë, një ekografi e detajuar dhe analiza të tjera mund të japin një ide më të qartë për rrezikun. Sa më herët të zbulohet mundësia për preeklampsi, aq më mirë mund të menaxhohet situata për të minimizuar rrezikun.

3- Cilat janë disa nga komplikacionet e mundshme të preeklampsisë?

– Komplikacionet mund të jenë serioze. Për nënën, preeklampsia mund të shkaktojë insuficiencë të organeve, si veshkat dhe mëlçia, si dhe probleme me koagulimin e gjakut. Në raste më të rënda, mund të shfaqet eklampsia, që përfshin konvulsione dhe përbën rrezik për jetën. Për foshnjën, preeklampsia mund të çojë në vonesë të rritjes, lindje të parakohshme, dhe në raste ekstreme, në humbje të shtatzënisë.

4- Kur është momenti më i mirë për të realizuar lindjen kur nëna ka preeklampsi?

– Koha për të kryer lindjen varet nga ashpërsia e preeklampsisë dhe nga java e shtatzënisë. Nëse preeklampsia është e lehtë dhe nën kontroll, zakonisht synohet që shtatzënia të zgjasë sa më shumë, deri rreth javës së 37-38, për t’i dhënë foshnjës më shumë kohë për t’u zhvilluar. Por në rastet e rënda, mund të jetë e nevojshme një lindje më e hershme për të mbrojtur nënën dhe foshnjën.

5- A ka mundësi për të parandaluar preeklampsinë?

– Nuk ka një mënyrë të sigurt për ta parandaluar plotësisht, por disa masa mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut, si mbajtja e presionit të gjakut nën kontroll dhe përdorimi i dozave të ulëta të aspirinës për gratë me rrezik të lartë, sipas këshillës së mjekut. Gjithashtu, ushqimi i shëndetshëm, suplementet e kalçiumit, ndjekja e rregullt e kontrolleve prenatale dhe shmangia e konsumit të duhanit mund të ndihmojnë.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.