Amniocenteza është një procedurë invazive fetale ku, përmes një ageje, merret një sasi e pakët e likidit amniotik, ujërave të bebit, për analizë. Ky likid përmban qeliza fetale që japin informacion mbi çrregullime kromozomale e gjenetike të bebit.
Gjithashtu mund të diagnostikohen infeksione kongenitale të tilla si toxoplazmoza, CMV etj., që mund të rrezikojnë jetën e bebit.
Kështu shpjegon Marinela Biba, obstetre-gjinekologe, specialiste e mjekësisë materno-fetale.
Në një intervistë për Bebja.com mjekja thotë se CVS është një metodë diagnostikuese, si amniocenteza, por ka si avantazh se kryhet më herët në shtatëzëni, në javët 11 – 13+6 ditë, pra do kemi një rezultat më të hershëm, ndërsa amniocenteza pas javës së 16. Në CVS merren disa qeliza nga placenta, të quajtura vile korionike.
Sipas mjekes amniocenteza rekomandohet në rastet kur ka histori familjare për patologji gjenetike të trashëgueshme të tilla si fibroza kistike, talasemia, kur prinderit janë bartës të ndonjë mutacioni gjenetik.
Intervista e plotë:
Procedurat mini-invazive gjatë shtatëzanisë
1. Çfarë është amniocenteza dhe pse është e rëndësishme ta kryejmë atë?
Amniocenteza është një procedurë invazive fetale ku, përmes një ageje, merret një sasi e pakët e likidit amniotik, ujërave të bebit, për analizë. Ky likid përmban qeliza fetale që japin informacion mbi çrregullime kromozomale e gjenetike të bebit.
Gjithashtu mund të diagnostikohen infeksione kongenitale të tilla si toxoplazmoza, CMV etj., që mund të rrezikojnë jetën e bebit.
2. A mund të zëvendësohet ajo nga NIPT-i?
Amniocenteza është metodë diagnostike, pra merret një rezultat 100% i saktë. NIPT- i është metoda më e saktë jo invazive, por mbetet një test screening, që do të thotë nuk jep rezultat 100% të saktë.
3. Po villocenteza (CVS), ku ndryshon nga amniocenteza?
CVS është një metodë diagnostikuese, si amniocenteza, por ka si avantazh se kryhet më herët në shtatëzëni, në javët 11 – 13+6 ditë, pra do kemi një rezultat më të hershëm, ndërsa amniocenteza pas javës së 16. Në CVS merren disa qeliza nga placenta, të quajtura vile korionike.
4. Kur rekomandohet të kryhet villocenteza apo amniocenteza?
Rekomandohet në rastet kur ka histori familjare për patologji gjenetike të trashëgueshme të tilla si fibroza kistike, talasemia, kur prinderit janë bartës të ndonjë mutacioni gjenetik.
Në rastet kur screening i tremujorit të parë, ose siç njihet ndryshe Bi-testi, rezulton me risk të lartë për trisomitë 21, 13, 18, rekomandohet të kryhet sa më herët villocentezë, gjithashtu nëse në ekografinë e tremujorit të parë konstatohen anomali fetale, tregues, soft marker, për çrregullime kromozomale.
5. Po në lidhje me reduktimin e lëngut amniotik? Kur kryhet kjo procedurë dhe pse është e rëndësishme?
Reduktimi i likid amniotik kryhet kur ai është i shtuar mbi normë, një gjendje e quajtur polihidramnios. Kur kjo kompromenton mirëqënien e nënës dhe të bebit, duke rritur dhe riskun për lindje parakohe, ne reduktojmë sasinë e likidit përmes një ageje të ngjashme me atë të amniocentezës.
6. A janë këto procedura të sigurta?
Ato janë përgjithësisht të sigurta, kur kryhen nga specialistë të kësaj fushe, por si metoda invazive kanë disa risqe, si rreziku i abortit që është risk shumë i ulët. Ne balancojmë gjithmonë risqet dhe përfitimet që mund të ketë pacientja nga kryerja e këtyre procedurave, qofshin diagnostike apo terapeutike duke vlerësuar çdo rast.
7. Ka metoda të tjera invazive fetale që ju realizoni?
Po, patjetër. Mjekësia Materno-Fetale ka avancuar shumë së fundi. Ne përzgjedhim ato raste që mund të përfitojnë nga ndërhyrjet që në barkun e nënës për të trajtuar patologji të ndryshme, për të parandaluar lindjen parakohe apo ndërprerjen e shtatëzanisë.
Së fundi kemi realizuar dhe torakocentë fetale, heqje të likidit përreth mushkërive të bebit brenda barkut të nënës. Është një procedurë e rrallë, që mbart shumë komplikacione, por i dhamë një mundësi për jetën një bebushi të palindur akoma.
8. Çfarë këshille do kishit për nënat e reja?
Mjekësia Materno – Fetale po avancon çdo ditë dhe do ju rekomandoja që të mos konsideronin abortin si të parën zgjidhje nën hijen e dyshimit.
Shumë patologji tashmë mund të diagnostikohen herët in utero, të merret trajtimi i duhur.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.