Një ndër problemet që mund të hasim gjatë plazhit është pickimi nga kandili i detit. Për këtë vështirësi mjekja dermatologe-Venerologe, Jorida Memini thotë se gjeja e parë që duhet të bëjmë është shpëlarja e vendit të kontaktit me ujë të kripur, domethënë me ujë deti i cili shërben si antidot i toksinave që lëshon kandili në lëkurë, jo me ujë të freskët pasi bën efektin e kundërt.
Në një intervistë për Bebja.com Jorida Memini shpjegon se për pak sekonda mund të aplikohen dhe uthull e bardhë apo lëng limoni për të krijuar një mjedis acid e për të neutralizuar përhapjen e helmit e dhimbjes.
Mjejka shton se “pas qetësimit nga shenjat e fillimit, në kushte shtëpiake ndihmojnë dhe kremrat ftohës si aloe vera, kremrat me oksid zinku, kompresa të ftohta etj.
Evitoni ekspozimin në diell për disa ditë të pjesës së prekur
Kur kontakti ndodh sidomos në zonat qafë, kokë apo sy duhet të jeni në kontakt e ndjekje dinamike me mjekun dermatolog.”
Intervista e plotë:
1- Çfarë duhet të bëjmë në rastet kur pickohemi nga kandili i detit? Ndihma e parë që duhet ti japim vetes?
Në rast kontakti me kandilin e detit gjeja e parë është shpëlarja e vendit të kontaktit me ujë të kripur, domethënë me ujë deti i cili shërben si antidot i toksinave që lëshon kandili në lëkurë, jo me ujë të freskët pasi bën efektin e kundërt.
Për pak sekonda mund të aplikohen dhe uthull e bardhë apo lëng limoni për të krijuar një mjedis acid e për të neutralizuar përhapjen e helmit e dhimbjes. Nuk duhen aplikuar amonjak apo alkool pasi mund të shtojnë akoma më shume irritimin apo të përkeqësojnë dermatitin e kontaktit.
Ajo që mund të bëjmë në këtë rast është pirja e analgjezikeve si paracetamoli apo ibuprofeni dhe në rastin e personave me prirje alergjike marrja e antihistaminikeve do të ndihmonte në zbutjen e simptomave.
Pas qetësimit nga shenjat e fillimit, në kushte shtëpiake ndihmojnë dhe kremrat ftohës si aloe vera, kremrat me oksid zinku, kompresa të ftohta etj.
Evitoni ekspozimin në diell për disa ditë të pjesës së prekur. Kur kontakti ndodh sidomos në zonat qafë, kokë apo sy duhet të jeni në kontakt e ndjekje dinamike me mjekun dermatolog.
2-Dr. Jorida si mund ta pastrojmë zonën e pickuar të lëkurës nga tentakulat?
Pas kontaktit me kandilin shume tentakula të tij mbeten në lëkurë dhe kontribuojnë në përhapjen e helmit e për rrjedhoje në thellimin e simptomave, sidomos dhimbjes, kështu që pastrimi i tentakulave të kandilit është hap thelbësor. Në këtë rast nevojiten mjete me buze të mprehta një piskatore për shembull, ose në mungesë të piskatores në ato kushte, me kartë banke apo çdo lloj mjeti tjetër rrethanor të ngjashëm.
Zona aty nuk duhet fërkuar pasi fërkimi i zonës mund të përhapë irritimin. Nuk duhet përdorur rërë dhe e mira është që të gjitha këto hapa të bëhen jo me duar të zhveshura por me doreza për të evituar kalimin e tentakulave dhe në duart e personit që ndihmon.
Zhytja e zonës së irrituar, në ujë të nxehtë gjithashtu është parë me shumë benefit në qetësimin e simptomave veçse duhet pasur kujdes që nxehtësia e ujit duhet të jetë e durueshme, në të kundërt irritimit të kontaktit të kandilit i shtohet dhe djegia e mundshme nga temperatura e ujit.
3- Cilat janë simptomat më të zakonshme dhe ato të rënda?
Simptomat më të zakonshme janë djegia e dhimbja në vendin e kontaktit. Pjesa e trupit që ka rënë në kontakt me kandilin skuqet mund të zhvillojë flluska dhe të marrë pamjen e lëkurës së djegur. Lloje të ndryshme kandilash japin dhe tablo klinike të ndryshme. Disa lloj kandilash shkaktojnë në lëkurë forma të veçanta si fshikullima me kamzhikë.
Simptoma të tjera përfshijnë marrjemendje, dhimbje koke, dobësi trupore, temperature etj këto sidomos në personat që janë të predispozuar për të qene alergjikë.
4- Në rastet Kur personi i pickuar nga kandili i detit ka vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpejta të zemrës, si duhet të veprojë?
Në rastet më të rënda ose në kontakt me lloje të rrezikshme tropikale të kandilave apo në rastet ekstreme kur kandili gëlltitet, simptoma akoma më të rënda mund të paraqiten si vështirësi në frymëmarrje, gulcime, enjteje të syve buzëve, gjuhës, të vjella, diarre, takikardi, humbje të vetëdijes etj. Këto simptoma janë urgjence mjekësore dhe duhet patjetër shoqërimi i të sëmurit në urgjencën më të afërt.
5- Si trajtohet? Cila është diagnoza?
Diagnoza në këtë rast është reaksion apo shok anafilaktik nga helmi I kandilit dhe duhet të trajtohet në varësi të avancimit të simptomave me injeksione me kortikosteroide apo adrenalinë në kushte spitalore dhe nga staf mjekësor i specializuar.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.