Përshëndetje doktoresha Hana Ameti!
Kënaqësi t’ju kemi sërish!

Për sot, do të diksutojmë në mënyrë më specifike, ushqyerjen e fëmijëve nga 0 deri në 5 vjeç.

1. A mund t’na tregoni një manual të përgjithshëm, ku nënat mund të mbështeten, për të krijuar mënyrën e duhur të ushqyerjes për fëmijët nga 0 në 5 vjeç?

– Të krijuarit e një plani ushqyerje për këtë grupmoshë, patjetër kërkon një konsideratë të veçantë të nevojave specifike, që ka secila moshë.
Po përshkruaj një udhëzues për të gjitha nënat, të cilat kanë fëmijë të grupmoshës 0-5 vjeç.

◇0-6 muaj:

* Është periudha, kur nëna ushqen fëmijën me qumësht gjiri ose me formulë.

◇6-12 muaj:

* Vazhdohet me qumësht gjiri ose formulë, si burimi kryesor i ushqyerjes.
* Bëhet prezantimi i fëmijës me ushqime me konsistencë kremoze, të tilla si: puré perimesh, fruta të buta, mish i bërë fije fije ose krem.
* Ndërkohë, mbahet fëmija nën monitorim, në rast të zhvillimit të ndonjë alergjie ushqimore.

Shembuj recetash në këtë fazë:

1) Puré e patates së ëmbël me karotë dhe bizele.
2) Banane e shtypur
3) Mollë ose dardhë e zier (pa sheqer)
4) Pure me patate të ëmbël, shoqëruar me mishin e pulës ose viçit, të zier dhe të bërë fije-fije.

◇12-24 muaj:

* Kjo moshë është periudha tranzitore nga qumështi i gjirit/formula në qumështin e plotë (16- 24 njësi në ditë)
* Fokusohuni në krijimin e një diete të balancuar. Çka do të thotë që të përfshini ushqime nga të gjitha grupet ushqimore.
* Duhet vazhduar prezantimi i fëmijës me shije dhe ushqime të reja të shëndetshme.

Shembuj:

● Mëngjesi: Vezë, sallatë frutash.
● Snack 1: Kos i bërë në shtëpi me pak banane ose mjedra të shtypura dhe pak mjaltë bio (pa sheqer dhe konservantë të shtuar)
● Dreka: sallatë me brokoli dhe lulelakër të prera në copa shumë të vogla dhe të ziera , mish pule i zier, i bërë fije-fije.
●Snack 2: një frut i butë
Për shembull: bostan, pjepër ose pjeshkë
●Darkë: mish i grirë me karrotë dhe qepë, humus.

◇ 2-3 vjeç:

• Implementoni në dietën e fëmijës ushqime të plota, të shëndetshme dhe të gatuara mirë.
* Mos e prezantoni fëmijën me ushqime me sheqer, konservantë, ngjyruesa, ushqime të proçesuara dhe ultra të proçesuara.
– Servirini fëmijës porcione të vogla të ushqimit dhe lëreni të kërkojë më tepër, nëse është akoma i uritur.

– Shembull:

● Mëngjesi: vezë, 1 fetë e hollë bukë e gatuar në shtëpi me gjalpë, 2-3 boronica dhe 2-3 mjedra.
● Snack 1: kastravec/spec i kuq/1 domate të vogla
● Drekë: Fileto gjeldeti, pure patate e ëmbël, karrotë dhe kungull portokalli
● Snack 2: feta molle dhe shkopa karrote
● Darkë: Quinoa me brokoli dhe 1 fileto e hollë mish viçi e pjekur mirë.

◇ 4-5 vjeç:

* Vazhdoni të ndiqni një dietë të shëndetshme, të shumëllojshme dhe të mirëgatuar për fëmijën.
* Inkurajoni fëmijët t’ju ndihmojnë me përgatitjen e ushqimit për të ndërtuar një marrëdhënie pozitive me ushqimin.

Shembull:

● Mëngjesi: 1 gotë qumësht dhie me kakao organike dhe mjaltë. 1 vezë e zier pak, 1 frut i freskët i stinës
● Snack 1: shkopa selinoje të freskët
● Drekë: supë me thjerrza të kuqe, një fetë e hollë bukë e gatuar në shtëpi e lyer me avokado me pak kripë dhe vaj ulliri. Sallatë frutash të freskëta të stinës
● Snack 2: Smoothie me spinaq, kos, dhe banane
● Darkë: Fileto peshku i egër (me përqindje sa më të ulët mërkuri dhe arseniku) me sallatë perimesh të gatuara në avull.
* Edukoni fëmijët tuaj që pijen e tyre më të pëlqyer të kenë ujin dhe të konsumojnë sa më shumë ujë gjatë ditës.
* Përpiquni t’i mbani fëmijët sa më larg nga ushqimet e proçesuara dhe të konservuara, me sheqer të shtuar e konservantë.
* Konsultohuni në mënyrë rutinë me profesionistë pediatër dhe nutricionistë, me qëllim që të krijoni zakone sa më të shëndetshme për fëmijën tuaj dhe të shtroni një rrugë të sigurt për të ardhmen e shëndetshme.

2. Cilat janë këshillat tuaja për nënat, të cilat i ushqejnë bebet e tyre me formulë? Cila është rruga për të zgjedhur formulën e duhur?

– Përzgjedhja e formulës së duhur për bebin, bazohen në disa faktorë kyç:

1) Lloji i formulës:

○ Formula me bazë qumështin e lopës: është formula më komune dhe e përshtatshme për shumicën e bebeve.
○ Formula me bazë soje ose me bazë qumësht dhie: për fëmijët, të cilët janë laktozë-intolerantë ose alergjik ndaj proteinës së qumështit të lopës.
○ Formulat e hidrolizuara: për fëmijët alergjik ose me probleme me tretjen.
○ Formulat e veçanta: për fëmijët prematurë ose me probleme shëndetësore.

2) Përmbajtja ushqyese:

○ Sigurohuni që formula përmbush 100% të gjitha nevojat e foshnjës plr lëndë ushqyese, vitamina dhe minerale.

3) Toleranca e bebit:

○ Observoni me kujdes, sesi reagon bebi ndaj formulës. Shihni, nëse ka shenja të alergjisë, probleme me tretjen ose diskomfort.

4) Rekomandimet e mjekut pediatër:

○ Konsultohuni me mjekun pediatër, i cili ndjek bebin tuaj për këshilla shtesë, basuar në gjendjen shëndetësore dhe specifikat e fëmijës tuaj.

5) Firma e formulës:
○ Do t’i këshilloja nënat, që të zgjedhin një firmë të njohur të formulës, e cila është e njohur për sigurinë dhe kualutetin e lartë, që ofron.

6) Zgjidhni formula të pasura me probiotikë dhe prebiotikë:

○ Disa formula i përmbajnë pro- dhe prebiotikët për të siguruar shëndetin e mikrobiomës së zorrëve, e ngjashme me benefitet, që sjell qumështi i gjirit.

7) Formulat me DHA dhe ARA:

○ Këto, dy acide yndyrore gjenden në qumështin e gjirit dhe janë të rëndësishme për zhvillimin e trurit dhe syve. Formulat, që i përmbajnë këto acide yndyrore janë më të afërtat, për nga natyra, me qumështin e gjirit.

* Zgjidhni një formulë të përshtatshme, bazuar në të gjithë faktorët e mësipërm dhe përpiquni të shmangni ndryshimet, në llojin e formulës, që bebi juaj konsumon.

3. Për të gjitha nënat, të cilat interesohen për receta të shëndetshme për fëmijët e tyre, të moshës 1 deri në 5 vjeç, a mund t’na këshillonit disa?

– Sigurisht që po.

1) Humus:

○ Përbërësit:
– qiqra
– vaj ulliri
– kripë deti
– 1 lugë kafeje lëng limoni

○ Përgatitja:

1- Një natë më përpara, fusni qiqrat në një tas me ujë.
2- Të nesërmen, hiqini nga ai ujë, hidhini në një tenxhere me ujë të pastër dhe lërini të vlojnë, derisa të zbuten plotësisht.
3- Qiqrat e ziera bëjini krem me blender.
4- Shtoni kripën, vajin e ullirit dhe lëngun e limonit.

2) Pure me lulelakër dhe vezë

○ Përbërësit:

– 2-3 lule lulelakër
– 1 fetë mollë
– 1 karrotë
– 1 e verdhë veze
– vaj ulliri

○ Përgatitja:

1- Ziejmë lulelakrën, mollën dhe karrotën
2- Ziejmë një vezë dhe i marrim të verdhën.
3- I shtypim me pirun lulelakrën, mollën, karrotën dhe të vedhën e vezës
4- I përziejmë së bashku dhe i shtojmë pak vaj ulliri.

3) Kos me fruta

○ Përbërësit:

– kos shtëpije
– 3 mjedra
– 3 boronica
– 1 luleshtrydhe ( në rast se është stina e luleshtrydheve)
– mjaltë organik

○ Përgatitja:

1- Shtypni mjedrat, boronicat dhe luleshtrydhen me një pirun
2- Shtojini frutat e shtypura në një tas të vogël me kos
3- Për ta ëmbëlsuar dhe bërë më të pëlqyeshme për bebin tuaj, mund t’i shtoni 1 lugë të vogël mjaltë.

4) Mish zogu me avokado

○ Përbërësit:

– kofsha e një zogu fshati
– ½ avokado organike
– 2 lugë kos shtëpije
– ½ kastraveci grirë në rende
– 1 lugë gjelle lëng limoni
– pak kripë deti dhe piper i zi

○ Përgatitja:

1- Mishin e kofshës së zogut e ziejmë me ujë, 1 gjethe dafine dhe 1 degë selinoje.
2- Në një tas bashkojmë kosin me avokadon e shtypur, me kastravecin, lëngun e limonit, kripën dhe piperin.
3- E bëjmë mishin e pulës fije-fije dhe e bashkojmë me përbërësit e tjerë.
4- I përziejmë të gjithë së bashku dhe është gati t’ia servirni fëmijës tuaj.

5) Patate e ëmbël me karrotë e bizele

○ Përbërësit:

– ½ patate e ëmbël
– 1 karrotë
– 1 kup bizele
– disa kubikë kungull portokalli
– 1 lugë kafeje vaj ulliri
– pak kripë dhe piper i zi

○ Përgatitja:

1- Në një tepsi vendoani pataten e ëmbël, karrotën dhe kungullin. Marinojini me vaj ulliri dhe piqini në furrë.
2- Ndërkohë, në njl tenxhere hidhni 1 kup bizele dhe 3 kupa ujë. Lërini bë zjarr mesatar, derisa bizelet të zbuten.
3. Pasi të jenë gatuar të gjitha perimet, i shtypim me pirun dhe i bëjmë të gjitha bashkë.
4. I shtojmë vajin e ullirit, kripën dhe piperin e zi.
5. Pasi i përziejmë, janë gati për t’i konsumuar bebi juaj.

6) Vezë në tigan me perime:

○ Përbërësit:

– 1 vezë e freskët fshati
– ½ spec i kuq
– ½ spec i verdhë
– ½ spec jeshil
– 1 thelpi hudhër
– borzilok i freskët
– gjalpë i freskët
– kripë deti & piper i zi

○ Përgatitja:

1- Në një tigan (këshillohet tigan hekuri) hedhim gjalpin e freskët, hudhrën dhe borzilokun.
2- Më pas shtojmë specat e grirë në katrorë të vegjël dhe i lëmë në zjarr derisa të zbuten.
3- Shtojmë vezën e rrahur me kripë dhe piper të zi
4- I lëmë në zjarr mesatar derisa veza të mpikset.

7) Smoothie me spinaq:

○ Përbërësit:

– disa gjethe baby spinaq
– 1 gotë lëng i freskët portokalli
(Ose lëngu i shtrydhur i një fruti të stinës)
– 1 kiwi
– ½ banane
– 1 lugë kafeje mjaltë

○ Përgatitja:

1- I pastrojmë të gjithë përbërësit dhe i hedhim në blender
2- I përziejmë (blendojmë) për 2-3 minuta dhe është gati.

8) Supë me thjerrza & quinoa

○ Përbërësit:

– ½ qepë
– 1 karrotë
– ½ domate
– 1 kup thjerrza të kuqe
– 3 lugë quinoa
– fara kungulli
– ½ patate
– 1 gjethe borzilok i freskët
– kripë dhe vaj ulliri

○ Përgatitja:

1- Në një tas hidhni quinoa-n, thjerrzat dhe ujë. I lini aty për 20 minuta.
2- Në tenxhere hidhni pak vaj ulliri, qepën e grirë imët, karrotën e grirë në kubikë dhe në fund domaten e qëruar e të bërë puré.
3- I kavërdisni për disa minuta, duke i përzier me lugë druri.
4- Shtoni pataten të grirë në kubik.
5. Pas 2-3 minutash shtoni 300-350 ml ujë dhe i lini në zjarr të mesëm, derisa të marrin valë.
6- Kulloni thjerrzat dhe quinoa-n nga uji, dhe shtojini në tenxhere, së bashku me farat e kungullit e gjethen e borzilokut.
7- Pak minuta para se ta hiqni nga zjarri, hidhini pak kripë.

9) Supë me presh dhe trahana.

○ Përbërësit:

– 1 kup presh
– 1 lugë gjelle trahana
– vaj ulliri
– pak gjalp i freskët
– 1 lugë kos shtëpije
– kripë deti dhe piper i zi

○ Përgatitja:

1- Në një tenxhere hidhni preshin e grirë imët. Kavërdiseni për 2 minuta.
2. Treteni trahananë në një filaxhan me ujë të vakët dhe, pasi të tretet, shtojeni në tenxheren, ku është preshi.
3. Për dy minuta, përziejini preshin dhe trahananë në zjarr mesatar.
4. Hidhni edhe 150 ml ujë dhe hidhni një majë luge kripë deti.
5. Kur konsistenca të bëhet kremoze shtoni 1 lugë kos dhe pak gjalpë të freskët.

10) Lëngu i këmbëve të viçit

○ Përbërësit:

– 1 këmbë viçi e larë dhe e pastruar mirë
– 1 gjethe dafine
– disa gjethe borziloku
– 1 karrotë
– degë selinoje
– 3 degë majdanoz
– 1 karafil (si ai që përdorim për sherbet ëmbëlsirash)
– 1 qepë e bardhë
– 1 qepë e kuqe

○ Përgatitja:

1- Në një tenxhere shtojmë të gjithë përbërësit dhe i mbulojmë me ujë të ftohtë.
2- E vendosim tenxheren në zjarr mesatar dhe e lëmë të vlojë, për 1.5-2 orë.
3. Palcën e këmbës së viçit e nxjerrim nga kocka dhe ia shtojmë lëngut.
4. E kullojmë, në rast se ka ndonjë kockë të mbetur dhe lëngun e pastër mund t’ia jepni bebit tuaj, 1 filxhan në ditë ose të përgatisni supa të ndryshme me perime, quinoa me perime…etj
– Ju falënderojmë për këshillat dhe recetat.

– Ju falënderoj unë juve për pyetjet dhe uroj që këshillat dhe recetat të jenë sa më të vlefshme për të gjitha nënat.
Për çdo këshillim dhe informacion shtesë, janë të mirëpritura t’më kontaktojnë.
Edhe njëherë, faleminderit!

*Dr. Hana Ameti është një ndër nutricionistet më të mira në Shqipëri.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.