Venat varikoze janë vena të zgjeruara dhe të përdredhura që paraqiten në këmbët e pacientëve. Statistikisht venat e zgjeruara i gjejmë në rreth 40-50% të njerëzve.

Në shtatzëni po ashtu mundësia e zhvillimet të venave të zgjeruara është e madhe. Shtatzënia vjen me shumë ndryshime në trup që nuk janë nga më të këndshmet. Shumica e grave e dinë mirë se gjatë shtatzënisë do të kenë shtim në peshë, ënjtje, ndryshime emocionale, probleme me gjumë dhe dëshira unike për ushqim.

Por një gjë që zakonisht nuk është në radarin e shtatzënisë, janë problemet me venat. Venat e zgjeruara janë ndër komplikimet më të zakonshme të shtatzënisë, duke prekur përafërsisht deri në 40% të grave shtatzëna.

Venat varikoze zakonisht nuk janë të dëmshme për gratë shtatzëna ose për fëmijën, ato janë një shqetësim i dukshëm estetik (visual) për shumë gra dhe mund t’i bëjnë këmbët e shtatzënave të ndihen të rënda, të ënjtura, të lodhura dhe madje edhe të kruhen herë pas here.

Pse paraqiten venat varikoze në shtatzëni?

Së pari, vëllimi i gjakut që rrjedh nëpër trup gjatë shtatzënisë, gradualisht rritet ndërsa fëmija zhvillohet. Plazma e gjakut përjeton një rritje të konsiderueshme prej 40-50%, shoqëruar me një rritje prej 20-30% të masës së qelizave të kuqe të gjakut. Si rezultat, venat e shtatzënave gjejnë vetën të ngarkuar me transportin e një vëllimi dukshëm më të madh të gjakut.
Së dyti, ndërsa fetusi rritet dhe zhvillohet në barkun e nënës, pesha në rritje e fetusit ushtron forcë dhe bën presion në vena kava inferior, një venë e madhe e barkut përgjegjëse përmbledhjen e gjakut nga pjesa e poshtme e trupit dhe e cila e përcjellë pastaj gjakun në drejtim të zemrës.

Presioni që bën fetusi në zhvillim në vena cava inferior kontribuon në zgjerimin e venave në këmbët e shtatzënave, paraqitjen e variçeve vulvare apo edhe shfaqjen e venave hemorroidale.

Dhe së treti, ndryshimet hormonale (estrogjeni dhe progesteroni) gjatë shtatzënisë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e venave varikoze. Për shembull, mbajtja e një shtatzënie të shëndetshme kërkon nivele të larta të progesteronit. Megjithatë, ky hormon gjithashtu ka efektin e dëmtimit të valvulave të venave dhe relaksimit të mureve të venave. Fatmirësisht, në shumicën e rasteve, këto vena varikoze kanë tendencë të zvogëlohen pas lindjes.

Venat e zgjeruara përveç që janë të dukshme vizualisht në këmbët e pacienteve, ato mund të shkaktojnë dhe ankesa të tjera të gratë shtatzëna si psh dhimbje, ndjenjë të rëndesës së këmbës, kruaje dhe ënjtje. Shume shpesh për shkak të venave të zgjeruara dhe ndryshimeve hormonale në shtatzëni është e mundur që të zhvillohet dhe tromboza e venave të zgjeruara sipërfaqësore dhe tromboza e venave të thella, të cilat e rrezikojnë seriozisht jetën e pacientëve.

Çfarë këshilla duhet ndjekur gratë shtatzëna?

Se pari në momentin që shfaqen venat e zgjeruara në shtatzëni, duhet bërë një vizitë tek specialisti i enëve të gjakut në këtë rast te Kirurgu Vaskular dhe një ultrazë të enëve të gjakut të këmbëve të pacientëve.

Po ashtu rekomandohet mbajtja e peshës në nivelin e duhur në shtatzëni, mbajtja e çorapëve elastike dhe ushtrimet fizike e sidomos ato që i forcojnë muskujt e gjymtyrëve si p.sh ecja, joga, pilate, noti etj.

Është shumë e rëndësishme që të mbahen çorapet elastike gjatë shtatzënisë për të përmirësuar ankesat e pacienteve, largimin e ënjtjes së këmbës si dhe për të parandaluar trombozat e mundshme të venave.

*Dr. Burim Ukperaj është kirurg Vaskular në Kosovë

Konsultohuni tani në:
+383 44 354 136
Instagram / Facebook

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.