Një ndër problemet më të përhapura sot tek të rinjtë janë infeksione të transmetueshme kryesisht nga kontakti seksual. Kështu thotë infermierja Jornela Hënaj.
Në një intervistë për Bebja.com Jornela Hënaj tregon se disa nga sëmundjet seksualisht të transmetushme janë: HIV/AIDS, BAKTERIOZA VAGINALE, KANDIDA, TRIKOMONAS, KLAMIDIA, KONDILOMA, HERPES GENITAL, HUMAN PAPILOMA VIRUS/HPV, SIFILIZI, GONORREA, HEPATITI B.
“Simptomat më të shpeshta janë: skuqje, djegie rreth organeve gjenitale, dhimbje, djegie gjatë urinimit, urinimi i shpeshtë, sekrecione të pazakonta nga organet gjenitale, kruajtje të shumta rreth organeve , formacione-lytha, puçrra, flluska të dhimbshme në vaginë, organin mashkullor ose anus që thahen dhe përsëriten , ënjtje, dhimbje në fund të barkut, dhimbje gjatë kontaktit seksual”, thotë Jornela Hënaj.
Intervista e plotë:
PYETJA 1-Një ndër problemet më të përhapura sot tek të rinjtë janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Çfarë janë SST-ët?
Një ndër problemet më të përhapura sot tek të rinjtë janë infeksione të transmetueshme kryesisht nga kontakti seksual, përfshirë seksin vaginal, anal dhe oral. Disa IST mund të përhapen edhe përmes rrugëve të tjera jo seksuale, si përmes gjakut ose produkteve të gjakut, nga kontakti direkt lëkurë me lëkurë, pa kontaktin penetrues.
Pse IST dhe jo SST?
Sepse pikë së pari njerëzit duhet të infektohen para se të kenë një sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe një infeksion do të thotë që një mikrob është i pranishëm brenda trupit të një personi e mund të shkaktojë sëmundje. Një sëmundje do të thotë që infeksioni po përparon dhe që person i infektuar të ndjehet i sëmurë ose vëren se diçka nuk është në rregull.
Por një person i infektuar mund të mos ndjehet i sëmurë, mund të jetë asimptomatik, pavarësisht mund të ketë një SST.
Kjo do të thotë që IST përfshijnë edhe rastet asimptomatike pra më gjerë, përfshijnë edhe SST.
PYETJA 2- Nga përvoja jote e punës si infermiere, cilat janë disa nga SST-të më të përhapura në Shqipëri?
Disa nga sëmundjet seksualisht të transmetushme janë: HIV/AIDS, BAKTERIOZA VAGINALE, KANDIDA, TRIKOMONAS, KLAMIDIA, KONDILOMA, HERPES GENITAL, HUMAN PAPILOMA VIRUS/HPV, SIFILIZI, GONORREA, HEPATITI B.
PYETJA 3- Cilat janë simptomat më të shpeshta?
Simptomat më të shpeshta janë: skuqje, djegie rreth organeve gjenitale, dhimbje, djegie gjatë urinimit, urinimi i shpeshtë, sekrecione të pazakonta nga organet gjenitale, kruajtje të shumta rreth organeve , formacione-lytha, puçrra, flluska të dhimbshme në vaginë, organin mashkullor ose anus që thahen dhe përsëriten , ënjtje, dhimbje në fund të barkut, dhimbje gjatë kontaktit seksual.
Urinë e errët, ulcera në gojë, fyt dhe tek gratë në qafën e mitrës, rënie flokësh në formë pullash, temperaturë, dhimbje koke, tumore të vogla në lëkurë, verbim, dëmtime në sistemin nervor qendror/SNQ, probleme në zemër enët e gjakut, lodhje ekstreme, të përziera e të vjella, zverdhje të lëkurës së syve.
PYETJA 4- Si parandalohen?
Përdorimi korrekt i prezervativit.
Testimi e këshillimi për IST( njerëzit mësojnë shpejt statusin e tyre, mënyrat parandaluese e shërbimet e trajtimit.)
Rrethprerja mashkullore vullnetare mjekësore (syneti), kur bëhet në mënyrë të sigurtë nga profesionistë shëndetësor të trajnuar, zvogëlon rrezikun e infektimit te meshkujt rreth 60%
Reduktim i dëmit për përdoruesit e dograve i/venoze.
Eliminimi i transmetimit nga nëna tek fëmijët.
ABC-ja e Parandalimit të IST
Abstain from sex- Abstenim nga seksi
Be faithful- Qëndrim me një partner
Consistently use condom- Përdorimi prezervativit në çdo marrëdhënie seksuale
PYETJA 5-” Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen dhe të mësojnë më shumë për edukatën seksuale” kështu na thatë gjatë bisedës. Çfarë donit të tregonit për këtë problem?
Në fakt e citova pak këtë pjesë për faktin sepse të rinjtë sot janë të zhytur shumë në botën e internetit dhe kanë harruar se ekzistojnë, çdo gjë është bërë robotike për ata . Sidomos të rinjtë e moshës më delikate atë të pubertetit e cila nis nga mosha 12-13, ku të cilët kanë harruar librat dhe nuk luftojnë për të zgjeruar bagazhin e tyre por e lënë aty në një cep në gjumë letargjik. Mirë që e përdorin internetin, e përdorin si të bullizojnë njëri tjetrin, si të ulin një person nga mënyrat më të ndryshme dhe jo të kërkojnë për një sërë sëmundjesh të cilat jetojnë me ne. Prindërit në fakt kanë një rol kyç në rritjen e fëmijës sepse te bëhesh prind nuk do të thotë veç të lindësh një filiz tëndin por të kesh një përgjegjësi sidomos nga ana psikologjike, shëndetësore, intelektuale qe këtë filiz tëndin ta rritësh shëndetshëm , me rrënjë të forta ku askush dhe asgjë mos të ketë kapacitetin për ti kalbur dhe çrrënjosur.
PYETJA 6- Cili është roli i analizave të gjakut? Swab test dhe testi i HIV?
Roli i analizave është të na tregojnë sa të shëndetshëm e kemi organizmin tonë , nëse ekzistojnë procese inflamatore, sëmundje, ekspozim ndaj materieve toksike e të ngjashme, anemi dhe për të analizuar spektrin e plotë të qelizave që gjenden në gjak dhe disa karakteristika të tyre.
Swab test ka të bëjë në marrjen e masës së sekrecioneve dhe materialeve për test në zonën intime të femrave dhe meshkujve që dyshohen se janë të infektuar. Ku më pas kjo masë shkon në laborator për tu testuar dhe bëhet për të zbuluar infeksione si: klamidia, herpesi dhe gonorreja.
Testi i HIV është një test antitrupash të cilat formohen pas një infektimi me HIV. Ekzistojnë tre lloje teste për HIV-in: test i antitrupave e cila kërkon antitrup-proteina që trupi prodhon për të luftuar virusin. Merret një mostër e vogël gjaku nga një venë në krahun ose gishtin tuaj. Merret gjithashtu lëngje nga brenda kavitetit oral , që janë teste të shpejta për faktin se rezultatet merren në rreth 30 minuta ose më pak.
Testi i antigjenit/antitrupave, është i rekomanduar për HIV si dhe pjesë të virusit të quajtur antigjenë.
Testi i acidit nukleik (NAT) i cili kërkon gjurmë të HIV-it në gjakun tuaj. Më pas gjaku në laborator për analiza dhe mund të duhen disa ditë për të marrë rezultatet.
PYETJA 7- Kur rekomandohet testimi i Sifilizit për gratë shtatzënë?
Testimi i sifilizit ose ndryshe testimi TORCH rekomandohet për gratë shtatzëna në tremujorin e parë të shtatzënisë , gratë që planifikojnë shtatzëninë dhe foshnjat e porsalindura që shfaqin simptoma që i atribuohen një prej infeksioneve të zbuluara nga testi.
Testi analizon praninë e antitrupave specifikë IgM dhe IgG tek nëna për këto mikroorganizma. IgM tregon një gjendje të infeksionit akut (në zhvillim e sipër) ndërsa IgG quhen ndryshe antitrupat e kujtesës ( pra na tregojnë nëse në të kaluarën ka kaluar ndonjë infeksion i cili mund të ketë prodhuar një përgjigje imunitare).
T- Toksoplazmoza
O- Other ( të tjerë : Parvovirus, Sifiliz, Hepatit)
R- Rubeola
C- Citomegalovirusi
H- Herpes
~ MË MIRË TË PARANDALOSH SESA TË KUROSH~
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.