Dermatiti i pelenave një inflamacion i lëkurës në zonën e pelenës. Ai është një nga format e dermatitit me të hasura tek foshnjat.
Përgjithësisht është lehtësisht e dallueshme. Në rastet e lehta është një skuqje në zonat që janë në kontakt me pelenën, pra në të ndenjura, zonën gjenitale dhe kofshë. Kështu shpjegon doktoresha Edona Kapiti.
Në një intervistë për Bebja.com Edona Kapiti thotë se kur pelenat nuk ndërrohen shpesh. Një pelenë e ndotur bën që lëkura delikate e bebes të qëndrojë për shumë gjatë e lagësht dhe kjo favorizon rritjen e mikroorganizmave sidomos të candidas dhe baktereve.
Dr. Edona tregon se kremrat që sugjerohen të përdoren janë ata me përmbajtje të oxidit të zinkut ose petroleum jelly (vaseline) si dhe kremra me vitaminë A+D. Shpesh pas lyerjes me kremin ose pasten, vendoset një shtresë me vazeline për të shmangur ngjitjen e pelenës.
Intervista e plotë:
1. Dr. Edona si ta kuptojnë prindërit se fëmija i tyre ka dermatit në zonën e bebelinës?
Dermatiti i pelenave një inflamacion i lëkurës në zonën e pelenës. Ai është një nga format e dermatitit me të hasura tek foshnjat. Përgjithësisht është lehtësisht e dallueshme. Në rastet e lehta është një skuqje në zonat që janë në kontakt me pelenën, pra në të ndenjura, zonën gjenitale dhe kofshë. Në forma më të rënda mund të kemi një irritim më të shprehur, kruarje të theksuar, diskomfort/nervozizëm të fëmijës sidomos gjatë procesit të ndërrimit të pelenës.
2. Cilat janë arsyet pse shfaqet?
Arsyet pse ndodh ky irritim janë të shumta.
– kur pelenat nuk ndërrohen shpesh. Një pelenë e ndotur bën që lëkura delikate e bebes të qëndrojë për shumë gjatë e lagësht dhe kjo favorizon rritjen e mikroorganizmave sidomos të candidas dhe baktereve.
– Fërkimi. Duke qenë se zona tashmë e lagësht, ka dhe fërkim nga lëvizja sjell një dëmtim të barrierës së lëkurës së bebes
– Përdorimi i produkteve të reja. Përdorimi i kremrave, shampove , letrave të lagura ose vetë materialit të zgjedhur jo korrekt të pelenës mund të japi irritim tek lëkura e bebes.
– Fillimi i ushqimeve. Kalimi nga ushqyerja me qumësht në ushqime solide sjell ndryshime në jashtëqitje qoftë në sasi por edhe në konsistencë, duke sjell një irritim.
3. Ndikimi që ka materiali i pelenës, kremi, dhe ndryshimi i ushqimit?
Nga vete emri dermatiti i pelenës është i lidhur ngushtë me cilësinë e pelenës.
Duhet bërë kujdes në zgjedhjen e saj. Këshilloj të merret parasysh nëse fëmija ka lëkurë të ndjeshme që të gjitha produktet të merren për lëkura sensitive. Në zgjedhjen e pelenës duhet të kemi parasysh të jene shumë të absorbueshme dhe të jenë breathable (pra të lejojnë ajrosjen).
Pavarësisht se sa të mira të jene pelenat duhen të ndërrohen shpesh. Krahas ndërrimit të shpeshtë duhet që zona të pastrohet mirë dhe të thahet mirë e me kujdes, jo duke e fërkuar, por duke e tamponuar me produkte të pambukta.
Për sa i përket ushqimit -Fillimisht 4-6 muajt e parë të jetës bebet ushqehen vetëm me qumësht, më pas bëhet prezantimi i tyre me ushqimin solid që ndryshojnë konsistencën e jashtëqitjes por dhe sasinë e cila mund të sjell irritim. Bebet që ushqehen me gji mund të kenë irritim dhe nga një ushqim që ka konsumuar nëna.
Kremrat e përdorur mund të përmbajnë përbërës që mund të dëmtojnë lëkurën kur nuk janë specifikisht për këtë zonë. Përmbajtja e lartë e aromave gjithashtu mund të jetë problematike. Krahas kremit edhe letrat e lagura me të cilat fshihet zona duhet të zgjidhen me përmbajtje të lartë uji dhe me sa më pak irritante.
4. Çfarë lloji kremi duhet të zgjedhin për zonën e pelenës?
Pasi zona është pastruar dhe tharë me kujdes, kremrat që sugjerohen të përdoren janë ata me përmbajtje të oxidit të zinkut ose petroleum jelly (vaseline) si dhe kremra me vitaminë A+D. Shpesh pas lyerjes me kremin ose pasten, vendoset një shtresë me vazeline për të shmangur ngjitjen e pelenës. Nëse në ndërrimin e radhës së pelenës ka krem të mbetur, duhet të pastrohet mirë kremi dhe të bëhet riaplikim në çdo ndërrim pelene.
5. Dr. Edona, për ta kuptuar më thjeshtë nënat e reja, kemi një pyetje të thjeshtë. SI ta dallojnë irritimin nga dermatiti në zonën e pelenës? Kur kemi të bëjmë me dermatit bakterial?
Si e përmenda në fillim është e thjeshtë të dallosh dermatitin e pelenës sepse nëna gjatë ndërrimit të fëmijës e vë re skuqjen në atë zonë. Duke qenë se ky dermatit është jo rrallë i shoqëruar dhe me infeksione të tjera bakteriale duhet të përmendim që nëse zona është më e fryrë, ka nxehtësi në prekje, nuk është më thjesht një skuqje por irritimi ka shkuar në një gradë më të avancuar mund të kemi këtë mbivendosjen bakteriale. Një tjetër detaj që mund të tregojë për infeksion bakterial është skuqja rreth anusit.
6. Kur duhet të kërkojnë ndihmën e mjekut?
Shpesh nënat në përgjithësi nga meraku i drejtohen mjekut që në fillim e dermatitit. Por rastet të cilat duhet patjetër ti drejtohen mjekut
– kur nëna pavarësisht ndjekjes së këshillave: ndërrimi i shpeshtë i pelenave/ larja dhe tharja mirë me ujë pas çdo ndërrimi pelene/ përdorimi i kremrave për këtë problematikë, nuk sheh përmirësim të zonës brenda 5-7 ditësh.
– Kur irritimi shoqërohet me temperaturë
– Kur dermatiti shoqërohet me gjakderdhje dhe çarje të lëkurës
– Kur e skuqura po vjen duke u përkeqësuar dhe përhapur
– Nëse foshnja qan me nervozizëm sa herë qe defekon ose urinon.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.