Nishanet ose nevuset siç njihen në termin mjekësor janë lezione si pika të vogla me ngjyrë kafe, të zeze ose të kuqe që formohen nga grumbullimi i melanociteve. Shumica prej nesh ka 10 – 40 nishane të cilat mund të jenë të lindura dhe njihen si kongenitale ose mund të shfaqen kryesisht në adoleshencë dhe quhen të fituara. Kështu shpjegon dermatologe Diana Muja.
Në një intervistë për Bebja.com mjekja thotë se jo çdokush ka nevojë për kontroll vjetor të nishaneve, por nëse ke faktorë risku për kancer të lëkurës ose melanome, kontrollet periodike mund të të shpëtojnë jetën.
Intervista e plotë:
- Për ta nisur këtë intervistë si fillim donim të dinim çfarë janë nishanet?
Nishanet ose nevuset siç njihen në termin mjekësor janë lezione si pika të vogla me ngjyrë kafe, të zeze ose të kuqe që formohen nga grumbullimi i melanociteve. Shumica prej nesh ka 10 – 40 nishane të cilat mund të jenë të lindura dhe njihen si kongenitale ose mund të shfaqen kryesisht në adoleshencë dhe quhen të fituara. Nishanet variojnë në forma e përmasa dhe mund të jenë të padëmshme por dhe shumë serioze.
2. Duke qenë se muaji maj është muaji për ndërgjegjësimin e kancerit të lëkurës. Cili është roli I vizitave periodike për nishanet? Apeli juaj si mjeke dermatologe?
Jo çdokush ka nevojë për kontroll vjetor të nishaneve, por nëse ke faktorë risku për kancer të lëkurës ose melanome, kontrollet periodike mund të të shpëtojnë jetën sepse dermatologu arrin të detektojë edhe atë kancerin e lëkurës që ti as që e di që ekziston në lëkurën tende.
- Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?
Shko tako një dermatolog nëse:
▪︎ke shumë nishane në lëkurë, >50-100
▪︎ke nishane të reja atipike (me kufij të çrregullt, në disa ngjyra apo me dimensione të mëdha)
▪︎ke përdorur solaret
▪︎ histori familjare për melanoma
▪︎histori të ekspozimit të zgjatur në diell
▪︎vuan nga një sëmundje autoimune ose merr medikamente imunosupresive
▪︎ je një person i ri ” cancer survivor ”
▪︎ ke një lezion që nuk shërohet për një kohë të gjatë dhe gjakos, rritet ose ndryshon.
4. Cili është ndryshimi midis një nishani të zakonshëm dhe melanomës apo kancerit të lëkurës?
▪︎Secili prej nesh mund të aplikoje metodën ABCDE që ndihmon për të identifikuar shenjat e kancerit të lëkurës dhe melanomës.
Ja çfarë duhet të kërkosh në një nishan:
A- asimetria; nishani duket i ndryshueshëm në formë
B-kufijtë nëse janë apo jo të çrregullt
C-ngjyra nëse është e shpërndarë në mënyrë uniforme në lezion
D-diametri; ki kujdes nishanet më të mëdha sesa diametri i gomës së lapsit
E- evolimi; më i rëndësishmi. Shiko për çdo ndryshim në përmasa, ngjyre, formë apo madhësi të nishanit dhe për çdo simptomë të re si gjakosja apo kruarja e nishanit.
5. Si diagnostikohet Melanoma?
Dermatologët janë të vetmit specialistë të mjekësisë që zotërojnë me të vërtetë ekspertizën e duhur për vlerësimin e nishaneve dhe lezioneve të pigmentuara të lëkurës.
Përveç ekzaminimit të lëkurës me sy të lirë në përdorim dermatoskopin, një mjet ky shumë i rëndësishëm diagnostikues që lejon inspektimin e lezioneve kutane por që kërkon shumë vite trajnim dhe eksperienca të gjatë. Saktësia e diagnozës së melanomës nga mjekët e trajnuar në dermatoskopi është sinjifikativisht më e madhe sesa e atyre që nuk kanë trajnimin e duhur. Dhe kur dermatologu e dyshon melanomën atëherë referon për një biopsi kutane si e vetmja procedurë që konfirmon ose përjashton melanomën ose kancerin e lëkurës.
6. Disa këshilla për kujdesin ndaj nishaneve dhe si të shmangen përkeqësimi deri në kancerit të lëkurës?
Maji është muaji i luftës kundër Melanomës. Fushatat tona të ndërgjegjësimit e vënë theksin te parandalimi si çelësi kryesor i kësaj lufte dhe te diagnostikimi i hershëm që shpëton jetën sepse një lezion i diagnostikuar në stadet e hershme të melanomës është totalisht i kurueshëm.
7. Këshillat dhe kujdesi për nishanet?
▪︎Përdorni kremin mbrojtës kundër diellit! Mos u digjni në diell!
Është shumë i rëndësishëm përdorimi i kremit SPF çdo ditë në zonat e ekspozuara në diell në mënyrë kronike si në fytyre, veshë apo qafë. Melanoma jo gjithmonë ndodh papritur, por mund edhe të zhvillohet ngadalë për një kohë të gjatë përgjatë disa muajve apo viteve.
Konsultoni dermatologun tuaj për çdo lezion të ri apo të vjetër që po ndryshon!
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.