Mjekja dermatologe Dea Hajdërlli shpjegon se sindroma e vezores policistike (PCOS) është një nga çrregullimet endokrine më të zakonshme tek gratë në moshë riprodhuese. Tipikisht shfaqet në adoleshencë, por simptomat mund të alterohen me kalimin e kohës.
Në një intervistë për Bebja.com Dea Hajdërlli thotë se Sindroma e vezores policistike karakterizohet nga disbalanca hormonale, cikël i çrregullt menstrual, hiperandrogjenizëm dhe prania e cisteve në vezore. Dy prej këtyre kritereve mjaftojnë për të diagnostikuar këtë patologji.
Intervista e plotë:
1.Çfarë është PCOS?
Sindroma e vezores policistike (PCOS) është një nga çrregullimet endokrine më të zakonshme tek gratë në moshë riprodhuese. Tipikisht shfaqet në adoleshencë, por simptomat mund të alterohen me kalimin e kohës. Karakterizohet nga disbalanca hormonale, cikël i çrregullt menstrual, hiperandrogjenizëm dhe prania e cisteve në vezore. Dy prej këtyre kritereve mjaftojnë për të diagnostikuar këtë patologji.
2. Cilat janë simptomat?
Simptomat tipike i klasifikojmë në katër grupime:
•Çrregullime menstruale
-Amenorrea primare ose sekondare (mungesa e periodave)
-Oligomenorrhea (rrallim i shpeshtësisë së periodave)
-Menorragjia (hemorragji e shtuar gjatë ciklit)
-Sterilitet ose vështirësi në shtatzëni
•Rezistenca ndaj insulinës
-Sindroma metabolike (veçanërisht obeziteti) → rritet rreziku i apnesë së gjumit
-Steatorrhea e mëlçisë joalkoolike (yndyrosja e mëlçisë)
•Problemet e lëkurës
-Hirsutizmi (shtimi i qimeve në fytyrë dhe trup)
-Alopecia androgjenike (humbja dhe rrallimi i flokëve)
-Akne vulgaris
-Lëkurë e yndyrshme
-Acanthosis nigricans (ngjyrimi i errët i lëkurës në zonat e sqetullave,qafës apo trup)
•Çrregullimet psikiatrike
-Depresioni
-Çrregullimet e ankthit
3. Kur duhet t’i drejtohen mjekut?
Një grua duhet të drejtohet tek mjeku në momentin që vëren se disa prej këtyre simptomave janë të pranishme, sidomos prania e ciklit të çrregullt menstrual, vështirësia për të ngelur shtatzënë, apo shenja të hiperandrogjenizmit.
4. Cilat mund të jenë pasojat nëse nuk i drejtohen mjekut?
PCOS përbën një kompleksitet simptomash, të cilat nëse lihen të patrajtuara për një kohë të gjatë çojnë në probleme serioze me shëndetin, si psh hipertension, diabet, probleme të zemrës, depresion apo infertilitet ose kancer të uterusit.
5. Si trajtohet?
Megjithëse nuk ka kurë për PCOS, ka shumë mundësi trajtimi për menaxhimin e simptomave të ndryshme të kësaj sindrome. Llojet e trajtimeve të përdorura varen nga prioritetet dhe simptomat e një gruaje.
Për shembull, të qenit me një peshë të shëndetshme mund të çojë në përmirësimin e simptomave, kështu që modifikimet e stilit të jetesës në të ushqyerit dhe ushtrimet mund të ndihmojnë.
Hirsutizmi mund të trajtohet me heqjen e qimeve me lazer ose elektrolizë.
Disa pacientë mund të provojnë pilula kontraceptive për të përmirësuar rregullsinë e menstruacioneve.
Metformina, një ilaç i përdorur zakonisht për diabetin, mund të përdoret për të ndihmuar në përmirësimin e përgjigjes së trupit ndaj insulinës.
6. Si mund të ndikojë në stilin e jetës, duke ditur që shumica e rasteve të pacientëve që preken nga PCO-S janë në mbipeshë?
Modifikimet në stilin e jetesës janë shtyllë thelbësore për përmirësimin e gjendjes në PCOS.
Inkurajohet humbja në peshë, ushqimi i shëndetshëm me pak kalori dhe shumë fibra (evitimi i sheqerit dhe karbohidrateve) , si dhe ushtrimet fizike të cilat rrisin rezistencën.
Duhet shumë durim për mbajtjen nën kontroll të kësaj sindrome, pacientet luftojnë çdo ditë me një betejë që të tjerët nuk arrijnë ta shohin. Ndaj këshilla ime është të kërkoni ndihmë dhe mos e konsideroni këtë kapitull si gjithë historinë e jetës suaj!
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.