Dikur realiteti ishte: Çfarë ndodh në shtëpi, ngelet në shtëpi. Sot, shumë gjëra që ndodhnin brenda dyerve të mbyllura po bëhen publike. Dhe ato që janë më tronditëse kohët e fundit janë vrasjet e grave nga burrat.
Por, pse burrat i vrasin gratë? Problemi është më i thellë sesa e tashmja dhe patjetër që një burrë që kryen një vepër të tillë, ndër të tjera mbart edhe probleme psikologjike.
Rritja në një vend me një mentalitet të mbyllur, me pabarazi pushteti midis burrit dhe gruas dhe me steriotipe gjinore kontribuon në formimin e një burri që do ta ketë vendimmarrjen për të gjithë familjen dhe të vendosë ai për fatin e tyre.
Si rrjedhojë gruas i mohohen shumë të drejta dhe i shtohen detyrat. Një burrë i tillë mund të jetë rritur me një shembull dhune nga prindërit, të jetë abuzuar fizikisht ose seksualisht, të jetë neglizhuar në fëmijëri ose mund të ketë qenë përdorues i substancave narkotike. Dhe në këtë mënyrë ai vazhdon përsëri ciklin në të cilin është rritur.
Nevoja e tij neurotike për pushtet mbi gjininë tjetër fillon që nga mënyra sesi është rritur në fëmijëri, mënyra sesi nëna dhe babai e kanë trajtuar, kur ata i kanë dhënë atij më shumë të drejta sesa motrës së tij apo kur e kanë justifikuar sjelljen e tij sepse është djalë. Pastaj kjo gjë në mënyrë të vazhdueshme është përforcuar edhe nga shoqëria në të cilën ai është rritur.
Do të thoja që akti final i vrasjes, përveçse i nxitur nga nevoja individuale e personit është edhe për ti treguar shoqërisë që ai e përdori burrërinë dhe pushtetin e tij ashtu siç duhet duke vendosur drejtësinë në vend. Dhe në disa raste shoqëria e mbështet ose justifikon duke thënë se diçka ka bërë ajo që ai e ka vrarë.
Në një kontekst të tillë, kuptohet çfarë ndodh nëse gruaja shfaq dëshira, del kundër mendimit dhe vendimeve të burrit, nëse do të divorcohet, nëse burri është xheloz ose nëse gruaja e tradhton atë. Një mendim tipik i burrit që mund të arrijë deri në vrasjen e gruas së tij sepse nuk e pranon dot ndarjen mund të jetë: Nëse unë nuk mund ta kem atë, askush nuk mund ta ketë.
Kjo temë është një plagë e fortë sociale dhe e shikoj shumë të nevojshme ndërhyrjen për parandalimin e rasteve të tjera në të ardhmen. Diskutimi në media, edukimi i hershëm në familje, edukimi në shkolla, masat e forta ndëshkuese nga organet ligjvënëse janë shumë të rëndësishme që të mbrohet e drejta e jetës, që është minimalja për çdo qenie njerëzore.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.